SHKRUAN: Jonida Tashi 25-07-2011 11:27

Zbardhen pikët që do t’u duhen maturantëve për t’u shpallur fitues në degët e studimit me konkurs pranimi. Ministria e Arsimit ka përcaktuar peshën e Maturës dhe konkurseve, si dhe pikët minimale dhe maksimale të këtyre të fundit, për universitetet që ofrojnë të tilla programe studimi. Kështu, për dy degët me konkurs të Universitetit Politeknik të Tiranës, Arkitekt dhe Urbanist, kjo e fundit do të ofrohet për herë të parë gjatë vitit të ri akademik, Matura do të zërë 40% të pikëve totale, ndërsa konkursi 60%. Pikët maksimale që duhet të marrë një maturantë në konkursin për Arkitekt dhe Urbanist janë 65. Për degën Edukim Fizik e Sporte në Universitetin e Elbasanit dhe të Shkodrës, përqindja e Maturës dhe e konkursit do të jetë 50 me 50, dhe pikët maksimale të konkursit 70. Po kaq do të jenë pikët e konkursit edhe për degën Pikturë-Grafikë pranë Universitetit të Shkodrës, ndërsa raporti Maturë-konkurs do të jetë 40% për të parën dhe 60% për të dytin. Për tri degët e Universitetit të Durrësit, Menaxhim i Bankave, Menaxhim Hoteleri-Turizëm, Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, pesha e pikëve të Maturës do të jetë shumë herë më e lartë krahasuar me programet e tjera, çka do të thotë se për të fituar në to do të vlejnë më shumë notat e provimeve, sesa pikët e testit special. Kështu, për këto tri degë, Matura do të zërë 80% të pikëve totale dhe konkursi 20%, ndërkohë që pragu minimal i pikëve të konkursit do të jetë 40 dhe ai maksimal 100. Për Universitetin e Arteve, përqindja e Maturës me konkurset është vlerësuar njëlloj për të gjitha degët, dhe raporti i pikëve është 70 me 30. Po i njëjtë është edhe vlerësimi i testit special për programet e Arteve, pasi për çdo degë, pikët minimale të konkursit do të jenë 60 dhe ato maksimale 240. Së fundi, për dy degët e Universitetit të Sporteve, Shkenca të lëvizjes dhe Fushat e veprimtarisë fizike të shëndetit dhe rekreacionit, Matura do të ketë vlerë të barabartë me konkursin në llogaritjen e pikëve, pra 50% me 50%, ndërsa testi special do të ketë 70 pikë në total. Specialistë të arsimit u kërkojnë maturantëve që do të konkurrojnë për degët me konkurs që të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e preferencave në Formularin A2. Sipas tyre, maturantët që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs si Arte, Sporte, Arkitekturë, FASTIP etj. dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë. Për këto programe studimi në procesin e llogaritjes së pikëve të maturantit merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit.