Në shekullin XXI, mësimi i gjuhës i ka kaluar muret e klasës e shkollës për t‘u shpërndarë në një varietet metodash moderne te nxënësit. Këshilli Britanik (British Council) në Shqipëri ka ofruar për nxënësit dhe mësuesit në vendin tonë disa produkte të reja, që përfshijnë opsionin e mësimit të anglishtes nëpërmjet telefonit celular, ose duke shkarkuar mësime në i-pod. Përfaqësuesit zyrtarë të Këshillit britanik shprehen se nëpërmjet celularit dhe në përputhje me teknologjinë që disponohet, përdoruesit do të mund të zgjedhin nëse dëshirojnë të marrin pyetësorë të thjeshtë me SMS, ose të aksesojnë një variant më interaktiv të tij. Për aparatet telefonike celulare të teknologjisë së fundit, aksesi në internet ofron mundësi të pafund për të shkarkuar tekste, fotografi dhe video ilustruese. Ekspertët e mësimdhënies së gjuhëve të huaja konfirmojnë se kombinimi i të dëgjuarit me teknologjinë dhe me përmbajtjen e duhur rrit mundësitë e suksesit në nxënie. Kjo është vlerësuar edhe nga Këshilli Britanik në përgatitjen e materialeve didaktike audio për nivelet që nga ai fillestar e deri tek ai më i avancuar. Këto materiale mund të dëgjohen nga kompjuteri, ose mund të shkarkohen në MP3, për t‘u përdorur në kohën dhe vendin e dëshiruar. Risi tjetër në këtë fushë është tendenca për të afruar te mësimi i gjuhës grupmoshën e adoleshentëve përmes lojërave interaktive. Ajo është strukturuar në një formë që nxit eksplorimin e fjalorit dhe gramatikës, duke u zbavitur njëkohësisht. Kjo lojë kompjuterike mund të luhet në një ambient virtual të sigurt për përdoruesit adoleshentë.



Këshilli Britanik ka punuar së bashku me ELTA (Shoqata e Mësuesve të Gjuhës Angleze) për promovimin e këtij produkti nëpërmjet prezantimeve, seminareve dhe demonstrimeve me: pedagogët dhe studentët e gjuhës angleze të universiteteve në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë; mësuesit e gjuhës angleze të shkollave të mesme dhe atyre 9-vjeçare publike dhe private në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, dhe Berat; pedagogët e gjuhës angleze të Akademisë Ushtarake "Skënderbej" etj. Si rezultat, 406 mësues të gjuhës angleze, të cilët tashmë janë regjistruar dhe në mënyrë të vazhdueshme përdorin websit-in Your Global Home, e gjejnë këtë produkt me tepër vlerë.



Këshilli Britanik, dje, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, organizuan ceremoninë e hapjes së qendrës së rikonstruktuar të informimit dhe aftësimit për Gjuhën Angleze pranë këtij fakulteti. Kjo qendër e re u përurua nga Fiona Mcilwham, ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, si dhe rektori i UT-së, Dhori Kule. Aty është ngritur edhe një laboratori kompjuterik për të zgjeruar mundësitë e pedagogëve dhe studentëve për akses në metodat dhe burimet më të avancuara të studimit dhe kërkimit, shumë prej tyre të dizajnuara e të prodhuara po nga Këshilli Britanik. E tillë është platforma online Your Global Home http://www.teachingenglish.org.uk



Koleksionit ekzistues të literaturës së qendrës së rikonstruktuar i janë shtuar falë kësaj ndërhyrjeje rreth 700 tituj librash, bashkë me 11 tituj periodikësh të ndryshëm e materiale audiovizive.