Në spital është vetëm një autoklavë e prishur, krematoriumi djeg kundër rregullave edhe mbetjet trupore

Mbetjet spitalore konsiderohen si një rrezik i përditshëm për jetën e banorëve pranë spitaleve. Madje gazrat që çlirojnë këto mbetje spitalore shkaktojnë në shumë raste kancer të mushkërive, të lëkurës e të organeve të tjera të brendshme. Një studim i kryer nga





Shoqata Kombëtare e Shëndetit Publik, ka nxjerrë në pah të gjitha rreziqet që shkakton djegia pa kriter e në kushte të pa kontrolluara e këtyre mbetjeve në të cilat mund të hyjnë mbetjet trupore, mjetet e mprehta me të cilat janë kryer operacionet, veshjet gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku etj. Sipas të dhënave nga kjo shoqatë problemet e mëdha që kanë mbetjet spitalore dhe keqmenaxhimi i tyre nga drejtuesit e spitaleve vazhdon të shkaktojë rrezik të lartë tek banorët të cilët jetojnë në afërsi të spitalit, për pacientët e për të afërmit e tyre që qëndrojnë në spitale. Pjesë e këtij studimi janë bërë spitalet, si: QSUT-ja, Materniteti "Mbretëresha Geraldinë", Materniteti "Koço Gliozheni", Spitali Universitar i Sëmundjes së Mushkërive "Shefqet Ndroqi" dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) "Hulo Hajderi". Nga të dhënat përfundimtare, një prej specialistëve të kësaj shoqate ka sqaruar se përpunimi i mbetjeve spitalore kryhet pjesërisht në QSUT dhe nuk kryhet në asnjë rast në spitalet e tjera. Sipas specialistit, mbetjet e spitaleve depozitohen njëlloj si të gjitha mbetjet e tjera, në kontejnerët e zakonshëm, kur trajtimi i tyre duhet të bëhet veç të tjerave. Ndërkohë që 25 për qind e këtyre mbetjeve përbëjnë rrezik për jetën e pacienteve në spitale apo për banorët e zonave ku depozitohen. Fajin për krijimin e kësaj situate sipas specialistit e kanë drejtoritë e spitaleve të cilat nuk kujdesen për këtë çështje, pasi baza ligjore për mënyrën e trajtimit të mbetjeve spitalore. Sipas studimit, ka disa mënyra nëpërmjet të cilave mund të bëhet përpunimi i mbetjeve, të cilat aplikohen në disa vende të botës. Por, metoda me Incenerator e cila përdoret në vendin tonë mund të konsiderohet si joefektive. Nga ana tjetër mbetjet trupore të cilat digjen e përpunohen në krematoriumin e QSUT-së janë kohët e fundit një problem tejet i madh pasi në të shumtën e kohës makineria që bën djegjen e tyre ka probleme e defekte e për këtë shkak mbetjet trupore mblidhen bashkë me mbetjet e tjera spitalore e në disa raste digjen bashkë me to. Për këtë problem as Ministria e Shëndetësisë por as Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë masë.


 



Studimi
Qëllimi i studimit të kryer nga shoqata kombëtare e shëndetit ka të bëjë me  vlerësimin e situatës për problemin e mbetjeve spitalore, një problem mjaft i rëndësishëm dhe bashkëkohor për zgjidhjen dhe për trajtimin e mbetjeve si dhe rrugët e zgjidhjes, të cilat të mbështeteshin mbi të dhënat e fundit të eksperiencës botërore në këtë fushë. Sipas këtij studimi situata që realisht sot ekziston në spitalet tona është shumë e keqe. Gjëja e parë ka të bëjë me mungesën e vëmendjes së drejtorive për sa i përket rëndësisë së trajtimit të mbetjeve spitalore.



Problemet
Gjendjen e vështirë të mbetjeve spitalore e ka bërë publike kohë më parë një prej specialistëve të shoqatës kombëtare të shëndetit publik i cili ka deklaruar se ka probleme për sa i përket mënyrës së trajtimit të mbetjeve spitalore, e aktualisht është një Incenerator, i cili vendoset në një mjedis të papërshtatshëm të Qendrës Spitalore Universitare dhe që jo vetëm nuk arrin të trajtojë në mënyrë adekuate mbetjet spitalore që duhet të trajtojë, por në oraret që punon është burim ndotjeje jo vetëm për qendrën spitalore, por dhe për banorët përreth. Probleme të tjera ka dhe në spitalet e tjera, pasi Sanatoriumi ka pasur dikur një kaldajë që e përdorte si vend për djegien e mbeturinave, por pas një periudhe relativisht të gjatë nuk funksionon më për arsye të daljes jashtë përdorimit. Ndërsa, për sa u përket dy materniteteve gjendja është shumë e rëndë pasi ka më shumë mbetje spitalore dhe ato trajtohen bashkë me mbetjet e tjera publike.

