Këtë sezon në garderobën e meshkujve nuk duhet të mungojë asgjë, nga veshjet sportive, veshjet klasike të errëta, ato shik apo trendi. Një imazh elegant dhe seksi. Madje, meshkulli këtë verë vjen më seksi se kurrë. Meshkujt tani po i japin më shumë rëndësi dhe po tregojnë më tepër kujdes ndaj detajeve. Tani nuk ata nuk i zgjedhin veshjet e tyre rastësisht, nuk lënë asnjë pas dorë. Madje, po shndërrohen në maniakë, duke i’a kaluar edhe femrave. Donatela Versaçe sjell një mashkull rrezatues, me një sensualitet latin, që nuk ka frikë të hutojë apo joshë. Ajo që është tendencë këtë verë, janë veshjet, që në pamje të parë duket sikur janë lënë pas dorë, por kjo është thjeshtë një mashtrim i vogël. Të gjitha detajet janë mbikëqyrur me shumë kujdes, për t’i bërë meshkujt provokues, joshës, seksi. Stilistët propozojnë për meshkujt veshje që nxjerrin në pah më shumë fizikun dhe sensualitetin, megjithëse gjithçka vërtitet rreth xhinsit.

Motoja

Motoja e kësaj vere për stilitët është një mashkull më seksi se kurrë. Dhe kjo vërehet në sfilatat milaneze dhe londineze. Me një palë xhinse, me këmisha pambuku apo lino, që nuk është mbërthyer plotësisht, duke zbuluar kraharorin, e shoqëruar me aksesorët e domosdoshëm si syze, kapele, bixhuteri, çanta shpine apo portofolë mesi. Gjithçka është ideuar dhe krijuar me kujdes. Veshje të qëndisura, me motive të stampuara, me kuadrate, në shumë ngjyra. Mbizotëruese janë ngjyrat tradicionale, bardh e zi. Roko Baroko, që në propozimet e tij mbron me shumë pasion markën “Made in Italy”, sjell veshje të stampuara me imazhe të lashtësisë, xhinse me hieroglife romake apo Koloseum të vegjël, të kombinuara me T-shirt, me shprehje si “I am very italian boy”. Shumë herë xhinset janë me vita të gjëra, të shoqëruara me bluza të ngushta e jakë V dhe me xhaketa kamosh. Ndërsa nga Parisi vjen një mashkull tjetër. I veshur me xhaketa të shkurtra, këmisha pambuku të pambërthyera, me mëngë të përveshura, xhinse të ngushta dhe linja pas trupi. Një mashkull aristokrat, tërheqës, por edhe ekstravagant, vjen nga sfilatat londineze. Stilistja e njohur britanike, Viviene Uestod, sjell tendeca provokuese. Meshkujt me funde apo pantallona të shkurtra me lule, apo shumëngjyrëshe. Gjithçka për të nxjerrë në pah edhe më shumë trupin e tyre, për t’i shndërruar në një objekt adhurimi dhe dëshire.

Eleganca

Mashkulli nuk harron asnjëherë të jetë elegant, në sjellje, stil dhe veshje. Shumë herë i çrregullt, por elegant. Këtë verë moda e meshkujve po i kushton vëmendjen stilit dhe cilësisë. Kujdes të madh detajeve dhe aksesorëve. Sfilatat e Pradas, Ferrè, Marras, Extè apo Frankie Morello, propozojnë veshje elegante në stilin pop. Aksesorë si yje, zemra, gurë të vegjël, të gjithë tendenca e re që Prada sjell nga lindja e largët dhe Azia. Për Pradën, baza e kësaj vere duhet të jenë veshje të lehta dhe të freskëta. Bluza me simbole, pantallona me shtrat të ulur dhe me penca, xhaketa pak të shkurtra, këmisha dhe T-shirt pa mëngë, etj. Ndërkohë që burri i Xhianfrako Ferres vishet me të bardha dhe kamuflazh. Një burrë që nuk trembet të vishet me ngjyra të theksuara dhe shokuese. Trendi i rafinuar dhe i përshtatur, megjithëse është mbizotëruese eleganca. Linja të pastra dhe të sofistikuara. Ngjyrat që e përbëjnë këtë stil janë ngjyra e gjelbërt ulliri, ngjyra e lehtë kafe, e kaltra marinare dhe ngjyra kafe, në kombinim me ngjyrën e kuqe. Ndërsa, Parisi dhe Londra me dy emrat legjendarë të modës, Jean-Paul Gaultier dhe Viviene Uestod, kishin preferuar ngjyrat e kuqe apo e bardhë. Qepjet e ndërlikuara që ajo zgjedh në krijimet e saj të kombinuara me copëza stilesh të vjetra dhe ngjyra të ndezura, që gjen aty këtu në veshjet e stiluara prej saj, tregojnë qartë për kreativitetin, origjinalitetin dhe risitë që ajo është e aftë të sjellë në botën e modës, edhe pse tashmë për të bëhen plot 35 vjet në këtë biznes. Ndërsa, Gaultier solli imazhe krejt të ndryshme në koleksionin e këtij sezoni, që karakterizohen prej veshjeve të bollshme, ngjyrave të lehta pranverore, që për të theksuar stilin e tij ishin të kombinuara me aksesorë të tillë si kapele me strehë. Gjithashtu në koleksionin e Gaultier u shpalosën me një stil tepër të rafinuar edhe krjime të tjera të cilat ishin në kontrast me ato të parat.



