Grimcat e rrezikshme të ajrit vazhdojnë të jenë problematike në vendin tonë. Megjithëse pas monitorimeve që u kryen në qytetet më të mëdha të Shqipërisë, thuhet se ka një tendencë ulje, sërish krahasimet bëhen me nivelet e vendit tonë e jo me ato normalet. Vlerat duhen llogaritur në bazë të të dhënave që kanë të gjithë vendet evropiane, ndërkohë që në vendin tonë ato llogariten në rang kombëtar e jo ndërkombëtar. Qyteti më i ndotur vazhdon të rezultojë Tirana, ku pikat më kulmore janë kryqëzimet e mëdha, dhe listën e kryeson pika e 21 Dhjetorit. Një ndër grimcat më të rrezikshme që është NO2 vazhdon të jetë i pranishëm në masa të ekzagjeruara në kryeqytet.


Rritje e NO2 te Kryqëzimi i  "21 Dhjetorit"
Ajri urban rezulton i pastër për 4 tregues SO2, NO2, O3 dhe Pb, të cilët rezultojnë  brenda normave të lejuara të Standardit Shqiptar në të gjitha stacionet dhe qytetet e monitoruara, thanë të mërkurën burime nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Sipas MMPA-së, monitorimi i  cilësisë së ajrit urban është kryer për 6 indikatorët më kryesorë, PM10, LNP, NO2, SO2, O3, Pb dhe në 1 stacion PM2.5, në 5 qytete Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Shkodër, në 9 stacione të përzgjedhura në zonat urbane më të rënduara. Bazuar në të dhënat e monitorimit, vërehet një tendencë në rritje e përmbajtjes së NO2 në stacionin e monitorimit Kryqëzimi i  "21 Dhjetorit" (Tirana 1), pasi  vlerat e regjistruara tejkalojnë normat e BE, por janë brenda normave shqiptare. Kjo rritje, sipas të njëjtave burime, shpreh ndikimin vendimtar të shkarkimeve të automjeteve në rritjen e përmbajtjes së NO2 në ajër, pasi dhe stacioni është zgjedhur i tillë që të jetë në kryqëzim rrugësh me trafik të rënduar. Gjatë vitit të kaluar, përmbajtja e pluhurave në ajrin urban  PM10 (grimca nën 10 mikron) dhe LNP, (lëndë e ngurtë pezull) paraqet përmirësim të dukshëm në krahasim me vitin 2007, pasi në 4 stacione (nga 2 në 2007) përmbajtja e PM10 rezulton brenda normave të standardit shqiptar dhe 2 prej tyre plotësojnë normën e BE. Në Tiranë, në stacionin "21 Dhjetori", megjithëse tejkalohet norma, ka përmirësim të ndjeshëm, pasi përmbajtja e PM10 dhe LNP është ulur 3 herë në krahasim me vitin 2007, theksojnë burimet nga MMPAU.
LNP, grimca që po mbyt Elbasanin
Bazuar në të dhënat e monitorimit, në Elbasan ka gjithashtu përmirësim progresiv të cilësisë së ajrit urban, pasi në stacionin në qendër të qytetit vlera e PM10 në 2008 rezulton brenda normës shqiptare, kurse LNP tejkalon shumë pak normën. Në 3 stacionet e tjerë (në qytetet Shkodër, Fier dhe Vlorë) përmbajtja e PM10 dhe LNP është pothuajse në te njëjtat nivele, si gjatë vitit 2007. Monitorimi i ndotjes atmosferike nëpërmjet analizës elementare të aerosoleve, konfirmon se përmbajtja e  metaleve toksike në ajrin urban në qendër të Tiranës rezulton në vlera mjaft më të ulëta se normat e lejuara. Ndërsa, sipas të dhënave, elementet e lidhur me pluhurin tokësor, si K,Ca, Ti dhe Fe janë në përqendrime më të larta. Në drejtim të uljes së konsumit të substancave ozon-holluese (LOH) dhe respektimin e kuotave të caktuara nga Protokolli i Montrealit, vendi ynë ka bërë një progres mjaft pozitiv, duke marrë edhe përgëzime zyrtare, pasi sasia e LOH të konsumuara është ulur nga viti në vit (nga  4.4 ton në vitin 2007, në 2.2 ton në vitin 2008). Progres i rëndësishëm është bërë në metodologjinë e matjeve të indikatorëve të cilësisë së ajrit. Vendosja e pajisjeve automatike dixhitale në 4 stacione (2 në Tiranë dhe 2 në Elbasan) ka sjellë rritje të frekuencës së matjeve, cilësinë dhe besueshmërinë e të dhënave.