“Arsimi universitar privat po shkon drejt një stadi të ri cilësor në hapësirat shqiptare” thotë në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, e vetmja femër rektore në Konferencën e Rektorëve të Shqipërisë, rektorja e Universitetit “Pavarësia”, Prof.Dr.Arta Musaraj


INA: Universiteti Pavarësia është licencuar në mars të vitit 2009, me një vendim të Këshillit të Ministrave. Cili është misioni Juaj si Universitet?


Musaraj: Universiteti vjen në hapësirën universitare shqiptare e atë Evropiane me një mision të qartë dhe një identitet të mirë projektuar. Universiteti "Pavarësia" me synimin të jetë vendi ku formohen profesionalisht dhe ndërtojnë bazat e së ardhmes gjithë ata studente që kërkojnë arsim cilësor, në të njëjtën kohë, paraqet një vlerë të shtuar intelektuale, kulturore e qytetarie në rajon. Studentët tanë e gjejnë veten në qendër të vëmendjes se institucionit, që njëkohësisht u mundëson akses në tregun e punës. Ata janë pjesë e një universiteti që synon të kthehet në një qendër të rëndësishme kërkimi ndërkombëtarë, përmes programeve dhe rrjeteve të ngritura me universitetet partnere. Ata janë duke u diplomuar në një universitet që ngre dhe ruan reputacionin e tij dhe vepron mbi bazën e strategjive afatgjata të zhvillimit. Gjithë brezat e studentëve tanë që krijon vlera intelektuale, kulturore e qytetarie për të gjithë komunitetin ku vepron.



Me sa fakultete përbehet ky universitet dhe a posedon një staf akademik profesional, të aftë për t’i përgatitur studentët për tregun e punës në Shqipëri dhe më gjerë?


Oferta studimore e Universitetit Pavarësia Vlorë është e pasur në tituj studimi të cilat konkludojnë me profesione të mirëfillta, gati për tu artikuluar në tregun e punës. Universiteti është organizuar në dy fakultete: Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore dhe Fakulteti i Shkencave të Aplikuara Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Shoqërore lëvron studime në Ekonomi, Drejtësi dhe Shkenca Politike. Diplomat e fituara prej studentëve tanë në këto degë dhe njohuritë e aftësitë e fituara prej tyre në fushat e organizimit dhe drejtimit të biznesit e ekonomisë në përgjithësi, sistemin e drejtësisë, rëndësinë, funksionimin, mbarëvajtjen e tij, në fushën e politikave rajonale, evropiane e kombëtare dhe impaktin e tyre në zhvillimin politik, shoqëror e ekonomik të vendit, janë jo vetëm një garant i punësimit dhe zhvillimit të karrierës së studentëve tanë, por i sigurojnë atyre dhe vetë Universitetit, një vend dhe mundësi reale kontribuimi në zhvillimin tonë ekonomik e social. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara lëvron studime në degët e Arkitekturës dhe Inxhinierisë Informatike. Titujt e diplomave me të cilat pajisen studentët tanë në këto dy degë, paraqesin jo vetëm dy profesione që sigurojnë punësim të menjëhershëm, por në të njëjtën kohë hedhin bazat në transformimin e Universitetit Pavarësia, në një universitet kërkimi. Logjistika e vënë në dispozicion nga Universiteti ynë për zhvillimin e studimit dhe punëve laboratorike në këto degë, është jo vetëm avangarde, por tepër funksionale në aftësimin e mirëfilltë të studentit në specialitetin e tij. Marrëveshjet me universitete partnere dhe organizata të rëndësishme, sigurojnë periudha studimi e internshipe duke revolucionarizuar studimin dhe formimin profesional të studentëve tanë në këto degë. Në të njëjtën kohë, ne jemi jo vetëm vendi ku ndërtojnë bazat e një karriere të suksesshme e të qëndrueshme studentët tanë, por institucioni që mbështet dhe nxit zhvillimin akademik dhe shkencor të stafit dhe ekspertëve tanë, të përzgjedhur me shumë kujdes, që mbartin eksperiencë në mësimdhënie dhe avancim akademik e shkencor të dukshëm. Anëtarët e stafit përmes marrëveshjeve me partnerët tanë Evropianë e ndërkombëtarë, janë përfshirë në zhvillimin e drejtimin e kërkimeve shkencore të mirëfillta me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të rajonit.



Cili është bashkëpunimi Juaj me Universitet Evropiane dhe ato të rajonit?


