Ferdinand Dervishi

Jemi në Shqipërinë komuniste të vitit 1954, kur ende nuk ka përfunduar gjyqi ndaj grupit të Hamit Matjanit dhe Zenel Shehut, të desantuar nga shërbimi sekret amerikan me qëllim organizimin e një revolte popullore antikomuniste. Dihet që ky grup ra në duar të kundërzbulimit shqiptar falë radiolojës së njohur me emrin e koduar “Liqeni i Vajkalit”. Zenel Shehu dhe Hamit Matjani ishin njerëz të besuar të Mbretit Zog, që në këtë rast, të vetëm mbase, bashkëpunuan me amerikanët për të tentuar përmbysjen e pushtetit të komunistëve në Tiranë. Të kapur nga Sigurimi i Shtetit, Zenel Shehu dhe Hamit Matjani i’u nënshtruan një gjykimi ushtarak në Tiranë, por gjithsesi vendimet për fatet e tyre janë marrë nga krerët më të lartë komunistë shqiptarë, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku dhe Hysni Kapo. Në një takim, këta vendosin, duke u “kursyer” punë prokurorit edhe gjykatësve, se cili duhet të jetojë dhe cili jo nga ky grup, madje edhe cili duhet të varet dhe cili duhet të pushkatohet. Por përgjatë kësaj bisede, për të cilën është mbajtur edhe një procesverbal, faksimilen e të cilit po publikojmë në këtë numër, ngre krye edhe një problem tjetër, madje i rrezikshëm. Mehmet Shehu akuzon pa dorashka Kadri Hazbiun, Zv/ministrin e Punëve të Brendshme për familjarizim me kriminelët dhe të tjera të ngjashme. Sipas Mehmet Shehut, Kadriu nuk është dakord që pjesëtarët e këtij grupimi të ekzekutohen, në veçanti për Zenel Shehun, të cilit i ka dhënë fjalën se do të falet. Mehmeti thotë se Hazbiu është i bindur se meqë Zenel Shehu ka bashkëpunuar, pra i ka shërbyer shtetit komunist, nuk duhet të dënohet me vdekje. Mehmeti lëshon edhe akuza të tjera në adresë të Hazbiut dhe përfundimisht vendoset që atij t’i tërhiqet vëmendja në Sekretariatin e Komitetit Qendror, në prani të Enver Hoxhës, por edhe të Mehmet Shehut. Po përse Mehmet Shehu ngre akuza të tilla ndaj një personazhi aq të besuar sa konsiderohej Kadri Hazbiu?
Personaliteti i Hazbiut
Në rastin e Zenel Shehut, Kadri Hazbiu, njeriu që udhëhoqi drejtpërdrejt në terren operacionet e ngritjes së kurtheve dhe arrestimeve të këtij grupi, kishte pasur një detyrim moral. Zenel Shehu kishte bashkëpunuar dhe për këtë shkak duket Kadri Hazbiu i kishte dhënë fjalën se do e ndihmonte gjatë procesit gjyqësor me qëllim që të mos ekzekutohej. Ka të ngjarë që Hazbiu të ketë marrë për këtë premtim dhe mbështetje nga të tjerë njerëz në krye të kupolës së udhëheqjes komuniste shqiptare, por duket zhvillimi i ngjarjeve nuk e ka ndihmuar. Ka një fakt sipas të cilit shërbimet sekrete amerikane që organizuan futjen në Shqipëri të këtij grupi, me të mësuar për disfatën, hodhën me avion në disa zona të Shqipërisë letra ku kërcënohej, se nëse do të ekzekutoheshin Zenel Shehu dhe të tjerët, ata do të hakmerreshin. Duket një fakt i tillë ka tërbuar Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, të cilët menjëherë kanë vendosur që si kundërpërgjigje, dënimet për këtë grup të jenë vetëm me vdekje. Duke prekur kështu edhe sedrën e Kadri Hazbiut, që në njëfarë mënyre e ka ndier veten besëprerë. Që Hazbiu ishte njeri i besës këtë shumë vite më pas, e ka vërtetuar edhe fakti se ai u kujdes, fshehurazi krerëve më të lartë komunistë të Tiranës, që kufomat e Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito çakos, t’i fshehë në afërsi të banesës së një të njohuri të tij në Tërbaç të Vlorës. Eshtrat e tyre u gjetën vetëm pas vitit 1990 dhe ka shumë të ngjarë që Hazbiu edhe në këtë rast t’u ketë dhënë fjalën miqve të tij, para se të ekzekutoheshin, se ata të paktën do të kishin një varr. Ndërsa argumentimi, nga ana e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, i ekzekutimeve të pjesëtarëve të grupit të Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit, përpara Hazbiut bëhet me argumentime të tjera, sipas të cilave Zenel Shehu i kishte ndihmuar vetëm nga frika, se ata kishin për qëllim të rrëzonin pushtetin me anë të një kryengritjeje të armatosur dhe se Hazbiu nuk i kuptonte mirë dënimet politike... Më poshtë përmbajtja e plotë e dokumentit.
