Sot do të bëhet afishimi i rezultateve të arritura nga çdo maturant që ka garuar për të hyrë në universitet. Pas kryerjes së kësaj procedure pritet të nisë dhe procesi i përllogaritjes së pikëve. 

TIRANE- Ka përfunduar korrigjimi i provimeve të lëndëve me zgjedhje, të cilave iu nënshtruan rreth 38 mijë maturantë në shkallë vendi. Sipas informacioneve të marra nga APRIAL, për “GSH” rezultatet do të dalin sot.

Maturantët mund t’i marrin rezultatet nëpër gjimnazet ku kanë kryer studimet. Me publikimin e rezultateve të këtyre provimeve, pritet që së shpejti të përcaktohen dhe fituesit e të drejtave të studimit në 11 universitetet publike të vendit, sipas kuotave të përcaktuara për vitin e ri akademik. Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) ka bërë të ditur se, katër qendrat e korrigjimit kanë përfunduar vlerësimet që një javë më parë. Por, këto rezultatet janë sjellë në qendrën e kryeqytetit, ku është bërë konvertimi i pikëve përkatëse në notë sipas skemës unike, tashmë të përcaktuar në rang kombëtar. Ndërkohë që pasi përfundoi konvertimi i pikëve në notë, institucioni përkatës, APRIAL, ka bërë bashkërendimin e rezultateve të arritura në këtë provim me identitetin e maturantit.

Sot do të bëhet afishimi i rezultateve të arritura nga çdo maturant që ka garuar për të hyrë në universitet. Pas kryerjes së kësaj procedure pritet të nisë dhe procesi i përllogaritjes së komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore 2009, nëpërmjet së cilës bëhet listimi i kandidatëve fitues sipas kuotave të aprovuara për çdo universitet publik që do të çelet gjatë vitit akademik 2009-2010. Veç rezultateve të arritura në të katër provimet e maturës, peshë të veçantë në përzgjedhjen e fituesve do të luajë edhe nota mesatare e shkollës së mesme. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara, ku në këtë listë evidentohen dhe fituesit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)