Arta MarkuKa ndodhur pikërisht 20 vjet më parë. Dhe teksa fillon të rrëfejë, duket qartë se ka qenë pikërisht një ndër ditët jo vetëm të rëndësishme të jetës së saj, por, padyshim, të bukura. Me të vërtetë të bukura. E veshur me të bardha, qendra e vëmendjes së plot 300 vetëve që e rrethonin. Jehonat e ëmbla i vijnë të pacenuara prej asaj kohe.Ka të ngjarë që të jetë diçka që dihet. Për çdo vajzë, pikë për pikë... ëndrra fillon pothuaj njëlloj. Në fillim e pakonturuar qartë. Me kohë detajet plotësohen... deri te realizimi: Do të bëhet nuse, do të veshë një fustan të bardhë, e adhuruar nga dhëndri dhe nga dhjetëra e qindra sy të tjerë... mandej jeta e re, jeta ndryshe, ajo e gruas, e zonjës e pastaj, e nënës së re. E pse të mos ndodhte edhe me Mimi Kodhelin kështu? Ndaj dhe asaj paraditeje dimri me shi, pas disa bisedave rutinë që shoqëruan fillimtakimin tonë, diçka më shumë se 20 vjet pas dasmës së saj, tek fillon e më rrëfen për të, nuk më duhet as edhe më e vogla përpjekje për t’ia dalluar shkëlqimin në sy. “Të flas për ditën e dasmës sime?!” I pëlqen.  Fundja është femër, është zonjë, është grua, është nënë... Aq më tepër qenkësh një ëndërr e realizuar bukur në rastin e saj.Mimi Kodheli vuri vello në verën e vitit 1988 pas disa vitesh njohje duke përfshirë edhe fejesën. Ceremonia mblodhi bashkë plot 300 njerëz për të cilët sigurisht kishte vend mjaftueshëm në tavernën madhe të ish hotel Arbërisë, një lokal në zë për kohën. Ishte ceremonia e Vatajve të cilët bënë maksimumin, në mënyrë që, vajzës së tyre të parë, dasma t’i shndërrohej në një kujtim të bukur. Të nesërmen, bashkë me dhëndrin, që siç thotë vetë, i kish rrëmbyer nurin nuses së tij, të bukur gjithsesi, Mimi u bë pjesë e një tjetër ceremonie. Kësaj here, Dasma e Kodhelëve kishte shumë sharm shkodran brenda. Jo vetëm këngët dhe instrumentet apo edhe ca detaje të tjera që Shkodra i ka zakon, mbizotëruan....Këto detaje e të tjera, Mimi Kodheli, teksa ka porositur një kafe të shkurtër që s’dallon fare nga kafja ime normale, e rehatuar në një kolltuk të Rognerit, pranë një ngrohësi që e ngroh edhe më atmosferën, i pëlqen t’i kujtojë...E atëherë, si ishte dasma jote?Më vjen ndërmend... e mrekullueshme.Kur ndodhi?Në 10 korrik të vitit 1989. Do të bëheshin dy dasma atë verë në derën e Kodhelëve. E imja dhe e Lekës, por do të martohej edhe im kunat, Gega. U vendos që shtatori të ishte për vëllanë e madh të burrit dhe korriku për ne.Epo shtatori... sikur është muaji i dasmave, një lloj tradite shqiptare. A do të kishe dashur ta kishe dasmën në shtator?Në të vërtetë po. Do të më kish pëlqyer. Por ç’rëndësi ka.Një prirje për të qenë tradicionale? ... ç’detaje të tjera tradicionale kishte dasma jote?Jo, jo, nuk bëhet fjalë për prirje për të qenë tradicionale. Thjesht shtatori më pëlqente. Në përgjithësi në dasmën time s’kishte elemente tradicionale. Madje, për kohën mund të quhej një ceremoni shumë moderne edhe pse disa tradicionalizma s’mund të shmangeshin.Përshembull?Unë nusërova tre ditë. Duhej të prisja vizitat në shtëpinë e prindërve. U përpoqa të respektoj pikë për pikë rregullat. çohesha në këmbë sa herë hynte një vizitor... dhe sa shumë vizitorë. Por vetëm kaq. S’më kujtohet që në shtëpinë tonë të kishte edhe aq tradita për tu respektuar.ç’kishte të veçantë, jashtë-tradicionale?Muzika. Ishte një element i veçantë i dasmës sime që ushtonte nga këngët e Majkëll Xheksonit, asokohe në kulm të vet. Veç kësaj kisha një instrumentist special. Genc Dashin, në kitarë.Tradicionale ishte dasma e Lekës. Ishte pothuaj një dasmë tipike shkodrane ku këndoheshin këngët e zonës. Nuset, në pritje të dasmës së tyre, flasin shumë për fustanet. I zgjedhin, i mendojnë mirë, shfletojnë revistat e modës, kanë më shumë se një...Edhe unë pata dy fustane. Të bardhë që të dy. Njërin e kisha piketuar vetë, qysh më parë. Ishte e