Dokumenti
Mbi gjyqin që po zhvillohet në Tiranë me bandën e Hamit Matjanit dhe Zenel Shehut.
Shoku Mehmet Shehu: Ne duhet të shikojmë grupin e këtyre njerëzve që për herë të parë na del se kanë pasur qëllim jo vetëm diversioni, po edhe për të shkaktuar turbullira në vendin tonë. Faktet për këtë gjë janë schiacciante (dërrmuese, red). Te ne për këto gjëra vendos Gjykata dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor, por ne si organet e brendshme, kemi të drejtë t’i shfaqim mendimin tonë byrosë politike. Ky gjyq ka rëndësi jo vetëm në shkallën nacionale, por edhe ndërkombëtare, sepse me këtë goditet spiunazhi amerikan, grek dhe Italian gjer diku, demaskon në popull organizatat tradhtare të jashtme, varros Zogun dhe godet reaksionin e brendshëm. Ky është një gjyq me karakter politik dhe ideologjik. Unë mendoj që ky grup të mos dënohet si grupet e tjera, por më rëndë. Atje janë 6 diversantë. Mendimi im është që për rëndësinë politike që ka për ne dhe për kampin tonë dhe duke marrë parasysh edhe aktivitetin praktik të këtyre diversantëve, ata të dënohen me vdekje. Me këtë mënyrë ne godasim rëndë për herë të parë imperializmin amerikan, demaskojmë edhe grekët. Prandaj mendoj të ekzekutohen që të 6 dhe nga të gjithë këta Hamit Matjanin me litar në Lushnje. Këtë lloj dënimi e parashikon edhe ligji. Nga të dy bazat e tyre, meqenëse është Puçe Moçani si baza kryesore dhe që gjatë luftës na ka luftuar si ballist dhe si njeri që ka spiunuar patriotin Riza Cerova, i cili është vrarë për shkak të tij, pastaj edhe për qëndrimin e tij të poshtër të mëvonshëm. Edhe në gjyq qëndrimi i tij ka qenë jashtëzakonisht i poshtër, prandaj mendoj që edhe ky të ekzekutohet me litar. Ai që ka qenë bazë e dytë në Elbasan, mendoj të mos ekzekutohet, po të dënohet me 5 ose me 10 vjet. D.m.th nga të 6 këta mbetet gjallë vetëm një. Si konkluzion them që Zenel Shehu të dënohet me vdekje, Hamit Matjani me litar, Adem Kabashi, Naun Sula, Gani Malushi dhe Halil Branica me vdekje. Ky është mendimi im dhe si të vendoset, të dalë një komunikatë e ministrisë sonë për të njoftuar ekzekutimin e tyre.
Byroja politike këtu duhet të ndërhyjë se Kadriu nuk është dakord që këta njerëz të ekzekutohen, sidomos për Zenel Shehun. Ai e sheh çështjen jo nga ana politike, por thjesht agjenturiale. Po të mos dënohet ky, atëherë me përjashtim të Hamit Matjanit, të tjerët nuk i dënon dot se Zeneli është kryesori. Kadriu niset nga koncepcione shumë të gabuara, sentimentale, ndoshta dhe jo krejt sentimentale, por ngushtësisht agjenturiale, meqenëse Zenel Shehu u vu në shërbimin tonë. Tani Kadriu preket kur dëgjon që Zenel Shehu do të dënohet me vdekje. Bile, mua më ka propozuar ta lirojmë fare dhe me gjithë drunë që i dhashë, prapë pret të falet. Unë i thashë se si me shokë do të ekzekutohen, po u prek shumë dhe më tha se nuk është i qartë, pse të dënohet me vdekje. E gjithë bota e di, thotë Kadriu se ai na ka shërbyer dhe nga ai u sigurua suksesi që ne kemi arritur në kapjen e të tjerëve. Unë i thashë se nuk është puna e atyre, po është puna jonë që i kemi kapur këta armiq. Kadriu tha se po të ekzekutohet, do të preket rrethi i tij familjar, po unë i thashë se po të mos vritet Zeneli, do të preket i gjithë populli shqiptar dhe miqtë tonë jashtë. Unë mendoj se Kadriu duhet sqaruar, ndoshta nga shoku Komandant mendoj unë, se pikëpamjen time ai nuk e pranoi. Ndoshta kjo çështje është pak më e thellë dhe i ka rrënjët në pikëpamjen që ai ka për luftën e klasës. Kadriu një njeri që nuk e njeh, mundet ta vrasë në vend, kurse një tjetri, qoftë edhe armik, e mbron, e trajton si shok. Gjëra të tilla në sigurim janë të palejueshme, madje të dëmshme. Me Halil Branicën, Kadriu ka pirë raki dhe ka rënë në familjaritet d.m.th, një trajtim të çuditshëm, aspak të hijshëm, ky nuk pajtohet me qëndrimin që duhet të mbahet kundër një armiku nga një funksionar i lartë i organeve të brendshme.
