Formulari A2 është shpërndarë vetëm në ato shkolla që i kanë bërë kërkesë drejtorisë arsimore për t’u pajisur me to

Formulari A2 është shpërndarë sot vetëm në ato shkolla që i kanë kërkuar drejtorisë arsimore të pajisen me to. Kjo do të thotë që pas publikimit të formularit të preferencave në ueb sajtin e Ministrisë së Arsimit, çdo gjimnaz ka të drejtë ta kërkojë atë, për t’jua treguar nxënësve. Edhe pse drejtoritë e shkollave të mesme janë pajisur me formularët A2, nxënësit nuk kanë të drejtë ta plotësojnë atë, deri në momentin që do të jenë të bindur plotësisht për të bërë përzgjedhjen përfundimtare të degëve të preferuara. çdo nxënës ka të drejtë ta shohë formularin e preferencave. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kjo praktikë është propozuar për të mirën e maturantëve, në mënyrë që të mos gabojnë mbi formularin origjinal, duke mos pasur më të drejtë për të fituar një mundësi të dytë.


Përmbajtja

Sipas MASH-it, maturantët do të duhet të përzgjedhin 10 preferenca në formularin A2, ku janë të listuara më shumë se 225 programet që do të ofrojnë universitetet publike për vitin e ri akademik 2010-2011. Nxënësit do ta bëjnë renditjen e preferencave nëpërmjet një rendi zbritës, duke filluar nga dega më e preferuar e deri tek ajo më pak e pëlqyera.


Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, përcaktimi i kandidatëve fitues do të bëhet pas llogaritjes së pikëve përkatëse për të dhjetë preferencat e listuara në formularin A2.
Shpërndarja e formularit ka kaluar nga APRIAL-i, drejt drejtorive arsimore, të cilat më pas bëjnë dorëzimin e tyre pranë drejtorive të shkollave të mesme. Kjo bëhet e mundur vetëm nëpërmjet një kërkese që vetë shkollat i bëjnë drejtorisë arsimore.


Bazuar në rregulloren e maturës shtetërore, parashikohet se maturantët do të kenë një afat kohor prej 10 ditësh për plotësimin e tij. Pas “skadimit” të këtij afati, nxënësve do t’ju duhet ta dorëzojnë formularin e plotësuar në drejtoritë përkatëse të shkollave. E njëjta procedurë do të kërkohet të kryhet edhe nga ata kandidatë që do të aplikojnë për të qenë studentë në Akademinë e Arteve, në degën e Arkitekturës apo në Universitetin e Sporteve. Konkursi i pranimit për këta maturantë do të zhvillohet gjatë javës së parë të muajit shtator.


Pikët sipas profileve

Sipas MASH-it, maturantët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në renditjen e degëve që janë parashikuar në formularin A2. Kjo do të thotë që, përpara se ata të kenë përcaktuar definitivisht degët e tyre të preferuara, duhet të respektojnë profilin e shkollës së mesme. Kjo praktikë pune, sipas MASH-it, do t’i ndihmojë ata që të bëjnë disa llogaritje paraprake, nëpërmjet të cilave do të kuptojnë se në cilat degë mundësia për të fituar është më e madhe. Në këtë mënyrë ata do të mund të grumbullojnë më shumë pikë sesa po të listojnë degë të profilit të kundërt, qoftë ai shkencor apo shoqëror.


Rregullorja e MSH-së parashikon që, nëse maturanti zgjedh fakultetin me natyrë të përafërt studimi me profilin që ka ndjekur gjatë viteve të shkollës së mesme, koeficientet janë më të larta. Rrjedhimisht, edhe mundësia e pranimit në universitet do të jetë më e madhe.
Renditja e fituesve edhe për vitin e ri akademik 2010-2011 do të bëhet sipas formulës tradicionale të maturës shtetërore, e cila është (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2). Kjo formulë do t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë një llogari të thjeshtë mbi pikët që mund të fitojnë duke njohur vlerësimet e tyre, pra duke u vetëvlerësuar, me synim evitimin e gabimeve.








#