Universiteti Pavarësia me synimet për të qenë pjesë e integruar e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë e njëkohësisht një institucion aktiv e prezent në kërkime shkencore ndërkombëtare, ka ndërtuar dhe vazhdon të zgjerojë hartën e vet të partneriteve me universitete evropiane në zë dhe institucione kërkimore e shkencore të këtij niveli gjithashtu. Fusha e këtyre partneriteteve është shumë e gjerë, përfshi programet e përbashkëta të studimit, mobilitetet e stafit e studentëve, kërkimet shkencore përmes konsorciumeve të përbashkëta e shumë të tjera. Kjo jo vetëm zhvillon e rrit universitetin tonë në mënyrën dhe formën që duhet për një universitet të mijëvjeçarit të tretë, por zgjeron realisht kufijtë e lëvizjes për studim dhe punësim të studentëve tanë, duke qenë kështu pjesë e proceseve integruese të vendit. Kështu për të përmendur ne listojmë sot partneritete dhe bashkëpunime me Universitetin e Marcheve, Universitetin e Genovas, Universitetin La Sapienza, apo të tjera si CERRPMED dhe EBES. Ne jemi tashmë pjesë e programeve të rëndësishme evropiane apo e rrjeteve të shkëmbimeve universitare si TEMPUS, CEEPUS . Fryt i këtij partneriteti Universiteti Pavarësia do të organizoj vitin që vjen ndoshta konferencën më të madhe shkencore në rajon mbi zhvillim ekonomik. Shumë i rëndësishëm për ne është bashkëpunimi me Universitetin EJL, Maqedoni, bashkëpunim përmes të cilit synojmë bashkërisht të realizojmë gjithë tipet e aktiviteteve të listuara më sipër, e njëkohësisht, të lehtësojmë e përshpejtojmë një integrim frytdhënës rajonal në arsimin e lartë, duke identifikuar e forcuar vlerat e përbashkëta, e njëkohësisht përfituar nga pikat e forta të njëri tjetrit.



A keni studentë nga Maqedonia dhe Lugina e Preshevës që vijojnë mësimet në Universitetin Pavarësia?


Aktualisht, në vitin akademik në vijim, nuk ka studentë nga lokalitetet e përmendura nga ju, që ndjekin studimet tek ne, ndonëse kemi disa studentë nga diaspora. Por gjej momentin të shpreh mirëpritjen dhe mbështetjen që Universiteti Pavarësia Vlorë i bën studentëve dhe stafit akademik nga këto zona e gjithë Maqedonia në përgjithësi...



Kohë më parë përmes një votimi online të gazetës së Vlorës, ju u zgjodhët "Personazhi më i Spikatur i vitit 2009" për Vlorën. Cili është mesazhi kryesor që dërgon komuniteti përmes këtij votimi?


Një iniciative shume e guximshme kjo, qe një gazetë lokale, "Imperial", merr atributet e një medie të përgjegjshme për të realizuar misionin e saj me qytetarët, jo thjesht të përsëritë modelin e krijuar në shumicën e rasteve, ku opinioni diktohet dhe ngulitet nga mediet kombëtare e lokale edhe për interesa të ngushta të grupimeve e kategorive të caktuara të shoqërisë shqiptare. Ky votim në një farë mënyre ishte një barometër shumë i mirë i matjes së shkallës së ndërgjegjësimit civil, si dhe për të reflektuar përmes votimit të emrit të personazhit të caktuar, për ndjeshmërinë dhe vlerat, çka ata konsiderojnë pozitive për jetën e tyre, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi. Vetë fakti që njerëzit përpara kompjuterëve të tyre, në një përqindje të konsiderueshme të popullatës gjykojnë, analizojnë dhe së fundi votojnë, dëshmon se sistemi i vlerave shoqërore i vënë në pikëpyetje dhe udhëkryq jo në pak raste, referuar 20 viteve të fundit te historisë sonë, ka dalë nga fushë e trullosjes, dhe ka tanimë identitetin e vet të shprehur qoftë edhe përmes këtij votimi. Unë sinqerisht më tepër sesa çmimit, i gëzohem faktit të një sfide, që bën opinioni qytetar. Pjesëmarrja ne një shkalle te madhe tregoj qe Vlora e fitoj këtë sfide. Dhe çmimi ne te tilla kushte jep një kënaqësi te shumëfishtë.


Marrë nga agjencia informative “INA”

...