Jonida Tashi



Ministria e Arsimit bën publik udhëzimin për plotësimin e afro 4 mijë kuotave të lira, të rishpërndara në universitete. Dita e parë e aplikimit për vendet bosh do të jetë data 22 tetor dhe kandidatët do të kenë vetëm pesë ditë kohë në dispozicion për plotësimin e formularit A3. Sipas udhëzimit, në universitete do të regjistrohen, sipas programeve përkatëse të studimit, kandidatët që shpallen fitues nga kuotat e parealizuara pas përfundimit të regjistrimeve në programet e studimit të ciklit të parë. Aplikimi për plotësimin e vendeve vakante do të bëhet sipas formularit A3. Ky formular përmban të gjitha kuotat e përcaktuara, për secilin program studimi të ciklit të parë dhe mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA dhe në APRIAL, ku do të tërhiqet nga kandidatët për tu plotësuar. Pas plotësimit, formulari duhet të dorëzohet në institucionin në të cilin është tërhequr. Në datën 21 tetor 2008 Drejtoritë Arsimore dhe zyrat Arsimore në të gjithë vendin do të tërheqin formularët A3 në APRIAL.

Regjistrimi

Regjistrimi i kandidatëve fitues,do të bëhet pranë sekretarive mësimore të fakulteteve deri në datën 15.11.2008. Për regjistrim, kandidati të dorëzoje dosjen individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme: Dëftesë pjekurie; Certifikatë lindje me fotografi; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë; Kandidatët e regjistruar më parë në një program studimi, duhet të paraqesin edhe vërtetimin e çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit. Në rast se kandidatët fitues nuk kanë dëftesë pjekurie origjinale, mund të paraqesin dublikatën e dëftesës së pjekurisë së lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse. Veprimet e çregjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj nga sekretaritë mësimore të universiteteve duhet të dokumentohen në regjistrin bazë të studentëve nga data 07.11.2008 deri më datë 15.11.2008. Kandidatëve duhet t’u kthehet dosja individuale me dokumentet e dorëzuara. Një kopje e listës së kandidatëve të çregjistruar të dërgohet në Ministrinë e Arsimit dhe në APPRIAL. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, universitetet do të dorëzojnë në MASH dhe në APPRIAL listat përfundimtare origjinale të përgatitura nga APRIAL me regjistrimet e kryera, në formë të shkruar dhe elektronike brenda datës 30.11.2008. Universitetet duke filluar që nga data 06 nëntor 2008 duhet të shpallin në vende të dukshme në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim si dhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve.







Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët që:

a.nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009;

b.janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në Institucionet publike të Arsimit të Lartë në vitin akademik 2008-2009;

c.janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2008-2009 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi; .

d.kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në Institucionet publike të Arsimit të Lartë;

e.kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008 dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008.



Grafiku i shpërndarjes

Kandidatët e përcaktuar në germën “a”, duhet të paraqiten në DAR/ZA në periudhën 22-26 tetor 2008 për të tërhequr formularin A3.

Kandidatët e përcaktuar në germat “b”, “c”, “d” dhe “e”, duhet të paraqiten në APRIAL, deri në datë 22.10.2008, ora 18.00, për të tërhequr formularin A3.

Dorëzimi nga kandidatët i formularëve A3 të plotësuar bëhet në DAR/ZA dhe APRIAL, deri më datë 27.10.2008.

DAR/ZA-t sjellin në APRIAL formularët A3 të plotësuar në datën 28.10.2008. APRIAL përpunon të dhënat e marra nga formularët A3 dhe në datën 5.11.2008 shpall listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit dorëzon në datën 6.11.2008, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues sipas programeve përkatëse të studimit, në Institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA.



Këto institucione afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre.







18 Tetor 2008