Mosha dhe vitet e punës që duhet të plotësojnë të dyja gjinitë deri më 30 qershor. Kushtet e reja për pension të plotë pas datës 1 korrik për mësuesit


Jonida Tashi



Përcaktohen 3 kushtet që duhet të përmbushin për të përfituar pension të plotë pleqërie mësuesit e të dyja gjinive. Ekspertët e pensioneve shpjegojnë se kushti i parë që duhet të plotësojnë mësuesit e të dyja gjinive për të përfituar pensione të plota deri më 30 qershor 2009 është plotësimi i moshës, që për femrat është 57 vjeç e 6 muaj, ndërsa për meshkujt 62 vjeç e 6 muaj. Kushti i dytë është plotësimi i viteve të punës të siguruara për të përfituar pension dhe të dyja gjinitë duhet të kenë gjithsej 35 vite pune të siguruara. Ndërsa kushti i tretë ka të bëjë me plotësimin e viteve të siguruara të punës në arsim, ku të dyja gjinitë duhet të kenë gjithsej 26 vjet e 3 muaj punë në arsim. Në rastet kur nuk plotësohen të tria kushtet e mësipërme, brenda datës 30 qershor 2009, mësuesit do të përfitojnë pension më vonë se fundi i qershorit 2009. Për shembull: një mësuese që plotëson moshën 57 vjeç 6 muaj dhe ka 35 vjet pune gjithsej, por në arsim dhe profesionet e tjera të kategorisë së dytë, që njësohen me punën e mësueses, ka vetëm 26 vjet, ajo nuk del në pension më 30 qershor, por kur t’i bëhen 26 vjet e 3 muaj punë të siguruara në profesionin e mësueses.

Pas 1 korrikut

Mësuesit e të dyja gjinive, që nuk i plotësojnë dot kushtet e mësipërme brenda datës 30 qershor 2009, do të mund të dalin në pension pas kësaj date. Më konkretisht, në kohën kur të përmbushin kushtet. Nga data 1 korrik 2009 deri më 30 qershor 2010 mosha e daljes në pension për femra dhe meshkuj shtohet edhe 6 muaj dhe, për rrjedhojë, mësueset femra do të dalin në pension në moshën 58 vjeç, kurse mësuesit meshkuj në moshën 63 vjeç. Për të marrë pension të plotë pas datës 1 korrik, mësuesit, femra dhe meshkuj, duhet të kenë plot 35 vite pune të siguruara, nga të cilat 26 vjet e 3 muaj duhet të jenë patjetër si mësues. Gradualisht, në të ardhmen, në çdo datë l korrik, moshat e daljes në pension të mësuesve do të shtohen me 6 muaj, derisa duke filluar nga data 1.7.2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeç dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar.

Vitet e punës

Në vite pune të siguruara gjithsej për pension, mësueseve femra u njihet edhe koha e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar me ose pa bursë, duke e konsideruar një vit shkollë me një vit pune për efekte pensioni, ndërsa meshkujve u konsiderohet punë koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak e vërtetuar me librezën ushtarake. Gjithashtu, përfshihen në kohë pune për pension si mësues edhe lejet e zakonshme dhe lejet e lindjes për femrat. Në rastet kur mësuesit dalin në pension gjatë vitit shkollor, për shembull më 30 prill, përfitojnë me pagesë lejen e zakonshme, që u takon sipas Kodit të Punës, për periudhën janar-prill. Leja e zakonshme për mësuesit jepet për vit kalendarik dhe jo për vit mësimor. Ditën që ndërpresin marrëdhëniet financiare për shkak të daljes në pension, mësuesve, pavarësisht nga gjinia, u jepet një rrogë mujore shtesë konform Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 369, datë 13.6.2007 “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr.83 dhe Udhëzimit të ministrit të Financave Nr. 21, datë 18.9.2007, botuar në Fletoren Zyrtare 128.





Punët që përfshihen në arsim për pension



Në punët në arsim për pension përfshihen periudhat e punuara si: edukatore në kopshtet e fëmijëve, mësuese dhe mësues në shkollat e ciklit të ulët, 7, 8 e 9-vjeçare, të mesme të përgjithshme e profesionale, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave dhe të konvikteve, kur kanë dhënë mësim në klasa, pedagogë në universitete apo shkolla të tjera të larta, pavarësisht nëse kanë ose jo grada shkencore, koha e punuar në detyrën e drejtorit, inspektorit dhe ndihmësit për arsimin në aparatin e Këshillit të Ministrave, drejtorive dhe inspektorëve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, përgjegjësve, drejtorive dhe inspektorëve të seksioneve dhe drejtorive të arsimit në rrethe, trajnerëve profesionistë efektive të të gjitha kategorive të klubeve sportive, drejtorët, instruktorët, shefat e seksioneve në pallatin e pionierëve, shtëpitë e pionierëve, udhëheqësit e pionierëve në shkolla etj. Puna në arsim përsa i përket vështirësisë njehsohet me profesionin e oficerëve, tornitorëve të punimit të metalit, veterinerëve të lartë, mjekëve kirurgë, artistëve të teatrove dramatike, dirigjentëve të orkestrave, regjisorëve të Kinostudios, Radiotelevizionit etj. Të gjitha këto emërtime janë përcaktuar me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, botuar në legjislacionin përmbledhës për sigurimet shoqërore në shtator të vitit 2003.







Dokumentet që duhen përgatitur për të dalë në pension



Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë



Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak



Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare



Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këto janë vërtetime standarde dhe punonjësit e financës janë të specializuar për plotësimin e tyre





Kopja e noterizuar e diplomës të shkollës së lartë ditën për femrat



Kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit, numri i telefonit







Kushtet për të përfituar pension deri më 30 qershor 2009



Mbështetur në Ligjin e sigurimeve shoqërore Nr. 7703, datë 11.5.1993, deri më 30 qershor të këtij viti mësuesit, femra dhe meshkuj, duhet të plotësojnë këto kushte për të marrë pension të plotë:

Femrat Meshkujt

Mosha 57 vjeçe e 6 muaj 62 vjeç e 6 muaj

Vite pune të siguruara 35 35

Nga këto mësues 26 vjet e 3 muaj 26 vjet e 3 muaj



Kushtet për të përfituar pension nga 1 korriku 2009-30 qershor 2010



Nga data 1 korrik 2009 deri më 30.6.2010 mosha e daljes në

pension për femra dhe meshkuj shtohet edhe 6 muaj dhe për

rrjedhojë do të dalin në pension:

Femrat Meshkuj

Mosha 58 vjeçe 63 vjeç

Vite pune të siguruara 35 vjet 35 vjet

Nga këto mësues 26 vjet e 3 muaj 26 vjet e 3 muaj

















10 Mars 2009