nuses së një shokut të Lekës në dasmën e të cilës kishim qenë. Më pëlqeu shumë. Fustani tjetër ishte zgjedhje e sime mëje. Ishte shumë i bukur, me bisht. Por mu desh ta hiqja se më pengonte për të kërcyer.Përfytyroj që nuk ke mundur t’i shpëtosh një “rregulli”. Me siguri duhet te jesh kujdesur për t’i zgjatur flokët disa muaj para dasmës. Bëhej gjithnjë kështu për t’i dhënë mundësi parkukieres për të realizuar krehje specifike...Në të vërtetë kam qenë një nuse me flokë të gjatë. Por s’e bëra për ceremoninë. Asokohe ashtu i mbaja flokët, të gjatë. Pas dasmës i preva. Sa për krehjen, e desha krejt të thjeshtë. Do të më kish pëlqyer t’i mbaja flokët e lëshuara supeve, të mos i kapja, gjithnjë kam dashur të jem natyrale. Por vendimi i parukieres për t’i kapur, mu duk i arsyeshëm. Ishte shumë vapë. Ishte 10 korrik. Dhe do të ndihesha më rehat me flokët e kapura. Siç dhe e provova në të vërtetë. Ama, kisha një avantazh. Në sirtarin tim të tualetit kish llak. (Qesh) tingëllon për të qeshur në kohën e sotme, por këtu e 20 vjet më parë, flokët fiksoheshin me metoda shumë primitive.Kodheli një mbiemër katolik. Por edhe Vata, mbiemri juaj i vajzërisë nënkupton të njëjtën përkatësi fetare. Ai i’u ka shkuar ndonjëherë ndërmend ceremonia e munguar fetare? A do të kishin dashur të martoheni në kishë?Ka një vendim të kishës: quhen të bekuara të gjitha martesat që janë bërë para rihapjes së kishave në Shqipëri. Ndaj dhe kjo më jep një lloj qetësie. Gjithsesi, mendoj se gjithnjë e kam mundësinë për të bërë një ceremoni martesore në kishë. Pse jo, në 25 vjetorin e martesës... Dhe po vjen shumë shpejt. Dhe më e bukura është se im bir mund të jetë me ne...Nuset qajnë. Ose më mirë qanin asokohe, 20 vjet më parë, më momentin që dilnin nga shtëpia e babait...Jo, unë nuk kam qarë. Ama, im atë nuk mundi ta përballonte atë moment.  Te makina më ka shoqëruar djali i hallës, im atë nuk mundi. E di çfarë, i thoshte sime meje, teksa dita e dasmës ishte vendosur dhe po afronte: “sikur ta shtynim dasmën... Si po na ikën kjo vajzë kështu nga shtëpia... kaq shpejt”.Për shkak të një lidhjeje shumë të fuqishme që keni pasur babë e bijë...Kjo ishte kryesorja. Ama isha edhe fëmija i parë që martohesha. Ku ta dish ç’mendime kalojnë në nënvetëdijen e prindërve kur fëmijët ikin nga shtëpia, martohen. Pavarësisht se kjo është tejet logjike dhe proces i pashmangshëm për vijimësinë.Paja ishte pjesë e dasmave, nuset e kishin gjithnjë një të tillë...Ka diçka që më ka pëlqyer në ceremonitë tona. Qoftë në të martesës qoftë në të fejesës. E di çfarë ishte “shkëmbimi i nishaneve” në fejesën time me Lekën? Unaza e fejesës dhe një pikturë e Kodhelit. Kaq, edhe pse tradita parashikonte një valixhe të madhe me dhurata. Dhe ishte shumë bukur, siç ndodhi në rastin tim, e mjaftueshme, e plotë.Po kështu unë nuk isha një nuse me pajë. Por, sigurisht kishim menduar për disa gjëra të dobishme që na duheshin për bashkëjetesën e re. Ne e kishim marrë sakaq një shtëpi, 6 muaj para dasmës. Ishte larg, te ish parku i autobusëve, ama ishte parajsa jonë. Ajo shtëpi në fakt ishte gjysmë bosh. E mbushëm ca nga ca. Edhe para dasmës, çdo gjë që blinim e çonim menjëherë në shtëpinë e re. Ndaj dhe ai riti i zbulimit të pajës para vizitoreve nuk funksionoi në rastin tonë.Dhoma e gjumit padyshim duhet të ketë qenë pjesë e asaj gjysmës plot të shtëpisë së re. Element i domosdoshëm, i siguruar nga nusja... në mos gaboj, sipas “rregullores”?Sipas rregullave katolike dhomën e gjumit e blen dhëndri. Dhe ai e bleu. Me kursimet e viteve që punonte kishte mundur të blinte edhe një tv me ngjyra, gjë e rrallë për atë kohë. Kurse unë kisha dhuratë nga mamaja sobën majolike me dru dhe një lavatriçe.Në nesërmen e dasmës, u nisët...Menjëherë pas dasmës te dhëndri, unë u ktheva në shtëpinë e vjehrrit. Hoqa fustanin e bardhë, vesha një fustan basme dhe