Ministria e Shëndetësisë mban peng 6 autoklavat e premtuara për spitalet
Rreth gjashtë muaj më parë Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me USAID, e Bankës Botërore duhet të realizonin projektin për blerjen e 6 autoklavesh makineri të cilat do të kryenin përpunimin e mbetjeve spitalore pa çliruar gaze e pa u shkaktuar probleme banorëve. Por edhe pse ka rreth një muaj që ka kaluar afati, sërish nuk është dhënë asnjë sinjal se kur ky projekt do të realizohet. 6 Aparatet e rinj të teknologjisë së fundit  do të kenë ndër të tjera edhe procesin e grirjes dhe të sterilizimit gjë që do të bëhet sipas normave të caktuara nga BE. Këto aparatura do të shpërndahen në spitalet e qyteteve kryesore në vend si në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza apo në spitalet e qyteteve të tjera të madha si Korça Shkodra, Vlora, Elbasani etj.

Luzati: Ndotja, 13 muaj më pak jetë
Ndotja e ajrit dhe veçanërisht grimcat e pluhurit të cilat depërtojnë deri në qelizat e mushkërive dëmtojnë rëndë organizmin tonë. Sipas specialistëve të shëndetit përveçse ndikojnë  për një sërë sëmundjesh të rrugëve respiratore dhe kardio-vaskulare ato ndikojnë dhe në shkurtimin e jetëgjatësisë me rreth 13 muaj . Nga ndotja e ajrit acarohen klizmat e astmës, acarohen alergjitë dhe mund të shkaktohet kancer. Raporti i fundit i BE-së ka vërtetuar se shkurtohet jetëgjatësia në vendet e Evropës 8.6 deri në 13 muaj, u shpreh Arben Luzati, shefi i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit. Sipas Luzatit për shkak të ndotjes në vendin tonë shkaktohet një humbje prej 4425 ditë pune të personave që janë të detyruar të mos paraqiten për problemet shëndetësore që u shkaktohen nga ndotja. Vendi ynë i kalon me 2-3 herë parametrat e lejuara nga BE të ndotjes së ajrit dhe ky është ndër shqetësimet e organizatës botërore të shëndetësisë për Shqipërinë ,e cila i kërkon institucioneve përkatëse të marrin masat e nevojshme  për të reduktuar nivelin e ndotjes në mbrojtje të shëndetit të popullatës. Sëmundjet që shkaktohen nga ndotja e ajrit janë ato të cilat në të shumtat e rasteve kanë të bëjnë me kancerin e mushkërive numri i të cilëve për një vit arrin 1400 raste nga të cilat 150 prej tyre pësojnë vdekjen. Por nuk mbeten më mbrapa sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kancerit të mushkërive etj. Ajo çka mbetet problematike është se ndotja e ambientit po bëhet një ndër shkaktarët kryesore për rritjen e sëmundshmërisë Polmonare por dhe shkaktimin e kancerit të mushkërive por nga ana tjetër specialistët theksojnë se nga sëmundjet kryesore të cilat shkaktohen nga ndotja e mjedisit janë bronkopneumopatia kronike obstruktve e mushkërive pneumokoniozat të cilat janë të ndryshme sipas llojit të ekspozimit Kanceri i mushkërive Astma etj. Sipas specialistëve të mjedisit vetëm nga ndotja e ajrit nga pluhurat e imëta në zonën Tiranë-Durrës sëmuren çdo vit 1000-1500 persona. Por edhe studimi më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik i kryer në 6 qytete të ndryshme të vendit, ka treguar se shqiptarët tashmë janë të rrezikuar se kurrë ndonjëherë në shëndetin e tyre jo më nga pluhuri i zakonshëm, por nga bloza e dalë nga makinat. Në qytetet më të ndotura në vendin tonë është Tirana, e cila zë vendin e parë si për grimcat e ngurta ashtu edhe për blozën dhe benzenin. "Zonat më të ndotura në Tiranë janë zonat pranë kryqëzimeve, si qendra e kryeqytetit, "21 dhjetori", pika pranë Ambasadës Italiane dhe zona e ish-Bllokut


 



Arta AGOLLI