Testimi do të bëhet për fitimin e tri shkallëve të kualifikimit. Botohen programet lëndore sipas profilit të mësuesve në sistemin parauniversitar


Jonida Tashi



Zbardhet programi i plotë mbi bazën e të cilit do të kryhet testimi i mësuesve për fitimin e tri shkallëve të kualifikimit. Qendra e Trajnimit dhe Kualifikimit për Arsimin ka përgatitur një botim me programet e kualifikimit të mësuesve të të gjitha hallkave të arsimit parauniversitar, të cilat mund të përdoren edhe për testimin e mësuesve për fitimin e shkallëve III, II, I të kualifikimit. Pjesa e përgjithshme është e përbashkët për të gjithë mësuesit, pavarësisht nga lënda/lëndët që zhvillojnë. Gazeta boton sot programet lëndore me tematikat përkatëse për të cilat mësuesit duhet të përgatiten për testim për shtatë profile mësuesish. Përkatësisht, këto shtatë profile janë: mësues i arsimit parashkollor, mësues i ciklit fillor, mësues i gjuhës shqipe, i leximit letrar dhe i letërsisë, mësues i gjuhës së huaj, mësues i edukatës qytetare, mësues i matematikës për shkollën 9-vjeçare dhe mësues i matematikës për shkollën e mesme, mësues i fizikës në shkollën 9-vjeçare dhe mësues i fizikës në shkollën e mesme. Mësuesit e arsimit parauniversitar në varësi të lëndëve që japin mësim janë ndarë në 14 profile kryesore.

Të gjithë mësuesit që plotësojnë vjetërsinë e punës, sipas tri shkallëve të kualifikimit deri më 31 dhjetor të këtij viti, do t’i nënshtrohen një provimi për dijet e tyre. Drejtoria Arsimore e Tiranës ka përgatitur formularin që duhet të plotësojnë mësuesit e arsimit parauniversitar, të cilët do t’i nënshtrohen testimit, me synim kualifikimin në kategoritë e dytë, të tretë dhe të katërt.

B.PROGRAMET LËNDORE

B.1 Profili: mësues i arsimit parashkollor

Ky program mbështet politikat arsimore, shtetërore dhe, në mënyrë të veçantë, strategjinë e arsimit parauniversitar, lidhur me çështjet e trajnimit e të kualifikimit të mësuesve në punë. Në program, mësuesit do të gjejnë të pasqyruar çështje, probleme dhe aspekte të ndryshme të arsimit parashkollor, të tilla si: kërkesat dhe prirjet e arsimit parashkollor; treguesit cilësorë të tij; modele e metodologji të zbatuara nga projekte të ndryshme në kopshte; standardet e përmbajtjes e të arritjes; veprimtari të larmishme me fëmijët e ciklit parashkollor; njohja me veçori e aspekte të ndryshme të zhvillimit të përgjithshëm të fëmijëve në këtë moshë; partneriteti prind-edukator; vlerësimi i punës së fëmijës parashkollor.

Tematika

Në fokus të politikave arsimore

Metodologji e modele të projekteve dhe programeve të zbatuara në arsimin parashkollor në Shqipëri

Veçori të zhvillimit të përgjithshëm të fëmijëve të moshës 3-5 vjeç

Standardet në arsimin parashkollor

Bashkëpunimi dhe partneriteti kopsht-familje

Vlerësimi në arsimin parashkollor

B.2 Profili: mësues i ciklit fillor

Ky program mbështet politikat arsimore, shtetërore dhe, në mënyrë të veçantë, strategjinë e arsimit parauniversitar, lidhur me çështjet e trajnimit dhe të kualifikimit të mësuesve në punë. Programi që sugjerohet mbështetet në kërkesat e sotme të arsimit fillor për përgatitjen e mësuesve, si dhe në përvojat e përparuara perëndimore, që vlejnë për të krijuar kompetenca profesionale të qëndrueshme. Kjo është parë dhe në mundësitë që kanë mësuesit për të shfrytëzuar bazën materiale profesionale dhe didaktike që ndodhet në çdo drejtori arsimore.

