Rregullorja e re: Drejtori i shkollës do të tregojë rezultatet. Pritet udhëzimi i MASH-it, për marrjen e shtesës sipas kualifikimit


Jonida Tashi



Shpallen rezultatet e testimit të kualifikimit për rritjen në pagë të mësuesve. Lajmi bëhet i ditur për gazetën, nga shefja e Sektorit të Trajnim-Kualifikimit, pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë (DART), Teuta Çobaj. Sipas shefes së Kualifikimit, afro 100 për qind e mësuesve kryeqytetas kanë arritur ta kalojnë me sukses provën e testimit, duke përfituar kështu rritjen e pagës, sipas tri shkallëve të kualifikimit. “Mësuesit e Drejtorisë Arsimore Tiranë kanë arritur rezultate shumë të mira këtë vit, në provimin e kualifikimit në shkallë vendi. Madje, rezultatet e sivjetshme janë më të larta edhe se ato të vitit të kaluar. Vetëm 2-3 mësues në Tiranë, nuk kanë mundur të kualifikohen”, - shprehet Çobaj. Sakaq, kjo e fundit bën të ditur edhe procedurën që do të ndiqet për tu komunikuar mësuesve pikët që kanë marrë në provim, e për rrjedhojë në cilën shkallë kualifikimi janë futur, si dhe shtesën mbi pagë që do të marrin.

Rezultatet

Pas mbërritjes së rezultateve pranë Drejtorisë Arsimorë të Tiranës nga Instituti i Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT), drejtuesit e kësaj drejtorie, do të udhëzojnë të gjithë drejtorët e shkollave, që t’i njohin mësuesit me rezultatet që ata kanë arritur në testim. “Kjo është një procedurë personale. Mësuesit do të njihen personalisht nga drejtori i shkollës ku japin mësim, për pikët që kanë marrë në provim si dhe në cilën shkallë kualifikimi janë përfshirë”, - shpjegon Teuta Çobaj. Sipas saj, e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për rritjen në pagë që do të përfitojnë mësuesit. Për këtë, Çobaj shprehet se pritet urdhri i Ministrisë së Arsimit dhe gjithçka do të jetë gati. Urdhri i MASH-it, për rritjen e rrogës së mësuesve sipas tri shkallëve të kualifikimit pritet të mbërrijë së shpejti në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit, në mënyrë që të realizohet premtimi i bërë nga kryeministri i vendit, se brenda muajit maj pagat e mësuesve do të pësojnë dy rritje, një nga qeveria dhe një nga aftësitë e tyre.

Rritja

Në bazë të vjetërsisë në punë janë përcaktuar vitet e punës që nevojiten për të fituar një nga tri shkallët e kualifikimit si dhe shtesa që do të përfitohet mbi pagë. Kështu, nga 5 deri në 9 vjet duhen për të marrë shkallën e tretë të kualifikimit. Nga 10 deri në 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, të paktën 5 vjet pas marrjes së shkallës së tretë. Nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit, të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind. Në total, në Drejtorinë Arsimore të Tiranës i janë nënshtruar provimit të kualifikimit rreth 270 arsimtarë. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të provimeve përgjegjësi i sektorit të burimeve njerëzore në drejtorinë arsimore përkatëse do të njoftojë kandidatët për të paraqitur formularët e aplikimit për marrjen e shkallës së kualifikimit.







Kualifikimi dhe rritja në pagë

Në datën 29 mars 2009 provim për tu kualifikuar mësuesit:

Me diplomë mësuesie, me emërim definitiv ose në pritmëri

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat e mesme profesionale ose të përgjithshme dhe kanë kontratë individuale pune

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët profesionale në shkollat profesionale me status kombëtar

Pa diplomë mësuesie, me arsim të lartë, të cilët japin lëndët e edukimit muzikor ose të edukimit figurativ dhe kanë kontratë individuale pune

Provimet ishin vetëm me shkrim

Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për:

zotërimin e programeve lëndore

zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore

zotërimin e anës metodike të lëndës

Provimeve të kualifikimit i’u nënshtruan vetëm punonjësit të cilët, deri më datën 31 dhjetor 2008, plotësuan vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim:

nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit

nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit

20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit

Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që:

për kategorinë e tretë është plus 5 për qind

për të dytën plus 10 për qind

për të parën plus 20 për qind





19 Maj 2009