26/01/2005  20 për qind


është zvogëluar


popullsia në fshat





8 për qind


është rritur


popullsia në qytet





51% të shpërngulurve


Nga Malësia e Madhe


kanë ardhur në Shkodër





338 mijë banorë


numri i banorëve


të Qarkut të Shkodrës














Fatkeqësi për Shkodrën largimi i elitës intelektuale drejt Tiranës apo jashtë











SHKODER - Migrimi i popullsisë në Qarkun e Shkodrës, është tashmë një fenomen i pashmangshëm. Biznesmenet dhe intelektualët, në më të shumtën e rasteve janë ata që ikin drejt kryeqytetit.


Deri në vitin 1997, Qarku i Shkodrës radhitej si Qarku me migrimin më të vogël të popullsisë drejt qyteteve të tjera. Pas këtij viti, këto raporte janë përmbysur dhe vitet e fundit migrimet nga ky qark janë rritur ndjeshëm.


Ngjarjet e vitit 1997 ishin një goditje për qytetin e Shkodrës, ku pjesa më e madhe e tregtarëve u larguan nga qyteti drejt Tiranës, për shkak të gjobave të vëna nga grupe të ndryshme kriminale që kontrollonin qytetin në atë kohë. Kjo bëri që qyteti i Shkodrës të mbetet pa investitorë, çka ndikoi ndjeshëm në ekonominë e qytetit dhe më pas favorizoi edhe migrimin e pjesës tjetër drejt Tiranës.





Migrimi


Migrimi është një dukuri tipike e këtij qarku në këto vite. Gjatë këtyre viteve popullsia është zvogëluar me rreth 20 për qind në fshat dhe është rritur me rreth 8 për qind në qytete, që tregon se largimet nga zonat e thella malore nga Dukagjini, Shllaku, Vermoshi dhe fshatrat e tjerë kanë qenë të shumta, veçanërisht drejt Shkodrës. Kjo lidhet dhe pamundësitë për jetesë në këto zona të thella.


Ndërkohë, largimet nga Qarku i Shkodrës drejt Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, përbëjnë 20 për qind të popullsisë së këtij qarku.


Nga të largurit nga Shkodra, 87 për qind e tyre janë vendosur në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, ndërsa në Malësi të Madhe 12 për qind, në Pukë vetëm 1 për qind.


Nga ana tjetër, vetëm nga qyteti i Pukës, mësohet se ka migruar drejt Tiranës rreth 50 për qind e numrit të banorëve të tij. Nga rrethi i Pukës kanë migruar në Shkodër vetëm 10 për qind.


Ndërkohë bie në sy shpërngulja e madhe e popullsisë nga Malësia e Madhe drejt Shkodrës, ku kanë emigruar, në Shkodër rreth 51 për qind e të shpërngulurve gjithsej.


Sipa kryetarit të Qarkut, Lorenc Luka, mësohet se “migrimi i theksuar i popullsisë së Shkodrës, kryesisht drejt kryeqytetit lidhet drejtpërdrejtë me situatën e pastabilizuar ku ndodhet Shkodra. Kjo ka të bëjë me mungesen e energjise elektrike, infrastrukturës dhe megjithëse rendi është përmirësuar, ende ekziston frika e disa biznesmenëve për t’u kthyer në Shkodër. Shkodranët që kanë lënë Shkodrën, e kanë bërë nga halli e jo nga dëshira, sepse shkodranët historikisht nuk e kanë pasur zakon të migrojnë. Një ditë edhe ata do të kthehen, sepse është qyteti i tyre”, shprehet me optimizën Luka.





Popullsia


Qarku i Shkodrës, është i pesti në renditje në shkallë Republike, për sa i përket numrit të popullsisë. Ky qark është i dyti në renditje, për nga sipërfaqja.


Sipas të dhënave adiministrative, Qarku i Shkodrës ka një popullsi prej 338 mijë banorë.


Sipas ndarjes administrative, popullsia e qarkut është shpërndarë në tre rrethe që përfshijnë 5 bashki, 29 komuna dhe 269 fshatra. Rreth 2/3 e popullsisë jeton në rrethin e Shkodrës.


Dendësia e popullsisë në këtë qark është 71.8 persona për kilometër katror, dendësi kjo më e vogël se mesatarja e vendit.


Në Qarkun e Shkodrës, pjesa më e madhe popullsisë jeton në fshat rreth 63 për qind e saj, kundrejt 58 për qind që është kjo shifër në shkallë vendi. Në rrethin e Shkodrës, në fshat banon 53 për qind e popullsisë, ndërsa në rrethet Pukë dhe Malësi e Madhe mibzotëron popullsia fshatare.


Sipas pjesës së popullsisë rurale, rrethi i Malësisë së Madhe në Qarkun e Shkodrës, renditet i pari në shkallë vendi me 89 për qind të popullsisë fshatare, i ndjekur nga Librazhdi, Dibra dhe Hasi.