Informimi mjedisor vazhdon të jetë tejet i ulët, duke u shoqëruar edhe me pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve. Sipas Bashkisë së Tiranës, arsyeja kryesore përse mungon në kryeqytet procesi i riciklimit të mbetjeve urbane ka ardhur për shkak të dy elementëve të sipërpërmendur. Për këtë, bashkia nga muaji mars i këtij viti ka nisur një fushatë mjedisore tremujore, përmes së cilës synon vetëdijesimin për rolin e riciklimit të mbetjeve urbane në ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit të qytetit.


Fushata


Deri më tani fushata ka pasur aktivitete, të cilat janë fokusuar tek tema e mjedisit, me nëntema riciklimi i mbetjeve urbane, reduktimi i mbeturinave, gjelbërimi dhe përmirësimi i ajrit. Ndërkohë, ajo që është vërejtur në këtë fushatë ka qenë mungesa e koshave të veçantë, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësi të bëjë në realitet procesin e riciklimit. Bashkia e Tiranës nuk e ka konsideruar si element dhe pjesë të domosdoshme shtimin e koshave dhe ndarjen e tyre, veç për plastikën, veç për letrën dhe për qelqin.


Por gjatë prezantimit të parë të fushatës mjedisore, kryebashkiaku Edi Rama nis kështu: “Bashkia e Tiranës, e vetëdijshme për rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit të qytetit, për të qenë më afër me nevojat e të tashmes pa rrezikuar aftësinë e brezave të ardhshëm të jenë afër nevojave të tyre, promovon Fushatën Mjedisore për Reduktimin e Mbetjeve”. Më tej vijon “duke ju drejtuar grupeve të ndryshme, aktivitetet e të cilëve prekin, ndryshojnë apo ndikojnë në mjedis, Bashkia e Tiranës orienton se është detyrim të mbrojë dhe rë kultivojë një mjedis të shëndetshëm dhe se duhet punuar së bashku për të siguruar qëllimin e përbashkët”. Por realisht, çfarë synoi fushata dhe cilat ishin projektet konkrete, që të synohej ulja e nivelit të ndotjes dhe reduktim të mbetjeve urbane? Siç u përcaktua edhe në fushatë, puna fillimisht nisi përmes ekspozimit të informacioneve të përgjithshme mbi reduktimin e mbetjeve urbane dhe riciklimin e tyre në pavijonin e xhamtë në sheshin “Skënderbej”. Kjo u përcaktua një pikë-takimi, ku përveçse shpërndahen informacione, pati ide dhe organizime leksionesh mbi temat e qytetit dhe mjedisit. Materialet e shkruara ishin të pranishme aty, në forma të ndryshme, si fletëpalosje informative apo tabela krahasuese, me qëllim sensibilizimin e grupeve të ndryshme komunitare. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me grupin studentor SIFE do të jetë një instrument i fuqishëm për të sensibilizuar të rinjtë e shkollave të mesme. Një tjetër element i kësaj fushate vazhdon të mbetet vullnetarizmi. Gjatë kësaj fushate u parashikuan aksione vullnetare për pastrimin e territorit, grupe riciklimi e shumë aktivitete të tjera komunitare. Por deri më tani nuk ka pasur asgjë të tillë. Ndërkohë që më aktivët duket se kanë qenë më të vegjlit, për të cilët mjedisi dhe mbrojtja e tij erdhi nëpërmjet argëtimit dhe lojërave ndërvepruese. Brenda pavijonit të xhamtë bashkia pati krijuar një kënd të veçantë për fëmijët me animatorë të specializuar që i sensibilizojë ata, përmes lojërave interaktive.


Reduktimi


Të gjithë elementët e sipërpërmendur pretendohet se do të ndryshojnë situatën në të cilën gjendet kryeqyteti jonë. Duke bërë një rezyme se si ka qenë puna e bashkisë vitin e kaluar, ajo jep edhe disa pritshmëri për të ardhmen. Kështu, bazuar në të dhënat e Bashkisë së Tiranës përgjatë vitit 2008 janë depozituar 590.000 ton prej tyre, mbetje të riciklueshme 52 për qind. Ndërkohë që rezulton se mjedisi i përbashkët shpesh është i ndotur. Më tej të dhënat vlerësojnë se ajo çka mbetet problematike është se riciklimi nuk ka nisma të qëndrueshme. Gjithmonë, sipas bashkisë, informimi mjedisor është i ulët, duke u shoqëruar me pjesëmarrja qytetare të ulët. Përmes fushatës mjedisore, bashkia synon që për të ardhmen t’i reduktojë mbetjet urbane me 100kg/banorë/vit, duke reduktuar gjithashtu ndotjet nga mbetjet e çastit me 20 për qind. Ndërsa mbetjet e rrezikshme nga veprimtaritë shtëpiake, reduktim me 15 për qind. Një rëndësi tejet të veçanta kreu i bashkisë i jep informimit në shkolla dhe komunitet, duke rritur informimin me 15 për qind. Nga ku pret që angazhimi aktiv i komunitetit të rritet me 15 për qind, duke rritur në këtë mënyrë njohuritë dhe veprimtaritë qytetarëve me 20 për qind dhe duke rritur riciklimin e mbetjeve urbaneve me 10 për qind.


Riciklimi


Riciklimi është procesi i ripërpunimit të mbeturinave. Kohët e fundit ky proces ka një zhvillim të gjerë në shumë fusha industriale: të hekurit, drurit, plastikës, të qelqit. Për ta bërë sa më të thjeshtë këtë proces dhe ripërfitimin e materialeve të riciklueshme është vënë në funksion grumbullimi i diferencuar i mbeturinave në kontenitorët përkatës: letër, qelq, plastikë apo mbetjet e njoma (që janë mbetjet ushqimore). Riciklimi i mbeturinave ndihmon planetin tonë. Grumbullimi i mbeturinave sjell një mjedis më të pastër për ne e fëmijët tanë, kurse riciklimi i tyre mbron burimet e pasuritë natyrore, që të mos shteren kurrë. Ripërdorimi, reduktimi, riciklimi... janë 3 fjalët më të rëndësishme që ndihmojnë natyrën dhe mjedisin ku jetojmë. Ndryshe të quajtura 3R (Nga angl. Redece, Recycle, Reuse. Nga ital. Ridurre, Ricilare, Riutilizzare). Riciklimi bëhet i mundur falë ndihmës tonë. Jemi në ata që duhet të diferencojmë fillimisht mbeturinat që prodhojmë. Për të bërë një grumbullim të diferencuar sa më efektiv, është e rëndësishme të njohim cilat janë materialet e riciklueshme dhe si duhet t’i ndajmë ato.








Somario





Sot





Viti 2008, depozituar 590.000 ton





Prej tyre, mbetje të riciklueshme 52 %





Mjedisi i përbashkët shpesh i ndotur





Riciklimi pa nisma të qëndrueshme





Informimi mjedisor i ulët





Pjesëmarrja qytetare e ulët





Nesër





Mbetjet urbane, reduktim me 100kg/banorë/vit





Ndotja nga mbetjet e çastit, reduktim me 20%





Mbetjet e rrezikshme nga veprimtaritë shtëpiake, reduktim me 15%





Informimi në shkolla dhe komunitet, rritje me 15%





Angazhimi aktiv i komunitetit, rritje me 15%





Angazhimi i komunitetit të biznesit, rritje me 20%





Njohuri dhe veprim nga qytetarët, rritje me 20%





Riciklimi i mbetjeve, rritje me 10%