hipa në biçikletë për të shkuar në shtëpinë tonë. Të nesërmen e dasmës, u ktheva për drekë të vjehrra. E patrukuar, pa asnjë zbukurim, me pantallona... me flokët e prera shkurt. Pas pak ditësh, me një tren ku njerëzit ngjiteshin nga dritaret morëm rrugën për në Vlorë e që andej me autobus për në Dhërmi. Kam impresione të mrekullueshme nga to pushime. Dhërmiu ishte një magji. E shikoja për herë të parë.E tani, i kthehesh dasmës? A ndodh shpesh ta vësh kasetën...Shpesh. Jo vetëm sepse është një festë që e kam shijuar dhe më pëlqen ta rigjallëroj atë shije, por edhe se aty gjej disa njerëz të rëndësishëm për mua, të cilët nuk jetojmë më, e çmallem me ta.Nëse do të kishit mundur ta ribënit çfarë do t’i shtonit dasmës suaj?...Përveç ceremonisë në kishë, asgjë. Vënë në kontekstin kohor, dasma ime ishte e përkryer, asgjë s’mund të behej më shumë.A nuk do të kishit dashur të kishit një tufë më lule që ta hidhnit pas duke i vënë në garë shoqet beqare...Epo, meqë ky detaj nuk ekzistonte, unë mjaftohem me faktin që dy tufat e luleve që ishin përgatitur enkas për mua ishin të mrekullueshme, me lule të freskëta sigurisht. Njëra e bardhë me margarita. Tjetra me gladiola të kuqe dhe rozë.Emri: MIMIMbiemri: KODHELINë të vërtetë e adhuron mbiemrin e të atit po aq sa ka adhuruar gjithnjë njeriun që ia dha atë me të ardhur në botë. Por vendosi ta ndryshonte atë. Hoqi dorë nga mbiemri Vata dhe i bashkëngjiti emrit të saj të shkurtër mbiemrin Kodheli. Askush s’ia kërkoi. Madje kjo gjë midis asaj dhe Lekës nuk ishte diskutuar asnjëherë para ditës së celebrimit zyrtar. Ishte ajo vetë që e mori vendimin aty për aty, pas pyetjes që i bëri punonjësja e gjendjes civile. Lekë Kodheli, grua e të cilit Mimi po bëhej pikërisht atë çast, kishte ditëlindjen atë ditë... Mesa duket gruaja donte t’i bënte edhe një dhuratë, anipse tjetërsoj nga dhuratat standard, ndoshta më të bukur. Tani, pas mëse 20 vjetësh, ajo thotë e kënaqur që pat marrë vendimin e duhur, idealin madje. Arsyeja? Ndihet mrekullisht mirë përsa kohë ka të njëjtin mbiemër me të birin.Nga i ati, i vjen mirë, ka si kujtim emrin. Mimi. Jo vetëm një emër i bukur që asaj i pëlqen shumë, por lidhet fort më shijet e të atit, të pasionuar me Pucinit dhe sidomos me “Bohemën” prej nga edhe e ka marrë emrin për të identifikuar me të, vajzën e tij të parë: “Emri im është Luçia, por më thërrasin Mimi”, thoshte personazhi i Bohemës, vajza e dashuruar. Kurse Mimi Kodheli buzëqesh, ndoshta duke e shoqëruar vetmevete vargun, me muzikën e Pucinit, dhe thotë: “Edhe emri im theksin e ka tek “i”-ja e fundit...”. Gjithsesi çka i mjafton, është fakti që i pëlqen emri i saj... I ka pëlqyer gjithnjë dhe, prej 20 vjetësh është mësuar ta shohë që rri mirë bashkëngjitur me mbiemrin e të shoqit. Amvisa...Soba e bërë dhuratë nga mamaja edhe pse paqëllimshëm do të ketë pasur edhe një nënkuptim. Mimi do të bëhej, me fillimin e jetës së re, edhe zonjë shtëpie, ndryshe e thënë, amvisë. Do të gatuante. Sigurisht, e kush tjetër mund ta bënte? Por s’ishte edhe aq e lehtë. Gruaja e re ishte e pamësuar. S’dinte të gatuante. Kurse i shoqi, përkundër kësaj, ishte lindur, rritur e jetuar plot 30 vjet në një shtëpi me rregulla të forta. Nëna e tij që nuk punoi kurrë, s’bëri veç i’u përkushtua fëmijëve, burrit e shtëpisë. Lekë Kodheli e shijonte drekën a darkën, jo vetëm të gatuar në mënyrë të përsosur nga duar profesionisteje, por edhe në një atmosferë ideale. Një tryezën e ngrënies së zbukuruar, me salltanetet që dinë ti rregullojnë veç duart e një zonje të vërtetë shtëpie. Dhe çdo herë kështu. E tani, papritmas, duhet të hante diçka të gatuar (duhet pranuar) mjaft modestish. Për më tepër, të gatuar qysh mbrëmjen e shkuar dhe të ngrohur vetëm pesë minuta para uljes në tryezë. Epo, kushtet këto janë. Ishte burri ai që kësaj here duhej të përshtatej, duhej të pranonte...