"Vejusha e zezë" dhe disa lloj zvarranikësh të rrezikshëm kanë "zaptuar" një pjesë të mirë të qarkut të Fierit. Moti i nxehtë ka risjellë në jetë merimangën vdekjeprurëse, pa lënë mbrapa as gjarpërinjtë. 

FIER / MAJLINDA RAMA

Pas rastit të parë, ku merimanga rrezikoi jetën e një studenti nga fshati Afrim, këto ditë të nxehta numri i viktimave është rritur. Vetëm në tri ditët e fundit në spitalin e Fierit janë paraqitur 6 raste të pickimit nga vejusha e zezë. Të prekurit kanë qenë kryesisht banorë të zonave rurale, pasi insekti i rrezikshëm gjen strehë në arat e mbjella si dhe në vreshta. Mësohet se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Rasti më i fundit dhe që aktualisht ndodhet në spitalin e qyteti të Fierit është ai i 50-vjeçarit Agrur Bora, nga fshati Roms i rrethit të Mallakastrës. Burimet spitalore bëjnë të ditur se Bora ka dy ditë që qëndron i shtruar në spital. Ai është paraqitur në mjediset e urgjencës në gjendje kritike për jetën. Pas ekzaminimeve të specialistëve, është konstatuar se 50-vjeçari është pickuar në krahun e majtë nga insekti. Gjendja shëndetësore e tij edhe dje është paraqitur e rëndë. Enjtja dhe mahisja në krahun e pickuar i ka paralizuar shpatullën. "Ai u paraqit në gjendje të rëndë në urgjencë. Kishte më shumë se dy orë që ishte pickuar nga vejusha e zezë dhe kjo e rëndoi edhe më shumë situatën. Pasi i bëmë gjithë analizat e nevojshme filluam kurën, duke mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm pacientin, pasi ka luhatje të vazhdueshme të temperaturës dhe debulesë", tregoi për "Panorama", Maksi Tanaka, një nga mjekët e urgjencës së spitalit të Fierit. Por, sipas mjekut, ky nuk është rasti i parë. Duke qenë se Fieri është një zonë bujqësore, merimanga e zezë dhe shumë insekte e zvarranikë janë prezentë. "Ditët e fundit janë shënuar shumë fermerë, të cilët janë pickuar jo vetëm nga merimanga, por edhe nga gjarpërinjtë. Një fenomen i tillë është përhapur në masë, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë maksimal", pohoi mjeku i urgjencës Tanaka. Sezoni i korrjes së grurit dhe punët e ndryshme në ara, bën që fermerët të jenë të pambrojtur dhe krejtësisht të pasigurt ndaj pickimit. Në të shumtën e rasteve, pacientët kanë rënë viktima të insekteve në orët e pikut, kur edhe temperatura shënon maksimumin. Një tjetër fakt tepër i rëndësishëm dhe që ndikon në rritjen e këtyre insekteve është edhe mungesa e dezinfektimit dhe spërkatjes me insekticidë të tokave bujqësore. Mungesa e fondeve ka qenë një nga faktorët e dezinfektimit të tokave. "Është e pamundur të flasim për një dezinfektim total të tokave, pasi sipërfaqja është shumë e madhe dhe e papërballueshme nga ana jonë. Jemi mundur që të hedhim insekticide në parcela të ndryshme që shihen si vatra infeksioni, por nuk mund të pretendojmë eliminimin e plotë të vejushës së zeza apo të zvarranikëve", u shprehën burime pranë Drejtorisë së Bujqësisë Fier.


Rastet e fundit

P.A., 10 vjeç, nga fshati Agim i komunës Libofshë, pickohet nga vejusha e zezë
A.L., 12 vjeç, nga Pertova e rrethit të Fierit pickohet nga merimanga e zezë
Mariglen Shano, 36 vjeç, nga Visoka e Mallakastrës, pickohet nga gjarpri
Anita Duka, 23 vjeç, nga Mbyeti i Fierit pickohet nga vejusha e zezë
Stir Nakuçi, 70 vjeç, nga fshati Suk, pickohet nga një gjarpër i llojit nepërkë
Agrur Bora, 50 vjeç nga fshati Roms u pickua nga merimanga e zezë