Botohen përgjigjet për shtatë testet e provimit të parë të detyruar. Maturantët që kanë kopjuar humbasin për dy vjet shkollën e mesme


Jonida Tashi



Merr fund brenda 24 orëve ankthi i rreth 40 mijë maturantëve për të mësuar se sa saktë i janë përgjigjur pyetjeve të provimit të Letërsisë. Pasditen e djeshme Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA), ka publikuar përgjigjet e kërkesave (pyetjeve) të testit të Gjuhë-Letërsisë. Gazeta boton sot testet e sakta për të gjitha profilet e gjimnazeve, me të cilat janë testuar maturantët. Në provim morën pjesë gjithsej 38 499 maturantë dhe u testuan për 7 lloje të ndryshme testesh të Gjuhë-Letërsisë. Sipas Ministrisë së Arsimit, 2500 administratorë të provimit (AP) mbikëqyrën maturantët në 282 mjediset e provimit, të përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 të paradites së djeshme dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Ashtu si edhe vitet e kaluara, maturantët u testuan krahas njohurive për Letërsinë, edhe për Gjuhën shqipe. Teza përbëhej nga 25 pyetje, 13 prej të cilave me alternative dhe 12 me zhvillim, ku nxënësit testoheshin për njohuritë që kanë marrë në Letërsi dhe në Gjuhën shqipe në masën 33 për qind. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, rezultatet e provimit do të publikohen brenda një harku kohor prej 15 ditësh. Por këtë vit, ndryshe nga maturat e kaluara, nëse një maturant kapet duke kopjuar, nuk do të humbasë një vit shkollor, por edhe vitin pasardhës. Pas mbarimit të provimi, që është zhvilluar në kushte të rrepta sigurie, vetë maturantët thanë se ai ishte i lehtë e deri diku mesatar, për njohuritë që ata kishin marrë gjatë gjimnazit. Testet e plotësuara nga maturantët janë nisur që pas mbarimit të provimit drejt shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, ku do të shpërndahen për tu korrigjuar në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.







3 Qershor 2009