20/07/2009  Përfundojnë korrigjimet e lëndëve me zgjedhje. Roli i notës mesatare për të caktuar fituesit


Përfundon korrigjimi i provimeve me zgjedhje, rezultatet e të cilave lejojnë maturantët të hyjnë në garën e konkurrimit për marrjen e të drejtave të studimit në universitete sipas kuotave të përcaktuara për vitin e ardhshëm akademik. Burime pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve kanë bërë të ditur se katër qendrat i kanë përfunduar vlerësimet, ku çdo test ka kaluar në korrigjimin e dy mësuesve të ndryshëm. Menjëherë sapo këto rezultate të sillen në qendrën e kryeqytetit, do të bëhet konvertimi i pikëve përkatëse në notë sipas skemës unike, tashmë të përcaktuar në rang kombëtar. Ndërsa gjatë tri ditëve të ardhshme institucioni përkatës, APRIAL, do të bëjë bashkërendimin e rezultateve të arritura në këtë provim me identitetin e maturantit. Në mbyllje të javës, e konkretisht ditën e premte, është pohuar se do të bëhet afishimi i rezultateve të arritura nga çdo maturant që ka garuar për të hyrë në universitet. Pas kryerjes së kësaj procedure pritet të nisë dhe procesi i përllogaritjes së komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore 2009, nëpërmjet së cilës bëhet listimi i kandidateve fitues sipas kuotave të aprovuara për çdo universitete publik që do të çelet gjatë vitit akademik 2009-2010.


Mesatarja


Përkundrejt rezultateve të arritura në të katër provimet e maturës peshë të veçantë në përzgjedhjen e fituesve do të luajë edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Nota mesatare është nota e të katër ose pesë vjetve të studimit që ka mbaruar kandidati, që vendoset në dëftesën e pjekurisë së maturantit në përfundim të shkollës së mesme. Për nxënësit që kanë mbaruar vitet e kaluara shkollore (2006–2007, 2007–2008), do të merret nota mesatare e shënuar në dëftesë, ndërsa për nxënësit që kanë mbaruar para vitit 2007, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë vjetve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Në shkolla janë dëftesat origjinale për ata që kanë plotësuar formularin A-1, të cilat do të shërbejnë për nxjerrjen e notës mesatare. Përzgjedhja e fituesve do të bazohet në bazë të pikëve të grumbulluara nga ky proces përllogaritës. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara, ku në këtë listë evidentohen dhe fituesit.


Ndarjet


Për programet e studimit të Akademisë së Arteve Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” për programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës dhe të Universitetit të Elbasanit, për programin e studimit “Arkitekturë” të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe për programin e studimit “Pedagogji e specializuar” e Universitetit të Vlorës merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit. Për programet e studimit të mësipërme përveç programit të studimit “Pedagogji e specializuar” nuk merren në konsideratë rezultatet e provimeve me zgjedhje.


Fituesit


Përcaktimi i kandidatëve fitues bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në formularin A-2. Fillimisht kontrollohet preferenca 1. Nëse aty jeni fitues, shpalleni për regjistrim në universitet. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën 10. Sipas rregullores, maturantët do të shpallen fitues vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. Specialistët pohojnë se kandidatët do të jenë fitues vetëm në një program studimi: në atë të preferencës më të lartë. Një kandidat mund ta shohë veten në fillimet e listës në disa programe studimi, por do të jetë fitues vetëm në atë program studimi, që i takon preferencës së tij më të lartë.