Ligji për faljet pritet të ndryshojë, duke përcaktuar të tjera kritere për përfitimin. Fakti bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilat theksojnë se ky ligj ka mjaft mangësi dhe do të ndryshohet. Për ndryshimet dhe përgatitjen e një projektligji të ri është duke punuar një grup pune në institucionin e drejtësisë, të cilët janë duke bashkëpunuar edhe me specialistë në fusha të tjera, që kanë lidhje me të dënuarit, për të arritur në ndryshime efektive. Përgatitja e projektligjit është çështje kohe dhe pritet që të kalojë për miratim në mbledhjet e ardhshme të qeverisë së re. Sipas të njëjtave burime zyrtare, pritet që në këtë projektligj të ketë ndryshime në veprat penale që kanë përfituar deri tani, si dhe mbi kategoritë që do të kenë më shumë prioritet. Për ndryshime në ligjin për faljet ka pasur një iniciativë edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë një sërë rekomandimesh për përgatitjen e një projektligji. Nga institucioni i drejtësisë bëhet e ditur se puna për përgatitjen e një ligji të ri për faljet kishte filluar dhe u morën parasysh edhe sugjerimet e dhëna nga Avokati i Popullit, të cilit brenda një kohe mjaft të shkurtër iu kthyer përgjigje për rekomandimet e dërguara. Specialistë të Ministrisë së Drejtësisë shprehen se ligji aktual ka nevojë për reformim, për shkak se në faljet që janë bërë deri tani ka pasur dhe shumë raste abuzive, duke i mohuar të drejtën një të dënuari që i takonte. Pikërisht këtu mendohet se do të fokusohen për të bërë ndryshime në rrethin e veprave penale, që do të cilësohen si favorizuese për të aplikuar një i dënuar.





Avokati i Popullit





Avokati i Popullit mendon se një ligj i ri për faljen duhet të përcaktojë në mënyrë të detajuar disa elementë të rëndësishëm. Së pari, subjektet që kanë të drejtë të bëjnë propozimin, të përcaktohen konkretisht dhe shprehimisht, duke pasur parasysh ato autoritete, të cilat janë më afër halleve të popullit dhe që njohin më nga afër gjendjen ekonomiko-shoqërore të të dënuarve apo familjeve të tyre. Të tillë janë: kryetarët e bashkive dhe komunave ku ka vendbanimin i dënuari, deputeti i zonës elektorale, Avokati i Popullit, organizatat joqeveritare në mbrojtje të të drejtave të njeriut, që ushtrojnë aktivitet human dhe jofitimprurës, shërbimi i provës etj. Konkretisht në nenin 2 të ligjit nr. 6299, datë 27.03.1981, përcaktohen në mënyrë të përgjithësuar organet që kanë të drejtë të bëjnë propozim për falje dhe që janë: “Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, organet qendrore të organizatave shoqërore, organet e pushtetit lokal, gjykatat, prokuroritë, organet e rendit dhe organizatat shoqërore...”. Pra ky nen ka krijuar konfuzion dhe ka lënë vend për interpretim në rastet kur janë bërë propozime. Së dyti, sipas Avokatit të Popullit, duhen përcaktuar qartë kriteret që duhet të plotësojë një i dënuar për të pasur të drejtën e faljes pjesërisht apo tërësisht. Ne mendojmë se veç llojit të veprës penale, për faljen e një të dënuari duhen pasur parasysh edhe profili i tij personal, si koha dhe mënyra e kryerjes së veprës, mosha, gjendja shëndetësore e tij, koha e mbetur e dënimit, gjinia e tij, marrëdhëniet me të dëmtuarin ose familjen e tij, sjellja e tij në vendin e vuajtjes së dënimit, rrethanat familjare, integrimi i tij etj. Së treti, dokumentacioni që duhet të plotësojë organi, i cili ka të drejtën e propozimit të faljes. Ky dokumentacion duhet të përmbajë kërkesën e të dënuarit ose familjarëve të tij, certifikatë personale, e cila përcakton identitetin e tij, certifikatën familjare, e cila përcakton numrin e personave të familjes dhe gjendjen e tyre ekonomike, vendimin e gjykatës së formës së prerë, dëshminë e penalitetit dhe në fund t’i bashkëngjitet propozimi që bëhet nga autoriteti i përcaktuar me ligj. Dërgimi i kësaj praktike duhet të përcaktohet që të bëhet zyrtarisht nga organi propozues, gjë që do të formalizonte përfundimisht këtë proces. Së katërti, procedura e shqyrtimit duhet të jetë e përcaktuar shprehimisht në ligj dhe më pas njoftimi zyrtar, që institucioni i Presidencës duhet të japë për miratimin ose jo të faljes. Aktualisht pas përgatitjes së materialit nga ana e zyrës përkatëse në institucionin e Presidencës është zgjedhje e kreut të shtetit se kur dhe si e ushtron këtë të drejtë. Kjo ndoshta krijon një vonesë në përgjigjen zyrtare, që ky institucion duhet të japë për miratim ose jo të propozimit. Mendojmë që të vendoset një afat kohor i arsyeshëm për dhënien e një përgjigjeje, që mund të jetë jo më shumë se gjashtë muaj nga data e aplikimit. Ky afat mendojmë se është më se i mjaftueshëm edhe për shqyrtimin e kërkesave për informacione shtesë që mund të kërkojë institucioni i Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për dinamikën dhe sjelljen e çdo të dënuari në vendin e vuajtjes së dënimit, apo nga institucione të tjera. Në përfundim të rekomandimeve të tij, Avokati i Popullit shprehet se “jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në hartimin e draftit të tij, besojmë bashkë me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të Presidencës”.