Tematika

Kompetenca profesionale që lidhet me përmbajtjen lëndore dhe të mësuarit

Kompetenca profesionale që lidhet me planifikimin mësimor, me manaxhimin dhe organizimin e klasës

Kompetenca profesionale që lidhet me shkollën ku ai punon

B.3 Profili: mësues i gjuhës shqipe, i leximit letrar dhe i letërsisë

Programi i kualifikimit të mësuesve të gjuhës shqipe dhe leximit letrar u drejtohet mësuesve, që kalojnë shkallën e parë dhe të dytë të kualifikimit 5 dhe 10-vjeçar. Programi synon t’u përgjigjet nevojave për një formim të një shkalle më të lartë profesionale të mësuesve të gjuhës shqipe, që kërkojnë rritjen dhe ngritjen e shkallëve dhe të kategorive të formimit të tyre profesional. Programi i lejon specialistët e drejtorive arsimore rajonale të rekomandojnë, të shtojnë ose të zëvendësojnë module, tema apo problematikë të nevojshme, për të cilat ata mendojnë se mund të përfshihen në këtë program. Programi i kualifikimit për mësuesit, që i drejtohet këtij kualifikimi, mbështetet në zhvillimet bazë dhe në ato më të reja për problemet e mësimdhënies së gjuhës amtare dhe të leximit letrar në shkollën 9-vjeçare dhe të letërsisë në shkollën e mesme.

Problematika e programit lidhet me:

Zhvillime të përgjithshme në fushën e arsimit

Zhvillime specifike në shkencat gjuhësore dhe ato letrare

Zhvillime në fushën e politikave arsimore, si dhe me udhëzimet e MASH-it për vazhdimësinë e reformës arsimore për vitet në vazhdim

Zhvillime në fushën e didaktikës së mësimit të gjuhës amtare.

Programi përbëhet nga këto pjesë:

Arsimi shqiptar në procesin e politikave për ndryshim dhe të reformës në përmbajtje.

Probleme të përgjithshme të mësimit të gjuhës dhe të leximit letrar në arsimin 9-vjeçar.

Probleme të mësimdhënies së gjuhës dhe të leximit letrar.

Veprimtari praktike të mësuesve.

B.4 Profili: mësues i gjuhës së huaj

Përmbajtja e programit

1.Kompetenca profesionale që lidhen me zotërimin e njohurive të lëndës dhe organizimin e tyre në funksion të të nxënit.

2.Kompetenca profesionale që lidhen me përdorimin e strategjive mësimore të përshtatshme për lëndën, manaxhimin dhe organizimin e klasës.

3.Përdorimi i formave të ndryshme për vlerësimin e kompetencës së nxënësve.

B.5 Profili: mësues i edukatës qytetare

Tematika

I.Pjesa rajonale dhe kombëtare

II.Edukimi qytetar si lëndë dhe si proces garanton cilësi kur ndërtohet mbi objektiva kros dhe ekstrakurrikulare

III.Probleme që lidhen me përthyerjen dhe përditësimin e programit

IV.Metodologjitë e mësimdhënies në lëndën e edukimit qytetar

V.Kompetencat profesionale të mësuesit të edukatës qytetare

B.6 Profili: mësues i matematikës për shkollën 9-vjeçare dhe mësues i matematikës për shkollën e mesme

Programi i kualifikimit të mësuesve të matematikës të shkollës 9-vjeçare (për fitimin e shkallëve III, II e I të kualifikimit) është hartuar nga grupi i punës i Qendrës së Trajnimit dhe Kualifikimit për Arsimin, duke marrë në konsideratë sugjerimet e drejtorive arsimore rajonale, zyrave të arsimit të rretheve, si dhe të mësuesve të veçantë. Programi, që u dërgohet drejtorive arsimore të rretheve së bashku me literaturën përkatëse, duhet të konsiderohet i hapur. Kjo do të thotë që çdo drejtori arsimore, në varësi të specifikave, lidhur me nivelin e formimit e kualifikimit të mësuesve përkatës, të kualifikimeve që mund të kenë realizuar vetë apo në bashkëpunim me organizma shtetërorë e joqeveritarë, është e lirë të bëjë përshtatjet e plotësimet që gjykohen si të nevojshme e të mundshme për t’u realizuar.

