Sot, aksioni i parë për lirimin e godinave në repartin ushtarak të Shijakut


Herion Mesi


kodheliQeveria nis konfiskimin e pronave të ushtrisë, ku shumë prej të cilave ose janë shkatërruar ose i janë marrë nga militantët partiakë ndër vite për qëllime strehimi. Pas akuzave ndaj qeverisë së mëparshme, kur PS-ja ishte në opozitë, për shitje dhe tjetërsim të pronave të ushtrisë, tashmë Ministria e Mbrojtjes mësohet se ka angazhuar Forcat e Armatosura, ku do të nisë sot një aksion për të çliruar repartet ushtarake nga ndërtimi i objekteve të paligjshme që janë ngritur brenda zonave të këtyre reparteve nga civilët, si dhe lirimin e godinave ushtarake nga banorët, në të cilat janë strehuar ndër vite në këto zona ushtarake. Nga të njëjtat burime mësohet se Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-ve kanë nxjerrë një urdhër të brendshëm, ku u kërkohet reparteve që disponojnë mjete të rënda ti vënë në dispozicion gjatë ditëve në vijim, pikërisht për shkak të nisjes së këtij operacioni, i cili duket se do të shtrihet në kohë sa i përket periudhës së realizimit të tij.


Aksioni i FA-ve


Përveç mjeteve që FA-të kanë në dispozicion, është kërkuar dhe ndihma e Policisë Ushtarake, e cila do të angazhohet jo vetëm me mjete, por dhe me personel, të cilët do të jenë të pranishëm në këtë mision që do të nisë në orët e para të ditës së sotme nga zona e Shijakut. Aksioni ka si synim konfiskimin e këtyre pronave, të cilat janë përvetësuar ndër vite nga qytetarë të ndryshëm jashtë çdo lloj kriteri ligjor, por që në fakt ato ende dhe sot janë prona të ushtrisë shqiptare, u shprehën dje për gazetën Shqip burime nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërkohë, sa i përket aksionit të sotëm, burimet refuzuan të japin detaje të mëtejshme, por nën zë ata konfirmuan se aksioni i parë ka si objektiv repartin ushtarak të Shijakut, në të cilin janë strehuar persona të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Nesër (sot) do të jemi në Shijak, pasi duhet të lirojmë godinat e repartit ushtarak në Shijak, i cili është përdorur deri tani si një vend strehimi për të ardhurit nga zona të ndryshme të vendit. Për këtë aksion është kërkuar edhe asistenca me mjete dhe trupa ushtarake nga reparti i Policisë Ushtarake, i cili, përveç se do të vërë në dispozicion mjetet e veta të rënda, do të jenë prezentë edhe policë ushtarakë, të cilët do të bëjnë të mundur shmangien e ndonjë incidenti të mundshëm që mund të ndodhë nga reagimet e qytetarëve atje. Pasi askush nuk do që të lirojë një banesë, pavarësisht ligjshmërisë për pronën që nuk është e tyrja, theksuan dje burime nga Ministria e Mbrojtjes.


Shkarkimi


Dy javë më parë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shkarkoi nga detyra pikërisht drejtorin e pronave në këtë dikaster, Arben Sulo. Dhe duket se vendimi i Kodhelit ka ardhur si pasojë e akuzave të shumta të PS-së gjatë kohës që ishte në opozitë për procesin e privatizimit të pronave të ushtrisë dhe saktësisht më 15 nëntor, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Arjan Kraja, ka firmosur largimin e Sulos nga shërbimi civil në këtë ministri.


 



Privatizimi i fundit i pronave të ushtrisë


Nga 1300 prona dhe objekte, ushtria do të përdorë vetëm 180-190


Arben ImamiNë shtatorin e vitit të kaluar, qeveria e mëparshme Berisha vendosi që rreth 90 për qind të fondit të përgjithshëm të pronave të paluajtshme që disponoheshin nga Forcat e Armatosura apo rreth 1.2 milionë metra katrorë terrene dhe objekte, do ti nënshtroheshin procesit të ndryshimit të titullit të pronësisë, për tiu transferuar pushtetit lokal apo për ti vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me synim kthim-kompensimin fizik të pronarëve. Sipas ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Arben Imami, u mësua se nga 1300 prona që janë nën pronësi të Forcave të Armatosura janë të nevojshme për të vijuar aktivitetin e tyre vetëm 180-190. Pronat e tepërta, të cilat nuk kemi kapacitet ti mbajmë, ti ruajmë dhe që janë një barrë për ushtrinë shqiptare, ti jepen publikut, do të shprehej Imami në mbledhjen e 21 shtatorit 2012 të bordit drejtues të monitorimit të procesit të regjistrimit të pronave të paluajtshme të Forcave të Armatosura. Madje ai u ka bërë të ditur të pranishmëve se për të bërë zbardhur situatën është urdhëruar auditi të kryejë veprimet e duhura.



Ky shkrim Ministria e Mbrojtjes nis konfiskimin e pronave të ushtrisë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.