Autori i Lajmit: red.
Maturantët mbyllën dje ciklin e Maturës Shtetërore 2009 duke dhënë testimin e fundit. Dje u zhvillua me sukses provimi i fundit, ai i lëndëve me zgjedhje, ne të cilin morën pjesë vetëm nxënëit që kanë kaluar dy provimet e detyruara dhe duan të vijojnë studimet universitare. Provimi zgjati 4 orë dhe u zhvillua nën mbikqyrjen e 2.700 administratorëve. Në provim morën pjesë 39. 570 maturantë. Korrigjimi i testeve do të bëhet ditën e diel, më 12 korrik 2009, në 4 qendra të vlerësimit Tiranë, Shkodër, Fier dhe Elbasan. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2009 përmbanin për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Dje pasdite në faqen e internetit të MASH-it (ëëë.mash.gov.al ) u publikuan përgjigjet e pyetjeve të lëndëve me zgjedhje ndërsa rezultatet e këtyre provimeve do të dalin jo më vonë se 2 javë pas ditës së provimit, pra më datë 24 korrik 2009. Ashtu si edhe në provimet e lëndëve të detyruara, në orën 22.00 të ditës së enjte, filloi shpërndarja e testeve nga Agjensia Qëndrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore. Sipas një grafiku të caktuar, zonat më të thella i tërhoqën të parat testet e provimit. Shpërndarja filloi me Tropojën, për të përfunduar me Tiranën, në orën 6.00 të mëngjesit të sotëm. Të gjitha makinat që kryen transportin drejt Drejtorive Arsimore Rajonale u shoqëruan nga Policia e Shtetit. Provimet me zgjedhje, janë prova e fundit e Maturës Shtetërore dhe bashkë me dy provimet e detyrueshme dhe mesataren e shkollës së mesme, përbëjnë pesë komponentët e rezultatit për pranimin në Institucionet publike të Arsimit të Lartë. Ndërkohë kujtojmë të gjithë maturantët se dorëzimi i formularit A2 nëpër shkolla do të kryhet deri me datën 13 Korrik 2009. Të gjithë ata maturantë që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe nuk kan plotësuar formularin A1Z, që do të thotë se nuk figurojnë në bazën e të dhënave, duhet të drejtohen në Agjencinë Kombëtare të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, pra AVA në Tiranë, për t u regjistruar për formularin A2 deri në datën 20 korrik 2009. Plotësimi i formularit A2 është i detyrueshëm edhe për të gjithë ata kandidatë që duan të konkurojnë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi” dhe programet e studimit të Edukimit Fizik e Sporteve në universitetet e Shkodrës dhe Elbasanit, krahas regjistrimit në konkurse përkatëse që ata kanë kryer pranë këtyre institucioneve.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2009