Përmbajtja e programit

Programi i kualifikimit të mësuesve të Matematikës të shkollës 9-vjeçare, i shoqëruar me literaturën dhe modulet përkatëse, synon zhvillimin e aftësive dhe kompetencave të mësuesve sipas drejtimeve të mëposhtme:

Kompetencat për njohjen e thelluar të kurrikulës, për të rritur e lehtësuar angazhimin e nxënësve në procesin e të nxënit.

Kompetencat lëndore dhe mënyra e organizimit të procesit mësimor në funksion të të nxënit.

Kompetencat për vlerësimin e nivelit të të nxënit

B.7 Profili: mësues i fizikës

A) Për mësuesit e fizikës në shkollën 9-vjeçare

Për mësuesit, që përfshihen në shkallët e ndryshme të kualfikimit, orientohet kërkimi i kompetencave të mëposhtme:

Për mësuesit e përfshirë në kualifikim për marrjen e shkallës së tretë (vjetërsi 5 vjet), të gjitha temat b.i.1-b.i.11

Për mësuesit e përfshirë në kualifikim për marrjen e shkallës së dytë (vjetërsi 10 vjet) nuk do të përfshihen vetëm temat b.i.4 dhe b.i.6

Për mësuesit e përfshirë në kualifikim për marrjen e shkallës së parë (vjetërsi 20 vjet) nuk përfshihen temat b.i.3; b.i.4 dhe b.i.6

1. Kompetenca: të përshkruash ndryshimet, që janë planifikuar për të ardhmen në përmbajtjen dhe metodologjinë e mësimit të fizikës

2. Kompetenca: sipas programit aktual të fizikës së shkollës 9-vjeçare, të renditësh hapat e progresionit për të kaluar nga faktet te konceptet dhe, që këtej, në përgjithësimet, ligjet ose parimet për konceptet: punë-energji dhe shndërrime energjetike; shtypje; forcë; shpejtësi; nxitim; qark elektrik.

3. Kompetenca: formulimi i objektivave

4. Kompetenca: të shpjegosh saktë dhe kuptueshëm

5. Kompetenca: jep një shembull sesi strukturohet përmbajtja e lëndës, duke përdorur konceptogramën.

6. Kompetenca: për një temë që të jepet, përdor shembuj nga jeta e përditshme për shpjegimin e objekteve të mësimit.

7. Kompetenca: për një temë që të jepet nga programi i sotëm i fizikës, rendit veprimtaritë që duhet të kryejë nxënësi për përvetësimin e objektivave të temës.

8. Kompetenca për të trajnuar nxënësit për përvetësimin e njohjes shkencore, sipas renditjes: fakt (f), hipotezë (h), rrëzimi i një hipoteze (r ), kalimi në një hipotezë tjetër (h1), vërtetimi i saj (v), zbatime (z).

9.Planifikimi i mësimdhënies

10.Kompetenca për të zhvilluar veprimtari dhe eksperimente fizike.

11. Kompetenca për vlerësimin e nxënësve

B) për mësuesit e fizikës në shkollën e mesme (pjesa a është e përbashkët)

Për mësuesit, që përfshihen në shkallët e ndryshme të kualfikimit, orientohet kërkimi i kompetencave të mëposhtme:

1.Kompetenca: të përshkruash ndryshimet, që janë planifikuar për të ardhmen në përmbajtjen dhe metodologjinë e mësimit të fizikës.

