TIRANE - Ministria e Brendshme publikon listat zgjedhore. Në websit-in zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, www.moi.gov.al, është hapur një faqe e veçantë ku çdo qytetar i Shqipërisë mund të gjej emrin e tij, kodin, si dhe vendin ku do të votojë. Gjatë një komunikimi me median për këtë çështje, zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh se të gjithë qytetarët e interesuar tashmë kanë mundësinë që nëpërmjet kësaj faqeje të mund të gjejnë emrin e tyre me një klikim në listën e zgjedhësve në internet. Sipas Ponit nxjerrja e listave në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme në kohë dhe kaq saktësisht është një ndihmë e madhe dhe një tjetër plotësim i standardeve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor për zgjedhjet që shqiptarët i presin aq shumë të jenë të standardeve të larta, duke garantuar njëkohësisht se këto zgjedhje do të jenë të tilla, çka përbën edhe një hap tjetër drejt integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. "Në listat e afishuara në këtë faqe shtetasit do të mund të gjejnë adresën zgjedhore, qendrën e votimit ku do të votojnë, si dhe njësinë përkatëse, mjafton të bëjnë disa veprime të thjeshta dhe të shpejta, falë edhe teknologjisë së përdorur", është shprehur Ferdinand Poni. Të gjitha listat e gjeneruara, tashmë janë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, online apo në aplikimin  elektronik që u është dërguar të gjitha njësive dhe pritet që duke filluar nga dje të fillojë publikimi i tyre dhe më pas njoftimi i votuesve, po në format elektronik të standardeve të larta. Kjo listë duke filluar nga dje është e vlefshme edhe për Komisionin Zgjedhor Qendror. Në vazhdën e plotësimit hap pas hapi dhe në mënyrë të konsoliduar të infrastrukturës zgjedhore, zv/ministri Poni u kërkoi me këtë rast edhe njësive vendore dhe të zgjedhurve vendorë, që të bëjnë lajmërimin e qytetarëve. Veprimi për të gjetur qendrën e votimit është mjaft i thjeshtë. Kushdo që është i interesuar, mjafton të futet të faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, me adresën www.moi.gov.al, e më pas të klikojë tek "Lista e zgjedhësve 2009", ku do të shohin shembujt konkret se si mund të kërkojnë qendrën e votimit. Gjithçka është e sqaruar më së miri dhe procedura është shumë e shpejtë.