28/02/2005  Java që u mbyll, ishte java e një pranie të fortë të ndërkombëtarëve në Tiranë. OSBE ishte në krye të përpjekjeve për të negociuar mes palëve, për përfundimin e ndarjes zgjedhore. Negociatorët e Komisionit Europian në Tiranë, për raundin e radhës së negociatave, me tone më të ashpra se kurrë fplën për problemin e zgjedhjeve në radhë të parë dhe për pika të tjera të marrveshjes së Stabilizim – Asocimit, kurse, në Vjenë, u zhvillua një sesion i Këshillit të Përgjithshëm të OSBE, për Shqipërinë. Eshtë kronika vetëm e nje jave. Kështu janë mbushur ditët, javët , muajt dhe vitet e përpjekjes sonë demokratike, për të bërë të mundur funksionimin e mekanizmit demokratik.


Kur dukej, se diku nga viti 2002, më në fund jeta politike në Shqipëri dhe aktorët kryesorë dhe dytësorë të saj po ndërgjegjësoheshin për një “risovranizim” të hapësirës politike të brendshme, për një përgjegjësi dhe luajalitet më të madh mes aktorëve lokalë për qëndrueshmërinë dhe ecjen përpara të procesit demokratik, duket se jemi kthyer sërish prapa. Ndërkombëtarët janë më të nevojshëm se kurrë për të çuar me paterica përpara, mekanizmin demokratik. Rasti i reformës elektorale, në çdo hap të tij tregoi sa e nevojshme është akoma prania ndërkombëtare në Shqipëri.


Në fakt, si shpjegohet ky “rreth – rrotullim” i pambarim i jetës demokratike, e cila evolon diçka dhe kthehet sërish në pikën e parë, duke na krijuar në politikën e pas viteve 1990, një “Rozafë”, e cila, ashtu si në legjendën e lashtë të kështjellës, vjen dhe kthehet pambarimisht në të njëjtën pikë.


Në fakt, në historinë tonë politike, konceptin e “kompleksit të Rozafës” dhe mekanizmat e “ikjes” prej tij, e ka instaluar dhe trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, filozofi Artan Fuga, në librin e tij “IKJA NGA KOMPLEKSI I ROZAFES”( shtëpia botuese Dukagjini, Prishtinë, 2000) dhe nuk mbetet veçse për ta aplikuar këtë tezë në rastin e pranisë, rolit dhe domosdosë së ndërkombëtarëve në Shqipëri.


Pavarësisht nga progresi i herë pas hershëm, pavarësisht nga profesionalizimi i politikës, pavarësisht nga eksperienca e shtuar politike, duket qartë se vartësia e zhvillimeve të brendshme politike nga prania ndërkombëtare, është esenciale. Asnjë prej ligjeve, reformave apo vendimeve politike me peshë, nuk ecën përpara pa ndërmjetësinë e ndërkombëtareve. Mjafton të kujtojmë në harkun e dy viteve të fundit, disa prej reformave kyçe. Bëhet fjalë për Ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, për ligjin për Kompensimin e Ish – të Përndjekurve Politikë, Për Ligjin e Formalizimit të Zonave Informale, Për projekt – ligjin për Aktin e Lirisë së Shtypit, për projekt – ligjin për Transmetimet Televizive Digitale. Dhe mbi te gjitha, për të gjitha hapat e reformës zgjedhore, balancimi i KQZ, regjistrimi i popullsisë, ndarja e zonave elektorale, dhe Kodi Elektoral, ku prania e komunitetit nderkombëtar ka qenë esenciale. Dëshpërimisht, vihet re që bëhet fjalë për të gjitha ligjet më të rëndësishme në vend, për të gjitha reformat esenciale të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.


Përveç qeverisë, si aktor kryesor, përveç opozitës si aktori alternativ, “komuniteti ndërkombëtar” apo “ndërkombëtarët”, janë kthyer në “pala e tretë” që është e domosdoshme që secila prej çështjeve të rëndësishme të politikë së ditës, të jetës institucionale, të ecë përpara, apo të paktën të marrë një drejtim.


Prania e komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri vjen dhe bëhet jetike, duke filluar të paktën pas vitit 1996 dhe problemeve të zgjedhjeve të atij viti. Jeta politike e brendshme, e humbi aftësinë – vetërregulluese dhe sistemi politik i brendshëm, e kishte të pamundur prodhimin e “anti – korpeve” të domosdoshme që “shërojnë një trup politik” nga sëmundjet dhe mutacionet e tij të herëpashershme, për ta kthyer sistemin politik në shtratin e një rrjedhe normale demokratike.


