Në fund të 2013, Zonat e Mbrojtura do të mbulojnë rreth 17 % të territorit të vendit, është synimi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave për periudhën e 4 viteve të ardhshme. Ndër to, sipas MMPAU-së, do të spikasë krijimi i Parkut të Alpeve dhe i disa Zonave të Mbrojtura Nënujore. Ndërkohë, përmirësimi i administrimit të Zonave të Mbrojtura, nëpërmjet krijimit të Administratës të Zonave të Mbrojtura dhe përmirësimit të kapaciteteve administrative, është një tjetër drejtim i punës së këtij dikasteri në 4 vjeçarin e ardhshëm. Sipas të dhënave nga MMPAU, zonat e mbrojtura në vend zënë një sipërfaqe prej 12.6 % të sipërfaqes totale të vendit, duke njohur dyfishim nga viti 2005 (5.8 %), duke arritur në vitin 2009 në 12.6 % të sipërfaqes së vendit. MMPAU po punon mbi një projekt të përbashkët me Malin e Zi dhe Kosovën për shpalljen park ndërkombëtar të zonës së Alpeve. Sipas drejtorit të Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në MMPAU, Saimir Hoxha, ky projekt është në fazën e studimeve, për vlerësimin e gjendjes së biodiversitetit, atë social-ekonomike, etj, dhe pritet të realizohet në 2010. Pjesa shqiptare në këtë park mendohet të jetë rreth 80-100 mijë hektarë. Një pjesë e zonave të mbrojtura tashmë mbulohen nga projekte të UNDP-së, Bankës Botërore, Fondit Global për Mjedisin, apo dhe të bankave gjermane e donatorëve të ndryshëm. Përmendet projekti për Prespën, që menaxhohet me Maqedoninë dhe Greqinë, në shumën 7 milionë euro, ai i liqenit të Shkodrës, i menaxhuar me Malin e Zi, rreth 4.5 milion dollarë, si dhe për rezervatin e menaxhuar Kune Vain në Lezhë, me rreth 700 mijë dollarë, etj. Përpjekjet e para të shtetit shqiptar për mbrojtjen e pyjeve datojnë në 1923. Në ligjin e parë  të pyjeve të vitit 1923 ka elementë që përcaktojnë mbrojtje e trajtim të veçantë për lloje të caktuar drurësh kafshësh e shpendësh të egra, si dhe për gjueti të kontrolluar, etj. Në vitin 1940 u shpall rezervat gjuetie territori Kune – Vain – Tale në Lezhë,  që mund të quhet dhe zona e parë e mbrojtur në Shqipëri.



...