Megjithëse reshjet e borës kanë pushuar, ka vështirësi në qarkullim për shkak të ngricave
Eljona Lata

Moti keq me reshje bore ka sjellë bllokimin në disa akse rrugore të vendit. Megjithëse reshjet kanë pushuar, situata paraqitet e ndërlikuar për shkak të shtresave të akullit të krijuar nëpër rrugë, duke vështirësuar kështu kalimin e automjeteve. Edhe në Portin e Durrësit janë hasur vështirësi. Për shkak të detit të trazuar, disa nga motopeshkatoret nuk kanë dalë fare për peshkim. Sipas të dhënave zyrtare, problem ka pasur në pjesën verilindore dhe juglindore të vendit. Një pjesë e komunave të këtyre zonave janë e bllokuar nga reshjet e shumta të borës. Sipas policisë, automjetet, në të gjitha këto akse, nuk kanë mundësi të lëvizin pa zinxhirë.
Zona verilindore
Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendin tonë janë shënuar ulje drastike të temperaturave. Rënia e temperaturave ka krijuar shtresa akulli në akset rrugore të zonës duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Më problematike në këtë zonë mbetet aksi rrugor Kukës-Peshkopi, i cili është i bllokuar për shkak të ngricave të krijuara nga temperaturat e ulëta. E kalueshme me zinxhirë është aksi Bulqizë-Peshkopi, ndërkohë që situata mbetet problematike në komunat Ostren, Trebisht dhe Krastë të Martaneshit. Në rrugën që lidh Bulqizën me Krastën situata është më e vështirë sepse pavarësisht hedhjes së skorieve dhe kripës nga borëpastrueset, temperaturat e ulëta pengojnë shkrirjen e akullit. "Vetëm në segmentin Shëmri-Qafë Shllak po përdorim një borëpastruese, pasi në akset e tjera rrugore është akulli që ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve", - u shpreh dje drejtori i Ndërmarrjes rajonale të Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi, duke shtuar se për këtë arsye, për mbajtjen hapur të akseve rrugore, po punohet kryesisht përmes hedhjes së skories e kripës. Sipas Gashit, është hedhur disa herë kripë në segmentin e autostradës Kukës-Morinë, katër kamionë me kripë janë hedhur në segmentin Kukës - Qafë Shllak dhe nga dy kamionë me kripë në segmentet Kukës - Nangë, Kukës – Krumë. Hedhja e kripës në rrugët kryesore vazhdoi gjatë gjithë ditës së djeshme për shkak të temperaturave mjaft të ulëta që krijojnë shtresë akulli në trasetë e rrugës.
Kalimi, vetëm me zinxhirë
Në akset kryesore rrugore janë përforcuar postblloqet e policisë, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë. "Pavarësisht situatës së krijuar, deri tani nuk kemi pasur bllokim të aksit kryesor rrugor që lidh Shqipërinë me Kosovën, as ndonjë rast aksidenti", - bëjnë të ditur burime zyrtare të policisë lokale. Ndonëse trashësia e borës nuk i kalon 20 centimetra, si rrjedhojë e shtresave të akullit, të bllokuara janë komunat e Grykë Cajës, Zapodit, Kalisit dhe Arrnit në rrethin e Kukësit, akse rrugore që menaxhohen nga Ndërmarrja e mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale dhe komunat.
Zona juglindore
Në rajonin juglindor të Korçës të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndonëse me zinxhirë. Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonën gjatë 24 orëve të fundit. Mësojmë se Drejtoria e Rrugëve ka vënë në dispozicion të menjëhershëm tre borëpastruese. Gjithashtu janë hedhur edhe skorie në rrugë për t’i mbajtur ato të hapura për kalimin e mjeteve. Burime nga Drejtoria Rajonale e Mirëmbajtjes së Rrugëve bëjnë të ditur se mjetet borëpastruese kanë punuar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Qafë-Thanë, Qafën e Qarrit, Qafë-Plloçë dhe përgjatë akseve rrugore Korçë- Kapshticë, Korçë-Pogradec dhe Korçë-Ersekë, ku pas pastrimit të dëborës është bërë kriposja e tyre. Në zonat malore si Dardhë, Voskopojë, Vithkuq dhe Lekas ka rreth 25 cm dëborë. Edhe brenda në Korçë, ku ka vetëm 5 cm dëborë, sërish janë vërejtur se rrugët janë me shtresë akulli. Sipas shërbimit sinoptik të Komandës Rajonale Mbrojtëse, temperatura më e ulët ka qenë minus 7 gradë celsius dhe më e larta minus 2 gradë celsius.
Porti Durrës
Moti keq ka sjellë probleme dhe në Portin e Durrësit për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë nga veriu, të cilët kanë karakterizuar orët e fundit kushtet meteorologjike në rajonin e Durrësit. Deti i trazuar, me forcë 5 dhe era e fortë me drejtim nga veriu, po rikthen në kalatat e portit të gjitha motopeshkatoret që kanë dalë gjatë 4-5 ditëve në gjueti. Temperaturat e ajrit gjatë natës së kaluar kanë rënë edhe më tej, por në qytet dhe në rrethinat tij nuk janë vërejtur ngrica. Sipas parashikimeve moti do të vazhdojë të jetë i thatë, ndërsa era do të ruajë të njëjtin drejtim. Kushtet detare nuk do ta pengojnë veprimtarinë përpunuese të anijeve tregtare si dhe lëvizjen e mjeteve të mëdha lundruese.