Gjatë krizës së vitit 1997, kjo prani u bë esenciale në formën e pranisë së trupave ndërkombëtare të Operacionit Alba dhe misionit të ish – kancelarit austriak, Franc Vranicki, për të ndërmjetësuar krizën e 1997. Që nga ajo kohë, prania fizike e komunitetit ndërkombëtar në terren, përmes misionit të përhershëm të OSBE në Tiranë, rolit të jashtëzakonshëm në politikën e ditës të Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, është aq e madhe, sa ata janë shdërruar në “aktorët e tretë” të jetës politike, përveç qeverisë dhe opozitës, pa fjalën e të cilëve, asgjë nuk shkon përpara, asgjë nuk merr rrugë për mirë apo për keq qoftë.


Disa gjeste politike të prodhuara prej aktorëve politikë lokakë, si Marrëveshja e 9 Marsit në vitin 1997, Marrëveshja Nano – Berisha me 2002 për zgjedhjen e presidentit konsensual dhe reformën e insitucioneve, kanë mbetur vetem “akte” të shkëputura dhe nuk janë trupëzuar dot në kulturën politike të përditshme. Në vakumin e kësaj gjëje, roli dhe prania e ndërkombëtarëve në jetën e brendshme, ka vazhduar të mbetet jetike.


Cila është rrugëzgjidhja për ta “ri – normalizuar” sistemin tonë të brendshëm politik, për të bërë atë autonomi, nga tronditjet e mëdha, nga thyerjet e mëdha dhe për pasojë prishja esenciale ekulibrit politik dhe atij shoqëror. Legjenda e Rozafës, na e ka dhënë moralin e fabulës së tij: Dikush një ditë duhet ta bëjë një sakrificë, aktorët politikë duhet më në fund të “pranojnë” sistemin demokratik, ku kemi hyrë. Demokracia liberale është një sistem i “institucionalizimit të konflikit” në insitucione dhe në shtratin e hekurt të një procedure demokratike me rregulla të hekurta dhe neutrale ndaj aktorëve pjesëmarrës në proces. Dhe mbi të gjitha, bindja ndaj cilitdo rezultati që vjen nga kjo, aplikimi korrekt i kësaj procedure demokratike.


Zgjedhjet e reja të përgjithshme, janë rasti që tema e “aftësisë vetërregulluese të sistemit tonë politik” të shndërrohet në një temë qëndrore të fushatës dhe projektit politik të forcave politike. Qeveria, pra shumica e majtë në pushtet, nuk po kanë vullnetin për tu sjellë në mënyrë luajale me pushtetin, në funksion të garantimit të mekanzimit vetërregullues të sistemit tonë politik. Edhe pse qeveria e sotme, kur ishte “opozitë e djeshme” ishte viktima e abuzimit të pushetit të PD, me ardhjen në pushtet pas vitit 1997, ajo u shndërrua pak nga pak nga “viktimë” në “agresore” e demokracisë shqitpare. Dhe po tregon përditë se pa një presion dhe kushtëzim ndërkombëtar, ajo nuk është e gatshme të “lëshojë” asgjë nga abuzimi që bën përditë, nuk ka ndërmend të korrigjojë asgjë nga mungesa e thellë e luajalitetit ndaj procedurës demokratike. Kjo duket qartë. E kanë të qartë mediat, aktorët shoqërorë, Brukseli dhe Uashingtoni së bashku.


Sfida reale i mbetet opozitës së sotme. Partia Demokratike, e cila ka shans të jetë pushteti i nesërm, duhet të garantojë qytetarët dhe aktorët lokalë apo ndërkombëtarë, se si nuk do të kthehet nga një “viktimë” e deritanishme në një “agresore” e së nesërmes, se si do të garantojë mekanizmin demokratik, se si do të garantojë pakicën parlamentare në të drejtat e saj, se si do të garantojë që sistemi i drejtësisë do të japë vendime të drejta dhe jo në favor të qeverisë, se si në fund të fundit, do të garantojë që në zgjedhjet e tjera, të mos kemi nevojë për negocimin e OSBE për të bërë zgjedhje të lira, të mos kemi nevojë për monitorim të ndërkombëtarëve për të ruajtuar dhe numëruar votat. “Ikja nga kompleksi i Rozafës”, meriton të shndërrohet në një argument elektoral të këtyre zgjedhjeve.