2. Kompetenca: duke iu referuar programeve të sotme të fizikës, për një kapitull që të jepet nga shkolla e mesme, përshkruaj se çfarë njohurish janë trajtuar me nxënësit në shkollën 9-vjeçare.

3.Kompetenca: formulimi i objektivave

4.Kompetenca: të shpjegosh saktë dhe kuptueshëm

5.Kompetenca: jep një shembull se si strukturohet përmbajtja e lëndës, duke përdorur konceptogramën.

6. Kompetenca: për një temë që të jepet nga programi i sotëm i fizikës, rendit veprimtaritë që duhet të kryejë nxënësi për përvetësimin e objektivave të temës.

7. Kompetenca për të trajnuar nxënësit për përvetësimin e njohjes shkencore, sipas renditjes: fakt (f), hipotezë (h), rrëzimi i një hipoteze (r), kalimi në një hipotezë tjetër (h1), vërtetimi i saj (v), zbatime (z).

8.Planifikimi i mësimdhënies

9. Kompetenca për të zhvilluar veprimtari dhe eksperimente fizike.

10.Kompetenca për vlerësimin e nxënësve

11.Kompetenca për kritikë metodologjike







Pjesa lëndore përmban programet e kualifikimit sipas





Arsimi parashkollor

Cikli fillor

Gjuhë shqipe, lexim letrar, letërsi

Gjuhë e huaj

Edukatë qytetare (shkolla 9-vjeçare)

Matematikë

Fizikë

Kimi-Biologji

Sociologji, Edukim qytetar, Njohuri Ekonomike, Filozofi,

Histori-Gjeografi

Suplement për mësuesit që zhvillojnë lëndën e informatikës

Suplement për mësuesit që zhvillojnë lëndën e edukimit teknologjik në shkollën 9-vjeçare

Edukim artistik në shkollën 9-vjeçare

Edukimi fizik





A. PJESA E PËRGJITHSHME



(E njëjtë për të gjitha programet për fitimin e shkallëve të kualifikimit të mësuesve në arsimin parauniversitar)

Meqë njohja e akteve ligjore, e strategjisë kombëtare për arsimin, si dhe e akteve kryesore normative për shkollën, janë të nevojshme që të njihen nga të gjithë mësuesit, pavarësisht nga lëndët që ata zhvillojnë, u konsiderua e dobishme që të hartohet kjo pjesë e përgjithshme e përbashkët për të gjithë mësuesit, që do të përfshihen në fitimin e shkallëve të kualifikimit, e cila do të jetë pjesa e parë (pjesa a) e të gjitha programeve të orientuara nga QTKA.

A.1 EDUKATA LIGJORE E SHTETASVE

Njohja me “Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”

A.2 STRATEGJIA E ZHVILLIMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, 2004-2015

Struktura e re e arsimit

Institucionet e reja në nivel kombëtar

Integrimi vertikal dhe horizontal

Zgjedhja e lëndëve nga nxënësit dhe kurrikula gjithëpërfshirëse

Procesi i kurrikulës për trajnimin e mësuesve

Sigurimi i cilësisë/licencimi i mësuesve

Trajnimi i mësuesve gjatë punës dhe rrjetet profesionale

Zhvillimi i teksteve shkollore

Burimet alternative të mësimdhënies

Trajnimi dhe kualifikimi i personelit

A.3 DISPOZITAT NORMATIVE PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR, TIRANË 2002.





Shënim:

Nesër do të botohet programi lëndor për testimin e mësuesve për profilet: mësues i Kimisë dhe Biologjisë, mësues i Sociologjisë, Edukimit Qytetar, Njohurive Ekonomike dhe Filozofisë, mësues i Historisë dhe i Gjeografisë, Suplement për mësuesit që zhvillojnë edhe lëndën e Informatikës në shkollën e mesme, Suplement për mësuesit e Edukimit Teknologjik në shkollën 9-vjeçare (mësimet e punës), mësues i Edukimit Artistik në shkollën 9-vjeçare si dhe mësues i Edukimit fizik.







22 Nentor 2008