Ministria e Arsimit publikon zyrtarisht përgjigjet e sakta për Provimin e parë të Lirimit, Gjuhë shqipe, që është zhvilluar dje në të gjitha shkollat 9-vjeçare të vendit. Ministria e Arsimit bën të ditur në provim kanë marrë pjesë 55.508 nxënës në të gjithë vendin, të vendosur në 680 mjediset e përzgjedhura nga drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore. Ndërsa pers ai përket procedurës së vlerësimit, MASH-i sqaron se pranë çdo drejtorie arsimore në vend është ngritur një komision vlerësimi me mësuesit më të mirë, të trajnuar nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) dhe drejtoritë arsimore. Sipas rregullave të vendosura nga Ministria e Arsimit, testi, i cili, përmbante 25 pyetje, nga të cilat, 13 ishin me zgjedhje dhe 12 me zhvillim, do të ketë në total 50 pikë. Për pyetjet me zgjedhje, përgjigja e saktë do të vlerësohet me 1 pikë, çka do të thotë se nëse një nxënës u është përgjigjur saktë 13 pyetjeve me alternativa, ai do të sigurojë vetëm 13 pikë nga provimi i parë i Lirimit. Ndërsa për pyetjet me zhvillim, përgjigjet do të konsiderohen orientuese dhe në skemë parashikohen variantet e mundësive të përgjigjeve të nxënësve. Ndërkaq, saktësia gjuhësore ndikon negativisht në vlerësimin e nxënësit, në ato raste, kur ka përsëritje të theksuar gabimesh ose gabime, të cilat prishin në mënyrë të vazhdueshme kuptimin e shprehjes. Pas përfundimit të provimit të Gjuhës shqipe, nxënësit e klasave të IX duhet të përgatiten për testimin e dytë që është provimi i Matematikës. Këtij të fundit, që është edhe provimi i fundit i Lirimit, gjimnazistët e ardhshëm do t’i nënshtrohen në datën 19 qershor. Në bazë të kalimit të këtyre dy provimeve të Lirimit, do të procedohet për të vijuar gjimnazin.



8 Qershor 2010