Moti për javën që vjen
Meteorologët parashikojnë një mot të kthjellët, por të ftohtë, kryesisht në mëngjeset e ditëve në vijim, ku termometri do të shënojë vlera nën zero gradë celsius. Pra, muaji janar, sipas meteorologëve, pritet të mbyllet me ditë të kthjella, por të ftohta. Temperaturat e ulëta nën zero të kësaj jave do të jenë prezente në territorin e vendit edhe në javën që do të vijë.
“Dita e diel do të shënojë temperatura minimale nën zero gradë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Përsa i përket javës në vazhdim pritet që të nisë deri në tri ditët e para të saj kryesisht me dominim kthjellimesh dhe vranësirash kalimtare, por që temperaturat do të rinisin të rriten. Kjo rritje, në fakt, do të jetë jo shumë e ndjeshme, 1 deri në 2 gradë", - thotë Lajda Porja, meteorologe. Përsa u përket reshjeve, ato do të jenë në formën e dëborës javën që vjen, por meteorologët thonë se ato nuk do të jenë problematike për bllokimin e rrugëve. "Ne pjesën e dytë të javës pritet të ketë reshje dëbore që do të jenë me intensitete shumë të dobëta dhe do të jenë të përqendruara vetëm në zonat malore", - shprehet Porja.


Moti për nesër
Territori shqiptar nesër pritet të dominohet nga mot i kthjellët, por temperaturat e ulëta do të ndihen sërish. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me dominim të kthjellimeve në zonat e ulëta dhe bregdetare, por në zonat malore do të ketë edhe kalime vranësirash.
Në kushtet e kthjellimeve dhe vranësirave kalimtare do të mbetemi në mbrëmje dhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat e mëngjesit, por mesdita do të sjellë rritje me 1-2 gradë të temperaturave në vend. Era do të fryjë e lehtë, me shpejtësi deri 25 km/h dhe drejtim kryesisht lindor, ndërsa deti do të ketë dallgëzim të ulët.

Qytetet Temp. min Temp. maks.
Tirana -1 11
Durrësi 1 12
Kukësi -5 2
Shkodra -2 10
Lezha -1 11
Korça -5 1
Gjirokastra -2 8
Vlora 2 12
Saranda 3 12

25 Janar 2010