Botohen listat e plota me notat për gjimnazistët e Tiranës. Skandali, nga 39 mijë maturantë vetëm 14 kanë marrë pikët maksimale


Jonida Tashi



Shpallen zyrtarisht rezultatet e provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore për lëndën Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Gazeta boton sot notat që kanë marrë në këtë provim maturantët e gjimnazeve të kryeqytetit. Pasditen e djeshme, një pjesë e mirë e këtyre gjimnazeve kanë afishuar në ambientet e tyre listat zyrtare me notat e provimit të Letërsisë.

Niveli

Siç shihet edhe nga listat e publikuara, niveli i maturantëve në këtë provim ka qenë mesatar. Ndërsa përsa u përket nxënësve të dalluar, në këtë provim ata duket se kanë qenë të paktë. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se vetëm 14 maturantë në rang vendi kanë arritur të marrin pikët maksimale në provimin e Letërsisë, 49 pikë nga 50 në total që kishte provimi. Krahasuar me një vit më parë, shifra e mësipërme tregon një rënie të ndjeshme të maturantëve që kanë grumbulluar pikët maksimale në provimin e Letërsisë, të cilët në Maturën 2008 kanë qenë afro 30. Ditën e sotme, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) do të evidentojë zyrtarisht se sa nxënës nuk kanë mundur ta kalojnë me sukses provimin e parë të Maturës, si dhe detaje të tjera lidhur me rezultatet në shkallë vendi. Mesditën e djeshme Ministria e Arsimit njoftoi daljen e rezultateve të provimit të detyruar të Maturës Shtetërore 2009 për lëndën Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Sot, të gjitha gjimnazet në vend do të afishojnë në ambientet e tyre listat zyrtare me notat e maturantëve. Shpërndarja e rezultateve të provimit të Letërsisë filloi pas orës 13:00 të ditës së djeshme. Fillimisht rezultatet janë dërguar nëpër drejtoritë rajonale dhe zyrat arsimore, prej ku do të nisen për afishim në shkollat e mesme. Në provimin e parë të detyruar të Maturës Shtetërore 2009, Letërsi dhe Gjuhë shqipe, morën pjesë 38 499 nxënës.

Rishikimi

Vetëm katër ditë kohë në dispozicion pas përfundimit të çdo provimi do të kenë maturantët për të dorëzuar kërkesën e rivlerësimit të testit, kundrejt pagesës prej 400 lekësh. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij. Për këtë, brenda katër ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së tarifës së përcaktuar. Vetëm për të kërkuar fotokopjen e testit të provimit, maturantët duhet të paguajnë 400 lekë, ndërsa nëse vërejnë gabime në korrigjim dhe kërkojnë rivlerësim, duhet të paguajnë dhe 1200 lekë të tjera. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, për të kërkuar rivlerësimin e njërit prej katër provimeve të Maturës, maturantët duhet të nxjerrin nga xhepi 1600 lekë. Edhe më e madhe bëhet kostoja e rivlerësimit të testeve për ata maturantë, të cilët do të kërkojnë që kjo procedurë të kryhet për katër provimet. Në këtë rast, kostoja financiare që duhet të paguajnë maturantët është plot 6400 lekë. Në rastin më të mirë, kur maturantët pas rivlerësimit të testit do të marrin një notë më të lartë se e para, shpenzimi i lekëve për këtë proces do të ishte i vlefshëm. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ndodh edhe e kundërta, që maturantët edhe pas rivlerësimit të marrin po atë notë që kanë pasur në fillim. Pikërisht për këtë arsye, secili prej maturantëve që do të kërkojë rivlerësim të testit të provimit duhet të jetë mëse i bindur për mënyrën se si u është përgjigjur pyetjeve duke u bazuar edhe në testin e zgjidhur të provimit, që është publikuar pas përfundimit të çdo provimi.







17 Qershor 2009