13-04-2012 / Gazeta 55

Gent Strazimiri, deputet i PD-së

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri tha dje se mazhoranca është solide dhe kjo u konfirmua edhe në votimin për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Strazimiri e cilësoi votimin në parlament për zgjedhjen e Elvis Cefës, në përputhje të plotë me rregulloren e Kuvendit.
Sipas deputetit demokrat opozita bëri përpjekje për të bllokuar votimin, ndërsa tha ai parlamenti funksionon pavarësisht deklaratave të Ramës.
“Në deklaratat e Ramës nuk ka asgjë thelbësore me të cilën mund të merremi. Ai tha 5-6 batuta në konferencë dhe asgjë politike”, shpreh Strazimiri.
Lidhur me kandidaturën e PS për KLD-në, deputeti demokrat tha se profili i kësaj kandidature ishte i papërshtatshëm për një institucion të rëndësishëm që në thelb ka rregullimin e sistemit gjyqësor.
Gjithashtu, Strazimiri i kujtoi Edi Ramës se mazhoranca është e fortë dhe solide dhe këtë e tregon çdo ligj që votohet në seancë, pavarësisht provokimeve që vijnë nga dëshpërimi i lidershipit socialist.
“Çdo ligj që miratohet në parlament, është test për këtë shumicë. Ligjet që miratohen kërkojnë votën e mazhorancës, por PD s’mund të kalojë në test sa herë e kërkon dikush i ngacmuar nga dëshpërimi i tij politik”, tha më tej Strazimiri.

...