SHKRUAN: Jonida Tashi 01-04-2011 13:48

Për të pestin vit radhazi, mësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit për të marrë shkallën e kualifikimit, për rrjedhojë edhe një shtesë mbi pagë. Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, këtë vit provimeve të


kualifikimit do t’u nënshtrohen vetëm punonjësit e arsimit, të cilët deri në datën 31 dhjetor të vitit 2010 kanë plotësuar vjetërsinë 5, 10 dhe 20 vjet. Ndërkohë që shtesa për kualifikimin sipas shkallëve respektive III, II dhe I është 5%, 10% dhe 20%. Ministria e Arsimit nxjerr rregullat e reja për organizimin e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar, për vitin mësimor 2010-2011, që do të zhvillohet në datën 23 prill. Mbështetur në udhëzimin e MASH, nr.5, datë 24.01.2011 “Për organizimin e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar, për vitin mësimor 2010-2011” dhe rregulloren nr.400/1, datë 24/01/2011, “Për provimet e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar”, vlerësimi i arritjeve të mësuesve për të përfituar shkallët e kualifikimit do të realizohet mbështetur në kombinimin e tre elementeve tregues për arritjet e mësuesit, që janë: portofolit të mësuesit; bonuset; pikët e fituara në testim. Dy treguesit e parë (portofoli dhe bonuset) do të vlerësohen nga drejtoritë arsimore rajonale në bashkëpunim me zyrat arsimore përkatëse, ndërsa testimi me shkrim i mësuesve do të bëhet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) në bashkëpunim me MASH. Portofoli i mësuesit krahasuar me vitet e kaluara, këtë vit ka një element më tepër që është planifikimi ditor i mësuesit. Duke i përmbledhur elementët kryesorë përbërës të portofolit të mësuesit janë: Curriculum Vitae; plani mësimor vjetor i një lënde në një klasë; objektivat e arritjeve të nxënësve në tre nivele për një kapitull të caktuar në një lëndë dhe një klasë; një test kapitulli në lëndën e tij/saj; një projekt kurrikular për një lëndë dhe klasë të caktuar; plani mësimor ditor. Për vetë specifikën e ciklit, portofoli i edukatorëve, mësuesve të ciklit parashkollor, përbëhet nga: Curriculum Vitae; plani mësimor vjetor; një model i planifikimit të një teme mësimore apo projekti specifik; shembuj të punimeve të fëmijëve; shembuj vlerësimesh të fëmijëve; referenca ose vlerësime individuale të punës së mësuesit. Secili nga elementet e portofolit, përjashtuar curriculum vitae, do të vlerësohet maksimalisht me 3 pikë, duke rezultuar në total 15 pikë gjithsej.


Vlerësimi


Sikurse edhe vitin e kaluar, MASH ka parashikuar që kualifikimet ekstra të quajtura bonuse t’ju japin mundësi mësuesve kandidatë për të arritur vlerësime maksimale. Në bonuset e parashikuar janë: Master/SHPU/Dr; certifikatë e gjuhës së huaj; certifikatë mbi TIK. MASH thekson se bonusin Master e përfitojnë vetëm ata mësues kandidatë që zotërojnë diploma “Master i nivelit të dytë”, ose që kanë përfunduar studimet në SHPU– shkolla pas universitare. Gjithashtu edhe ata mësues kandidatë që zotërojnë diplomën “Doktor i shkencave” përfitojnë bonusin. Certifikata mbi TIK-un do të konsiderohen vetëm ato me kredite të përfituara nga bashkëpunimet me MASH-in. Secili prej bonuseve do të vlerësohet me 5 pikë, duke bërë të mundur rritjen në total prej 15 pikësh, për ata që supozohet se zotërojnë të tre bonuset. Përveç portofolit profesional të mësuesit dhe bonuseve, mësuesit do t’i nënshtrohen edhe testimit me shkrim si një nga elementet kryesorë të vlerësimit të arritjeve të tyre. Ashtu siç është përcaktuar në rregulloren “Për provimet e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar”, testi me shkrim do të përmbajë katër rubrika, të cilat do të vlerësohen sipas një raporti harmonik të


balancuar: dokumentet zyrtare të cilat kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve; programet përkatëse lëndore; aspekte të pedagogjisë dhe metodologjisë në mësimdhënie-


nxënie në përgjithësi si dhe të lëndës; përmbajtjen shkencore të lëndës shkollore sipas programit lëndor përkatës. Gjithsej arritjet në testin me shkrim do të vlerësohen me


70 pikë. Pra, nëse do t’i përmblidhnim ekuivalentet vlerësuese për të tre instrumentet do të kishim: portofoli profesional - 15 pikë; bonuset - 15 pikë; testi me shkrim - 70 pikë, që në total, vlerësimi maksimal i mësuesve do të jetë 100 pikë. Specialistët e arsimit shpjegojnë se këtë vit kemi një ndryshim të lehtë të raportit të vlerësimit në favor të portofolit dhe bonuseve nga 27% me 73% që ishte vitin e kaluar, në 30% me 70% që është parashikuar në vlerësimin e këtij viti. Në fakt, kualifikimi 2011, do të jetë viti i fundit ku vlerësimi i mësuesve do të bëhet me pikë. Ministria e Arsimit sqaron se duke filluar nga viti shkollor 2011-2012 kanë të drejtë të aplikojnë për një shkallë kualifikimi mësuesit që kanë grumbulluar një numër minimal kreditesh. Numri i krediteve për secilën shkallë kualifikimi do të përcaktohet në udhëzimin vjetor të ministrit për kualifikimin.


Vjetërsia e punës sipas shkallëve të kualifikimit


Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen vetëm mësuesit, të cilët deri më 31 dhjetor të atij viti plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, por të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë; nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, por të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Të gjithë punonjësit mësimorë, që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe shkallës së kualifikimit, kanë të drejtë të kualifikohen për shkallën më të ulët të kualifikimit që nuk e kanë fituar ende.




Vlerësimi i kandidatëve me pesë shkallë


Komisioni i Vlerësimit të Portofolit në DAR/ZA vlerëson me pikë përbërësit e portofolit sipas udhëzuesit të IZHA-s.


Kandidati që nuk i merr pikët minimale për portofolin, nuk fiton shkallën e kualifikimit.


Mësuesi që nuk dorëzon të paktën një produkt, nuk fiton shkallën e kualifikimit.