STRASBURG





Vendimet e Gjykatës Kushtetuese për mosekzekutimin e vendimit, konsiderohen "joefektive" nga GjEDNJ-ja





Kërkohet zgjidhje me mirëkuptim mes palëve, për t'i lehtësuar barrën financiare qeverisë shqiptare





TIRANË- Një i larguar me të padrejtë nga puna, ashtu si edhe një ankues për çështje pronash, gjetën dje përkrahjen e Gjykatës së Strasburgut, e cila e penalizoi përsëri shtetin shqiptar meqenëse nuk arrin të ekzekutojë vendimet e gjykatave të tij të brendshme.





Me dy vendimet e publikuara, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut përjashton gjithashtu si mjet efektiv ankimet në Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet respektive të dhëna prej saj lidhur me mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore.





Vendimet e saj konsiderohet të kenë vetëm karakter deklarativ dhe si të tilla, sipas Strasburgut, nuk eliminojnë shkeljen e konstatuar dhe njëkohësisht nuk japin asnjë lloj penaliteti financiar për dëmin financiar dhe jofinanciar, që mund t'i jetë shkaktuar ankuesit.





Ankuesi i parë është Ali Gjyli, që ishte i punësuar si drejtor i Qendrës së Trajnimit Profesional në Durrës deri më 9 korrik 2005, kur edhe u shkarkua nga detyra pa asnjë motivacion.





Pas vetëm dy muajsh, Gjykata e Durrësit e konsideroi të pavlefshëm këtë vendim dhe urdhëroi rikthimin e tij të menjëhershëm në detyrën e mëparshme.





Gjykata e Strasburgut e konsideron si shkelje mosekzekutimin e vendimit gjyqësor të vitit 2005 nga ana e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dhe Ministrisë së Punës si institucion qendror për sa i përket rikthimit në punë të ankuesit, sepse vetë Kodi Shqiptar i Punës e parashikon si mundësi rikthimin në punë të ankuesit.





Duke qenë se ka edhe një vendim gjyqësor të brendshëm, që urdhëron rikthimin e tij në punë, ky vendim duhet ekzekutuar. Në vitin 2006, ankuesi filloi një proces tjetër civil kundër Shërbimit Kombëtar të Punësimit, për të kërkuar marrjen e pagës që prej ditës së largimit nga puna deri në datën e rikthimit në të njëjtën detyrë. Po atë vit, Gjykata e Durrësit i dha të drejtë shtetasit Gjyli.





Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, edhe pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit, autoriteti shtetëror përgjegjës nuk ka paguar ende ankuesin. Në pritje të vendimit nga Gjykata e Lartë, Strasburgu i ofroi shtetit shqiptar mundësinë e zgjidhjes me mirëkuptim të çështjes me ankuesin, pasi në vendim shprehet që "nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje mirëkuptimi brenda tre muajsh, atëherë masa e dëmshpërblimit do të vendoset nga gjykata".





Kjo ishte çështja e parë kundër Shqipërisë lidhur me mosekzekutimin e vendimeve në fushën e marrëdhënieve të punës.





Ajo hap dritën jeshile për shumë individë, të cilët disponojnë vendime gjyqësore për dëmshpërblim page ose për rikthimin në punë, të cilat nuk ekzekutohen nga autoritetet shtetërore.





"Vrioni", shteti shqiptar shkeli të drejtën e pronësisë



Po dje, Gjykata e Strasburgut dha vendimin e saj për çështjen "Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë dhe Italisë".





Ankuesit janë trashëgimtarë të familjes Vrioni që kishin një prone prej 1637 m2, që u konfiskua nga shteti komunist në vitin 1950, aty ku sot ndodhet brenda territorit të Ambasadës Italiane. Kjo e fundit përfitoi të gjithë pronën në këmbim të godinës që iu dha ambasadës sonë në Romë.





Pasi KKKP-ja, njohu të drejtën e pronësisë për ankuesit në vitet 1996 dhe 1999, nisi konflikti gjyqësor ndaj Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme.





Ky konflikt përfundoi në vitin 2002, kur gjykatat shqiptare vendosën anulimin e vendimeve të komisionit për kthimin në natyrë të pronës, duke sanksionuar kompensimin e ankuesve në një prej formave të parashikuara nga ligji. Që prej kësaj kohe, ky vendim nuk është ekzekutuar ende, ndaj ankuesit iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut.





Ky institucion gjeti shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si edhe shkelje të së drejtës së pronës nga ana e shtetit shqiptar me anë të mosekzekutimit të vendimit. Ankuesit kërkojnë një dëmshpërblim prej 2,7 milionë eurosh si dëm pasuror dhe 200 mijë euro si dëm moral.





Ashtu si në çështjen "Gjyli kundër Shqipërisë", GJEDNJ-ja i "dha dorën" edhe një herë qeverisë shqiptare, që të reflektojë në lidhje me zgjidhjen e problemit të kompensimit për ish-pronarët, duke u përpjekur që të gjendet një zgjidhje mirëkuptimi midis ankuesve dhe shtetit shqiptar.





Megjithatë kjo nuk e shmang shtetin nga pagimi i një shume të konsiderueshme, sepse në zonën ku ndodhet prona, vlera e caktuar për kompensim me VKM është 120 mijë lekë për m2.