SHKRUAN: Jonida Tashi 21-05-2011 11:15

Universiteti i Tiranës hap regjistrimet për mbrojtjen e anglishtes, për të dy testet e njohura ndërkombëtarisht TOEFL ITP dhe TOEIC, që do të ofrojë ai për certifikimin e kësaj gjuhe. Universiteti i Tiranës (UT) bën të ditur se të dy këto teste ndërkombëtare të gjuhës angleze janë të vlefshëm për marrjen e diplomës Master ose Doktoraturë. Ndërkohë që studentët mund të regjistrohen në secilin prej tyre dhe t’i japin ato disa herë deri sa të marrin pikët e duhura për t’u kualifikuar në nivelet e përcaktuara nga MASH. Përsa i përket vlefshmërisë së certifikatave, UT sqaron se testi i TOEFL ITP vlen për një periudhë 2-vjeçare, ndërsa ai i TOEIC është i vlefshëm gjatë gjithë jetës. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm për shtyp, Universiteti i Tiranës ka shpjeguar se testi i TOEFL ITP shërben për të matur nivelin e zotërimit të gjuhës angleze nga ai mesatari deri tek i avancuari, për kompetencat e të dëgjuarit, të shkruarit dhe të lexuarit. Ai është i përdorshëm për qëllime akademike në drejtime si: pranimi në institucione të ndryshme; përfundimi i një kursi studimi, përmbushja e detyrimit të diplomimit, vlerësimin e progresit etj. Testi i TOEFL ITP përbëhet nga testet e TOEFL-it (paper-based) të administruara më parë. Në anën tjetër, testi i TOEIC vlerëson zotërimin e gjuhës angleze në biznesin ndërkombëtar në nivelet mesatare dhe të avancuara. Ai teston kompetencat e të dëgjuarit, të lexuarit dhe ato gramatikore të kandidatit. Për t’u ardhur në ndihmë studentëve të interesuar për mbrojtjen e anglishtes, UT bën të ditur se ka ndërmarrë hapa konkretë për ngritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës së nevojshme në drejtim të lehtësimit të procedurave për ta. Për këtë qëllim, UT ka hapur në godinën e ish-Kinoklubit të Qytetit Studenti zyrën e UT-ETS, që tashmë është funksionale Kjo zyrë qëndron e hapur nga e hëna deri të premten dhe u ofron të gjithë studentëve informacion mbi testet e anglishtes të ofruara nga UT, procedurat e regjistrimit në secilin prej tyre si dhe detaje të mëtejshme mbi datat e provimeve të gjuhës angleze. Gjithashtu, UT njofton se një informacion më të detajuar mbi testet e anglishtes që ofron Universiteti i Tiranës, tarifat për çdo provim, materialet përgatitore si dhe disa modele të testeve të mëparshme do të gjendet edhe në faqen zyrtare të internetit: www.ut-ets.edu.al, që të jetë funksionale brenda muajit maj. Në kuadër të iniciativës së ciklit të seminareve të hapura për “Inkurajimin e Karrierës”, UT ka filluar javën e promovimit të UT-ETS në të gjitha fakultetet e tij. Studentët e Universitetit të Tiranës janë duke u informuar në lidhje me zyrën e UT-ETS, testet e TOEFL ITP & TOEIC si dhe procedurat e mëtejshme të regjistrimit për testin e TOEFL ITP dhe TOEIC.



TOEFL ITP shërben për të matur nivelin e zotërimit të gjuhës angleze, nga ai mesatar deri tek i avancuari



TOEIC vlerëson zotërimin e gjuhës angleze në biznesin ndërkombëtar në nivelet mesatare dhe të avancuara



Marrëveshja


TOEFL ITP dhe TOEIC, ekskluzivitet i UT


Më 5 prill 2011 Universiteti i Tiranës nënshkroi zyrtarisht Memorandumin e Bashkëpunimit me partnerin e njohur ndërkombëtar ETS Global për marrjen e të drejtës së certifikimit të gjuhës angleze për të gjithë studentët shqiptarë. Të dy institucionet ranë dakord në drejtim të ndërtimit të një partneriteti afatgjatë për ofrimin e testeve të gjuhës angleze. Ky bashkëpunim vjen menjëherë pas ndryshimeve të reflektuara në Ligjin e Arsimit të Lartë në Shqipëri, veçanërisht në drejtim të përcaktimit të detyrimit të marrjes së testit ndërkombëtar të gjuhës angleze gjatë ndjekjes së studimeve pasuniversitare Master dhe Doktoraturë. Në bazë të marrëveshjes, Universiteti i Tiranës ka të drejtën ekskluzive të ofrimit në të gjithë vendin të dy testeve të njohura ndërkombëtarisht TOEFL ITP dhe TOEIC (në formatin paper-based). Ky partneritet ka krijuar mundësi dhe kushte të tjera lehtësuese në drejtim të ofrimit të testeve të standardizuara të gjuhës angleze në një kosto më të ulët për të gjithë studentët shqiptarë. Bashkëpunimi do të vijojë edhe në drejtim të ofrimit të shërbimeve të tjera të standardeve ndërkombëtare që ofron ETS Global.