Korrigjimi i tezës sipas sistemit vlerësues, portofol, bonus, njohuri të fushës

Pikët dysheme, që duhet të marrë secili mësues që është testuar javën e kaluar nga strukturat e Ministrisë së Arsimit, për t’u kualifikuar më tej ende nuk janë vendosur nga grupi korrigjues. Megjithatë, në bazë të disa kritereve të vendosura në fillim të testit, dhe sipas ndarjes së tezës së provimit, për mësuesit e tri kategorive, secili mund të bëjë paraprakisht korrigjimin e vetes në bazë të sistemit vlerësues të pikëzimit për çdo pjesë të “kualifikimit. Konkretisht, sipas Ministrisë së Arsimit të gjitha rezultatet e korrigjimit do të jepen në mes të muajit maj, ndërkohë që procesi i vlerësimit dhe nxjerrjes së rezultateve kërkon rreth një javë kohë për t’u përfunduar.


Të gjithë mësuesit të cilët do të kualifikohen dhe do të marrin pikët minimale do të përfitojnë edhe rritje page, sipas ligjit dhe masa e përftimit do të jetë në bazë të vjetërsisë në punë, për pesë, dhjetë dhe njëzet vite, përvojë në mësimdhënie.


Sistemi i pikëve

Portofoli i kërkuar para procesit të testimit, përfshinte një plan mësimor, objektivat e një kapitulli dhe një plan projekti kurrikular. Përmbushja e kriterit të portofolit, në rastin më të mirë vlerësohet me 12 pikë, minimumi që mund të jepet nga specialistët nis nga 3 pikë. Ndërkohë që bonuset për secilin mësues që ka një certifikatë kualifikimi e cila të vërtetojë informacionin që ka lidhur me teknologjinë, apo master dhe kualifikime të tjera, do të vlerësohen me plot 25 pikë. Institutit i Zhvillimit të Arsimit, strukturë e cila merret me hartimin dhe menaxhimin e procesit të testimit të mësuesve, ka mbajtur shënim të gjithë referencat e mësuesve, të cilët kanë dorëzuar portofolin me informacionin e kërkuar, si dhe vlerësimin e arritjeve në fushën e specializimeve apo kualifikimeve bashkëkohore.


Pikët e testit

I gjithë testi nga fillimi në fund ka plot 73 pikë. Sipas Ministrisë së Arsimit me 85 pikë, vlerësimi është shumë i mirë. Ndërkohë që portofoli ka 12 pikë ata që kanë edhe bonuset, marrin shtesë edhe 15 pikë. Testi është i ndarë në dy pjesë dhe pjesa e parë vlerësohet me 22 pikë. Pjesa e parë e testit janë pyetje për të vlerësuar njohjet e mësuesve lidhur me udhëzimet, legjislacionin, ndryshimet, propozimet dhe çështjet ligjore të sistemit arsimor. Po ashtu, kjo pjesë përfshin edhe informacion për dokumentet dhe bazat ligjore që kanë lidhje me sistemin arsimor. Programi vendor i testit, vlerësohet me shtatë pikë. Kjo do të thotë se mësuesit duhet të kenë njohuri jo vetëm për klasën ku japin mësim, por në tërësi për ciklin ku përfshihet kjo klasë.


Ana metodike, përgjigjet për këtë pjesë të testit vlerësohen në total me 11 pikë. Ndërkohë që pikët më të mëdha për vlerësimin e mësuesve janë të përfshira në pjesën e testit për lëndën ku jepet mësimi. Në këtë “fragment” sistemi total i pikëve akorduar dijeve të mësuesve përfshin plot 51 pikë. Ministria e Arsimit ka sqaruar se ka nisur procesi i korrigjimit, i cili do të pasohet me procesin e sekretimit. Në datën 15 maj, do të shpallen edhe rezultatet përfundimtare për secilin mësues që iu nënshtrua testimit.








#