TIRANE - Nesër fillon sezoni i provimeve të shtetit për të diplomuarit në degët e mjekësisë. Në ndryshim nga herët e tjera këtë vit ka një fluks kandidatësh që duan të japin këtë provim.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve këtë sezon do të japin provimin e shtetit vetë ata që kanë vetë të diplomuar në degën e mjekësisë. Shumica e kandidatëve që do të japin provimin e shtetit këtë vit konkurojnë për herë të parë.

Ata pasi kanë bërë testimin me gojë të drejtimeve përkatëse , bëjnë testimin e provimit të shtetit. “Do të jetë një sezon që do të përfshijë vetëm kandidatët e fushës së mjekësisë.

Fillimisht do të fillojmë me nënspecialitetet siç janë imazheri, logopedi, teknikë laboratori, dhe pastaj fizioterapi e mami. Fluksi i trefishtë është vërejtur në profesionin e mamisë dhe për këtë arsye ky provim do të zhvillohet në orën 10:00 për tre ditë me radhë, më datë 2, 3 dhe 4.

Shumica e tyre janë kandidatë që konkurrojnë për herë të parë dhe që janë duke e dhënë apo e kanë dhënë testimin me gojë pranë Urdhrave përkatëse"-thotë specialisti Niko Terezi.

Pyetjet për këtë sezon janë të njëjta, pra ka 2000-3000 pyetje dhe nga këto zgjidhen vetëm 50. Sezoni i provimeve mbyllet në 22 maj, për t’u rinisur në gusht me mësuesit e rinj.

Fluksi ka ardhur në rritje pasi të rinjtë pas diplomimit duan të punësohen dhe ky është është kushti që duhet të kalojnë për të marrë licensën për të ushtruar profesionin.

Provimet e shtetit në profesionet e fushës së mjekësisë do të zhvillohen nga data 2 deri 22 maj 2013. Provimi do të zhvillohet në godinën e AKP që ndodhet te Rruga Naim Frashëri.

Kandidatët duhet të paraqiten te Agjensia Kombëtare e Provimit 30 minuta para fillimit të provimit. Kandidatët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj, mandat pagesën e tarifës së provimit të shtetit.

Kandidatë që japin provimin e shteti dhe rezultojë mbetës mund ta japin atë sërish një vit më pas. Kandidati mbetës ka të drejt ta japë këtë provim pesë herë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)