Prandaj si anëtar i Komitetit Qendror, ai duhet të kuptojë se gjëra të tilla nuk lejohen në organet e sigurimit, nuk i lejohen atij sidomos që është zëvendësministër i parë dhe zëvendëson ministrin, kur ai mungon. Në shtator të 1952 koloneli sovjetik më tha se si një zëvendësministër i punëve të brendshme, mund të puthet me një diversant? Unë Kadrinë e kam kritikuar për këto gabime megjithëkëtë, ai nuk e ka kuptuar gabimin e tij, prandaj byroja politike të japë opinionin e saj, që kjo gjë të jetë e qartë edhe për Presidiumin e Kuvendit Popullor.
Shoku Enver Hoxha: Unë jam dakord me sa tha Mehmeti që të ekzekutohen, por jo me litar.
Shokët Beqir Balluku dhe Hysni Kapo: Ne jemi dakord që Hamit Matjani të varet në litar se kështu do të kënaqet populli, ta shohë nja 3-4 orë.
Shoku Enver Hoxha: Unë e kisha nga kjo anë se krijohet një farë frike e padeklaruar në popull, kur sheh një njeri në atë gjendje me gjuhën jashtë, prandaj më mirë me pushkatim si të tjerët.
Shoku Mehmet Shehu: Edhe në lidhje me armiqtë e tjerë, Kadriu ka raste të tilla. Në Durrës ai i dha tokën e shtetit një armiku ose automatikun. Ai nuk e ka të qartë qëndrimin që duhet mbajtur kundrejt armikut.
Shoku Enver Hoxha: Edhe taktika e njerëzve të Ministrisë së Brendshme nuk mund të jetë kështu. Zenel Shehu nëse u bë bashkëpunëtor, ka pasur frikë dhe jo se na do ne, prandaj si t’ia hedhësh dorën në qafë atij qeni?
Ahere jemi dakord të ekzekutohen ata njerëz me përjashtim të strehuesit të Elbasanit. Për çështjen e varjes në litar, të Hamit Matjanit, ta shohim më vonë. Edhe çështjen e Kadriut ta shohim në Sekretariat kur të vijë edhe Mehmet Shehu.
Shoku Mehmet Shehu: është një gjë që Kadriu e mbajti 8 muaj procesin në dorë dhe më në fund pashë se ishte krejt ndryshe nga ai që është sot. Kadriu me atë proces, që kish përgatitur, Zenel Shehun e linte të lirë. Në proces nuk përmendej asgjë për kryengritje të armatosur, atje dilte sikur kishte ardhur këtu vetëm për të parë se si ishte gjendja në Shqipëri. Për të gjitha dokumentet që iu gjetën si: radio, pushkë, helm etj, nuk bëhej fjalë fare në procesverbalin hetimor.
Shoku Enver Hoxha: Duke i ekzekutuar, ne evitojmë rrezikshmërinë për të bërë kryengritje nga ana e tyre, ai nuk erdhi kot këtu.
Shoku Mehmet Shehu: Ai më tha mua se nuk dorëzohej i gjallë, aq armik i vendosur është.
Unë mendoj se Kadriu ka bërë gabim të rëndë në pikëpamjen politike ai i ka mbajtur zgjidhur këta armiq gjatë të gjithë kohës dhe në shumë raste edhe në pyll, kurse në organet e sigurimit nuk mund të ecet kështu dhe Kadriut i duhet të bëjë kthesën.

Mbajtësi i Procesverbalit
(emri-firma)


Dënimet

Vendimet e dhëna më 13 prill 1954
1-Hamit Matjani, me vdekje, varje në litar
2-Zenel Shehu, me vdekje, me pushkatim
3-Halil Branica, me vdekje, me pushkatim
4-Naun Sula, me vdekje, me pushkatim
5-Ahmet Kabashi, me vdekje, me pushkatim
6-Gani Malushi, me vdekje, me pushkatim
7-Rrapush Agolli, me vdekje, me pushkatim
8-Ibrahim Lamçe, 10 vjet heqje lirie