Stilistët shqiptarë “harrojnë” modën e meshkujve



Moda ka filluar t’i përshtatet gjithnjë e më tepër nevojave të meshkujve. Stilistët më me zë të modës i janë përkushtuar tërësisht lukut të meshkujve. Kuptohet, pa harruar asgjë dhe duke studiuar gjithçka në detajet deri më të vogla. Në pasarelat londineze, pariziene apo milaneze koleksionet e meshkujve janë konkurente të denja të atyre femërore, madje me plot gojën mund të thuhet se ato qëndrojnë në ekuilibër me njëra-tjetrën. Në fakt, në Shqipëri nuk ndodh e njëjta gjë. Stilistët shqiptarë i kanë kushtuar shumë pak vëmendje klienteve të tyre meshkuj. Ndërsa, thuhet se një pjesë e tyre paraqet koleksionet e fundit pranverë-verë 2009, meshkujt aty shihen shumë pak për të mos thënë që janë indiferente fare. E vetmja mënyrë, që ata kanë për të kuptuar se çfarë është në modë dhe çfarë nuk është mbeten revistat dhe sfilatat e stilistëve të mëdhenj botërorë. Me sezonin e ri, moda padyshim që ka ndryshuar edhe për ta. Veshjet sportive, këtë verë, duket se do të predominojnë në garderobën mashkullore. Një variete materialesh, me shumë kolorit, paksa edhe ekstravagancë, kanë dashur ta përcaktojnë modën e kësaj vere stilistët. Një pjesë e mirë, e të cilëve ka zbritur dhe në butikët e Tiranës, për tu prezantuar tek meshkujt shqiptarë. Ngjyrat janë menduar të njëjta për të dyja sekset. Ato janë të ndezura, të forta dhe të kombinuara mes tyre në mënyrë shumë harmonike dhe me tepër fantazi. Në vend të luleve, tek meshkujt, do të jenë prezente figurat gjeometrike dhe vijat, të cilat të vendosura mbi këmisha do të krijojnë imazhe ngacmuese dhe shumë tërheqëse. Për ata, të cilët duan që të guxojnë dhe parapëlqejnë ta ndjejnë veten si në ndonjë ishull ekzotik mund ta gjejnë veten tek këmishat me dizenjo, ku spikasin lulet e mëdha, me ngjyra të forta. Një model “sharltanesh” siç u pëlqen të thonë shpesh evropianët. Për tipat më seriozë mbeten këmishat me figura gjeometrike, apo me vija, të cilat për këtë verë konsiderohen si më shik-et e meshkujve. Me to mund të jesh shumë elegant, por në të njëjtën kohë edhe tepër i modës. Këmishat e zhubrosura mbeten një tjetër element, që propozohet nga stilistët, për meshkujt këtë verë. Kryesisht ato që dominojnë janë me ngjyrë bezhë, të bardhë dhe të kafenjtë. Rrudhat, në këmisha dhe pantallona, janë menduar nga stilistë për të dy sekset njësoj. Kështu, meshkujt do ta kenë më të lehtë, pasi në stinën e nxehtë nuk do t’iu duhet të hekurosin këmishat e tyre. Të rehatshme, të modës, ato janë kështu edhe praktike. Meshkujt shqiptarë janë shumë të kujdeshëm dhe kërkues në pamjen e tyre të jashtme, madje dhe në detajet më të vogla, që shpesh lihen pas dore, duke i konsideruar si vogëlsira dhe të parëndësishme. Dëshira për të qenë sa më pranë të bërit tendencë ka bërë që meshkujt të jenë në kërkim të vazhdueshëm të imazhit të tyre perfekt, në veshje, aksesorë dhe pamjen në tërësi.







25 Prill 2009