zirina llambro

Publikohet paketa e dytë e shpjeguesve të programeve orientuese për provimet me zgjedhje. Me anë të një konference për shtyp, Ministria e Arsimit sqaroi mënyrën si do orientohen maturantët. "Shkollat tashmë janë njohur me programet orientuese dhe ky material sintetik dhe i ilustruar ka shembuj për çdo linjë dhe nënlinjë, duke krijuar modele të pyetjeve që do të jenë në testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore", tha këshilltarja për marrëdhëniet me publikun në MASH, Albana Mustafaraj. Shpjeguesin e programeve të orientuara, të gjithë kandidatët mund ta gjejnë në web-sitin e MASH, me adresë www.mash.gov.al. Ai përmban tabela të ndërtimit të testit për çdo profil shkolle. Shpjeguesi i programit të orientuar do të shërbejë për të ndihmuar sa më mirë të gjithë maturantët, në përgatitjen e tyre për provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Testet e lëndëve me zgjedhje do të përmbajnë 20 pyetje. Prej tyre, 10 me alternativa. Përgjigjja e saktë e çdo pyetjeje të tillë vlerësohet me nga 1(një) pikë. Dhjetë pyetjet e tjera janë me zhvillim dhe kanë së bashku, gjithsej 30 pikë. Vlerësimi maksimal për 20 pyetje do të jetë 40 pikë. Shpërndarja e pyetjeve në test do të bëhet sipas linjave të programit dhe përqindjes që zë secila linjë në programin lëndor orientues të Maturës Shtetërore. Testet do të jenë me tre nivele vështirësie dhe do të ketë pyetje për të gjithë grupet e nxënësve. Në shpjeguesit e programeve orientuese ka modele testesh dhe pyetjesh që mund të bien në provim. Me anë të tyre, maturantët do të ushtrohen për të dalë sa më mirë në provimet.
Provimet
Tashmë kanë mbetur më pak se 3 javë nga mbyllja e vitit shkollor, më 21 maj. Më tej, nxënësit do t'i nënshtrohen provimeve. Lëndën e Letërsisë, do ta japin më 1 qershor, ndërsa Matematikën në datën 15 qershor. Pas kalimit me sukses të provimeve me detyrim, nëse duan të ndjekin një shkollë të lartë, ata duhet të japin edhe lëndët me zgjedhje në datën 30 qershor. Disa ditë më parë, Drejtoria Arsimore, me anë të një udhëzimi të posaçëm u ka kërkuar shkollave të mesme të intensifikojnë konsultimet me nxënësit. Po kështu, kreu i MASH, Myqerem Tafaj, në urdhrin e tij të lëshuar më 15 shkurt, ka kërkuar të publikohen në ambiente të dukshme grafikët e konsultimeve. Ai u bëri apel nxënësve që të mos futen në kurse private, pasi me të gjithë materialin orientues që do t'u vihet në dispozicion, këto kurse nuk u shërbejnë. Por pavarësisht këtyre kërkesave, në gjimnazet e kryeqytetit janë me dhjetëra maturantë që kanë pakënaqësi nga konsultimet. Disa prej tyre shkojnë edhe më tej, duke hedhur akuza se mësuesit i detyrojnë të kryejnë konsultime me pagesë për lëndët që do japin provim. Pasi të japin 2 provimet e maturës, rreth 28 mijë maturantë do të garojnë me anë të pikëve për në shkollat e larta publike. MASH ka bërë me dije se do të jenë shtatë teza të ndryshme provimesh, sipas profilit të shkollave me tri nivele vështirësie. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje për nxënësit e dobët. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20 për qind hapësirë në test.

Lëndët me zgjedhje

1. Kimi
2. Biologji
3. Fizikë
4. Histori
5. Gjeografi
6. Ekonomi-Filozofi
7. Njohuri për shoqërinë
8. Anglisht
9. Gjermanisht
10. Italisht
11. Frengjisht
12. Spanjisht