SHKRUAN: Jonida Tashi 17-05-2011 11:39

Nis më 25 maj “ngujimi” i specialistëve që do të hartojnë tezën e provimit të parë të Maturës, për lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi”, të cilit maturantët në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen në ditën e parë të muajit qershor. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2011 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përzgjedhës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Pas përzgjedhjes së testit, do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testbroshurave nga AKP. Ndërkaq, periudha kohore e ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për lëndën “Gjuhë shqipe dhe Letërsi” do të jetë nga 25 maj - 01 qershor 2011. Lista e punonjësve të AKP-së, të cilët do të përfshihen në KOEPS për secilën periudhë, do të miratohet nga drejtori i përgjithshëm i AKP-së. Këtë vit, ndryshe nga më parë, specialistët e lëndëve përkatëse në AKP do të futen në KOEPS një ditë më pas nga datat e përcaktuara. Ata hartojnë së bashku me PTP skemat e vlerësimit të testeve dhe ndihmojnë më tej proceset e tjera të formatimit, shumëfishimit dhe shpërndarjes së testeve. Një ditë para se të nisë izolimi për hartimin e tezës së parë të Maturës, në datën 24 maj, që është edhe dita e fundit e shkollës për maturantët, do të dalin edhe emrat e mbetësve. Sipas afateve të vendosura nga MASH, çdo DAR/ZA duhet të dërgojë brenda datës 24 maj 2011 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) emrat e nxënësve maturantë mbetës në përfundim të vitit, për t’u hequr nga lista e provimeve të Maturës Shtetërore.


Testi


Testi i Letërsisë dhe i Gjuhës shqipe do të përbëhet nga dy pjesë dhe secila prej tyre ndërtohet mbi një fragment. Testi, që në total do të vlerësohet me 50 pikë, do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 janë me alternativa dhe 12 me zhvillim. Ndërkohë që njëra nga pyetjet me zhvillim është ese. Kohëzgjatja e provimit është 2 orë e 30 minuta. Përsa i përket përmbajtjes, testi do të përshtatet me drejtimin e gjimnazit ose llojin e shkollës së mesme. Pyetjet e testit lidhen me fragmente veprash nga autorë të përcaktuar në programin e orientuar. Në të njëjtën kohë, konceptet mbi të cilat ndërtohen pyetjet janë ato që dominojnë në programin e orientuar si dhe në të gjitha llojet e teksteve me të cilat punohet në shkollën e mesme. Më konkretisht, secila pjesë e testit përmban: fragmente veprash ose pjesë letrare të periudhave ose gjinive të ndryshme letrare; pyetje bazuar në një pjesë të tekstit; pyetje që kërkojnë shpjegime, zëvendësime, komente, krahasime, analiza, interpretime, perifrazime etj; pyetje që kërkojnë nxitjen e imagjinatës dhe fantazisë së nxënësit; pyetje që kërkojnë përgjigje krijuese. Testi i Gjuhës shqipe ka si qëllim vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme, formimin letrar dhe gjuhësor të tyre. Ai do të ndërtohet duke u mbështetur në linjat e përmbajtjes, të përshkruara në programin e orientuar të Letërsisë dhe të Gjuhës shqipe, si dhe pasqyron peshën përkatëse, që secila prej tyre ka paraqitur hollësisht në këtë program, që është në duart e çdo nxënësi maturant. Përsa i përket llojit të pyetjeve në test, ato do të jenë me alternativa, me përgjigje të shkurtër dhe me zhvillim.