Xhelal Veizi, fermer në fshatin Taç të Kolonjës, rrëfen përpjekjet e tij për një rezervat disahektarësh për derrat





KOLONJË - Xhelal Veizi ka rreth 29 derra të egër, të cilët i mbarështron. Jeta e tij në fshatin Taç të Kolonjës mund të linte shumë për të dëshiruar nëse ai nuk do të kishte vullnetin për ta quajtur veten fermer dhe për të vepruar në përputhje me emrin e tij. Gjuetia është një ndër pasionet e shumta të fermerit.





Ai tregon se si në një ndër rastet e shumta te gjuetisë, në Qesarakë të Kolonjës, zonë e Shëntirit, kapi të gjallë një këlysh derri të eger. "Ishte i vogël, - kujton ai,- sa një nuse lale dhe peshonte rreth 2 kg kur e kapa.





Ishte tepër i egër e mosbesues, por më pas u mësua me mua pasi e ushqeja me dorën time". Fillimisht Xhelali i jepte derrit vetëm qumësht lope dhe më pas me ushqime më kalorifike në përshtatje me kërkesat për ushqim që ka një kafshë e këtij lloji.





Derri u rrit, por nga zakonet e egra ai kishte harruar vetëm tërbimin ndaj fermerit që e ushqente. Vetëm ai mund të futej brenda rrethimit metalik e ta ushqejë me dorën e tij. Të tjerë nuk pranonte. E njëjta gjendje vazhdon edhe sot kur derri femër, i pagëzuar me emrin "Tigër", i kalon në peshë 170 kg. Fermeri rrëfen se pasi derri femër u rrit, ai vendosi ta çiftojë.



Një mik i tij pranë Leskovikut, kishte kapur një derr të egër mashkull pranë kufirit shtetëror me Greqinë dhe e kishte rritur në kafaz. Për ta transportuar pa problem ai ndërtoi një kafaz metalik të posaçëm, kafaz që e ruan ende në oborr. Pas ndërzimit dosa e egër me emrin "Tigër" polli 6 këlyshe, nga të cilët 3 i ngordhën, 3 të tjerët mbijetuan. Nga këto ai krijoi kushte për të shtuar "kopenë e egër të derrave".



Projekti për një rezervat të veçantë





Vullneti duket se nuk i ka munguar Xhelal Veizit gjatë jetës së vet. Dhe as iniciativa. Kështu, pranë vendbanimit të tij kalon "Përroi i Thanës" për të cilin fermeri ka hartuar një projekt të veçantë.





Ai thotë se ka në plan dhe do ta rrethojë sipërfaqen disahektarëshe të përroit me rrjeta metalike, ndërsa do të betonojë edhe nëntokën për bazamentet e rrjetave në një thellësi prej 40 centimetrash. Këtë per shkak se derri i egër është një gërmues "profesionist" i nëntokës.





Ky rezervat per derra të eger do të ketë një kapacitet prespektiv prej 40-50 krerësh, që do të shërbejë si për gjuetarët amatorë të kësaj gjuetie, po ashtu dhe për tregun e mishit, pasi derri i egër është një ushqim mjaft i kërkueshëm në menytë e restoranteve tona.





E njëkohësisht mund të përbëjë edhe një kuriozitet për ata që pëlqejnë natyrën. Një projekt të tillë kishte nisur ta vinte ne jetë edhe një person eksplorator i ekonomisë së tregut nga Gora, por për lepuj të egër. Sidoqoftë, ky është projekt i ndërtuar mbi baza reale...



Derrat e egër





Janë plot 29 derra të mëdhenj e gica të vegjël në shtëpinë e vjetër të fermerit. Mes tyre ka edhe derra te butë (po me ngjyrë të errët) që jetojnë paqësisht me njëri-tjetrin. Ky është një nga eksperimentet e fermerit.





Ai thotë se natën, megjithëse i fut brenda në banesë, derrat dallohen nga mënyra e fjetjes. Të butët shtrihen në sipërfaqe mbi kashtën e hedhur, ndërsa të egrit, të ndikuar nga forca e instinktit, kanë hapur gropë në mes të dhomës dhe shtrihen në fundin e saj.





Vetëm kokat i nxjerrin jashtë. Po t'i afrohet ndonjë i huaj tharkut, derrat e egër egërsohen, ndërsa kur u afrohet Xhelali shfaqin kënaqësinë me hungërima të buta. Një komshi i fermerit thotë se kur rri me ta, kujton frikën që mund të ketë një person i zakonshëm po të ndeshej me një kafshë të tillë në pyll, pasi është kafshë e rrezikshme si një ujk.





Por mësohet se kujdesi duhet të jetë gjithnjë i pranishëm. Një ditë derri i madh ose "Tigri", siç quhet, kishte dalë nga rrethimi i telave, por fatmirësisht fermeri ndodhej në shtëpi dhe e futi sërish brenda. Sikur të mos ndodhej, nuk dihet ç'mund të kishte ndodhur, pasi nga kopshti ai mund të ikte ngado.



Shtëpia e fermerit





Xhelali është njeri i të papriturave. Nëse nisesh për në banesën e tij në lagjen Vishaj të fshatit Taç në afërsi të Ersekës me mendimin se do të takosh një bletërritës, do të zhgënjehesh. Para baneses së tij vëren një koleksion me traktorë Dt 75 të viteve të sistemit të kaluar. Mbi traktorët ka një rrjetë të gjelbër bimësh të harlisura dhe vetë pronari i tyre duke qeshur të thotë edhe diçiturën që mund të shkruhet poshtë tyre "Lulëzon bujqësia socialiste".





Shtëpia e tij është e rrethuar nga një plantacion mollësh dhe vreshtash. Më tej, ka një stallë me pjesë mekanike të përshtatur si ofiçinë ku mirëmban një traktor me goma dhe kamionin. Pas saj ndodhet stalla ku ai ka rreth 10 lopë. Por ndërkohë ai është një nga prodhuesit më të mëdhenj të mjaltit në zonë. Dhe për këtë bleterritësit e kanë zgjedhur edhe kryetar të shoqatës së tyre për rrethin e Kolonjes.





Ndanë banesës kundërmon erë të këndshme rakia e re që po zien. Është raki e fortë kumbulle dhe mjaft e këndshme për gjuetarët në freskinë e vjeshtës. Ai të qeras me kënaqësi. Prezantimi me derrat e egër është e fundit në shtëpinë e tij.