Jonida Tashi



Nënshkruhet kontrata e re kolektive e punës në arsim. Ndonëse ishte parashikuar që të firmosej që në fillim të këtij viti, ditën e djeshme, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, kryetari i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë (FSASH), Xhaferr Dobrusha dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), Bajram Kruja, nënshkruan midis tyre në Ministrinë e Arsimit, Marrëveshjen për Kontratën Kolektive të Punës. Palët, mbas negocimeve të zhvilluara arritën në përfundimin që të përsëritin kontratën e deritanishme kolektive të punës të datës 4 korrik të vitit 2006, duke i bërë asaj ndryshimet, plotësimet dhe përmirësimet e nevojshme dhe duke e shtrirë për periudhën kohore deri më 31 dhjetor të vitit 2014. Pas nënshkrimit të kësaj kontrate, vitin e ardhshëm shkollor, mësuesit do të kenë më pak orë ngarkesë mësimore se ç’kanë aktualisht. Në bazë të marrëveshjes së Ministrisë së Arsimit dhe sindikalistëve të arsimit, arsimtarëve do t’u njihen orët e kujdestarisë si dhe orët për aktivitete artistike.

Kontrata

Gjatë fjalës së tij, ministri Tafaj, duke theksuar se kontrata përbën një hap më përpara në krahasim me atë të deritanishmen, përmendi disa nga elementet e rinj të përfshirë në kontratë. “Së pari, kontrata përcakton një draft-rregullore për statusin e mësuesit si dhe përpunimin, përgatitjen dhe miratimin e Kodit të Etikës së mësuesit. Kontrata kolektive e punës përfshin edhe pedagogët e arsimit të lartë dhe bën një hap përpara edhe në rregullimin e marrëdhënieve të punës në kuptimin e punësimit, rekrutimit, por edhe të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, - theksoi ministri Tafaj. Ndërkaq, një element tjetër i kontratës është saktësimi për punonjësit e arsimit që plotësojnë moshën e pensionit pa mbaruar vitin shkollor. Kështu, kontrata e re parashikon se mësuesit nuk pensionohen në rast se janë vetëm dy muaj, para përfundimit të vitit shkollor. “Do të rrinë derisa të mbarojnë vitin shkollor që pastaj të dalin në pension. Pedagogët dhe të tjerë kanë kontrata të nivelit të dytë për shkak të autonomisë së universiteteve nuk mund të nënshkruajmë kontratë me Ministrinë e Arsimit për universitetet”, - shpjegoi Xhaferr Dobrusha. Përsa i përket zbatimit të Kodit Etik të arsimtarëve, ai do të kontrollohet nëpërmjet një bordi të veçantë i cili do të presë të gjitha ankesat si nga mësuesit edhe nga nxënësit , duke filluar që nga veshja e deri tek dhuna verbale që mund të përdoret nga të dyja palët.

Sindikatat

Kontrata e re kolektive e punës në arsim është pranuar edhe nga dy kryetarët e sindikatave të arsimit, të cilët e vlerësuan Marrëveshjen për Kontratën Kolektive të Punës dhe falënderuan ministri Tafaj, për seriozitetin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Nga ana e tij edhe kreu i Arsimit, falënderoi sindikatat e arsimit për bashkëpunimin konstruktiv, që bëri të mundur arritjen e kësaj kontrate që respekton dhe rregullon mjaft mirë punësimin dhe raportet e punësimit të punonjësve të sistemit të arsimit në Shqipëri. Duke siguruar sindikatat se do të kenë mbështetjen e vazhdueshme për çdo problem që lind në rregullimin e marrëdhënieve të punës të punonjësve të arsimit, ministri Tafaj cilësoi se interesi madhor është dhe do të mbetet: mësuesi në qendër të çdo reforme në arsim. “Ne e kemi objektiv të qartë të programit tonë politik. Çdo reformë në arsim ka vetëm një kyç suksesi dhe ky është mësuesi. Ne jemi të interesuar që statusi i mësuesit të vijë duke u përmirësuar dhe raportet e marrëdhënieve të punës të jenë gjithmonë në përputhje me standardet evropiane”, - përfundoi Tafaj.







26 Maj 2010