Ligji


Deri tani ka qenë Presidenti ai që jepte verdiktin e fundit mbi të burgosurit që përfitonin falje të dënimit. Sipas ligjit në fuqi, në vlerësimin e kërkesave apo propozimeve për falje, Presidenti gjykon nëse i dënuari e ka shlyer fajin, për të cilin shoqëria e ka dënuar, si dhe nëse i dënuari e ka arritur rehabilitimin e tij dhe është në gjendje të rikthehet në shoqëri me vlerat që ajo kërkon. Ky vlerësim bëhet në bazë të dokumenteve dhe informacioneve që vijnë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që së bashku me dokumentet që kërkon ligji, sjellin dhe një dinamikë të vuajtjes së dënimit, pra se sa është dënimi dhe sa mbetet për t’u vuajtur, si dhe një karakteristikë për sjelljen e të dënuarit në institucionin e riedukimit. Kjo karakteristikë sqaron nëse i dënuari ka sjellje korrekte në burg, nëse ndaj tij është marrë ndonjë masë disiplinore, kontaktet dhe lidhjet e tij me familjen, angazhimi në punët e përgjithshme në burg, pra elemente që tregojnë nëse i dënuari e ka ndier fajin që ka kryer dhe është drejt rehabilitimit të tij social. Në vlerësimin e kërkesave për falje, Presidenti merr gjithashtu në konsideratë gjendjen shëndetësore të të dënuarit, gjendjen familjare të të dënuarit etj. Presidenti nuk ka kufizime në kohë për ushtrimin e të drejtës së faljes. Pra, kur Presidenti gjykon se mund ta ushtrojë këtë të drejtë, ai mund ta bëjë këtë. Duhet theksuar se faljet nuk janë fushata masive, por për shkak të një tradite. Faljet kanë përfshirë si faljen e tërë dënimit të mbetur, ashtu edhe një pjesë të dënimit. Kjo bëhet për t’u treguar të dënuarve dhe të interesuarve të tjerë se autoritetet nuk i kanë harruar, por e kanë rehabilitimin e të dënuarve në vëzhgim dhe e vlerësojnë atëherë kur duhet.