Ndotja e ajrit mbi normat e lejuara po shkakton situatë alarmante mbi shëndetin e popullatës. Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit për vitin 2009-të në gjashtë qytete Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Korçë dhe Vlorë konfirmojnë se nivelet e ndotjes së ajrit janë mjaft të larta. Monitorimi i ajrit është realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe specialistët theksojnë se ndotja e ajrit vazhdon të jetë 3 herë më e lartë se normat e lejuara nga BE.





Gazeta publikon raportin e fundit të ndotjes së ajrit dhe qytetet më të ndotura në vend, të cilat i kanë kaluar normat e rekomanduara nga BE-ja.





Monitorimi





"Krahasuar me normat e lejuara të vendeve të BE-së, ato janë përgjithësisht 2-3 herë me të larta. Këto vlera vazhdojnë të jenë ndër më të lartat në shifra absolute në krejt vendet e BE-së, duke na klasifikuar pa ndonjë ndryshim sinjifikativ në zonën e rrezikut shëndetësor", - pohojnë specialistët e ISHP-së. Në bazë të monitorimit, qyteti më i ndotur në vend vazhdon të jetë Tirana, pasi normat e ndotjes janë afërsisht 3 herë më të larta se të BE-së.





"Tirana me ndotjen nga LNP (grimca totale) rezulton me një mesatare 323, ndërkohë që normat e BE-së janë 80, ndërsa ndotja nga PM 10 (grimcat e respirueshme) janë 148, ndërsa normat e lejuara nga BE- janë 148.





Ndërkohë, Tirana është i vetmi qytet që i ka kaluar normat e BE-së edhe sa i takon ndotjes nga NO2, pasi ka arritur në 52 nga 40 që janë në normat e BE-së", - pohojnë specialistët, duke shtuar se pas Tiranës qyteti më i ndotur është Durrësi i pasur nga Shkodra Fieri dhe Korça.





Ndotësit





Problematike për ndotjen e ajrit, sipas specialistëve të ISHP-së, mbetet sidomos grimcat e ngurta. "Ato kapërcejnë dukshëm nivelin më të lartë të kufirit të përcaktuar prej Udhëzimeve mbi Cilësinë e Ajrit të OBSH për PM 10 (grimcat e respirueshme) dhe LNP (grimca totale) si edhe standardet e cilësisë së ajrit të përdorur në vendet e Bashkimit Europian lidhur me këta indekse", shpjegojnë specialistët e ISHP-së. Ndërkohë, ata pohojë se përbërësit e tjerë të ajrit të monitoruar gjatë vitit 2009-të në të njëjtat pika janë përgjithësisht brenda normave të lejuara respektive.





Vetëm përmbajtja e dyoksidit të azotit NO2 po rritet gradualisht, gjë që shpreh ndikimin vendimtar të shkarkimeve të automjeteve në rritjen e përmbajtjes së tij në ajër. "Me këto ritme rritjeje brenda pak vitesh edhe ky gaz toksik do të kapërcejë normat e BE-së në ajrin urban të qyteteve kryesorë të ne", pohojnë specialistët e ISHP-së, duke shtuar se në Tiranë vlera e tij mesatare tashmë kapërcen normën e BE-së. E njëjta gjë vërehet edhe për përmbajtjen e benzenit C6H6 në ajër, që është një ndotës me veti të njohura kancerogjene.







Sipas studimeve të ISHP-së, mendohet se jetët e shqiptarëve shkurtohen me rreth 2 vjet dhe sjell rreth 1400 raste të reja me kancer



Pasojat e ndotjes, kancere dhe vdekshmëri e lartë



Ndotja e ajrit e ajrit po sjell situatë alarmante në efektet negative që po sjell mbi shëndetin e popullatës. Madje, specialistët e shëndetit publik shpjegojnë se vendi ynë është klasifikuar në zonën e rrezikut shëndetësor. Kancere dhe rritje të vdekshmërisë, këto janë pasojat kryesore që sjellë ndotja e ajrit. Ndërkohë, specialistët shpjegojnë edhe shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit.





"Kjo ndotje pakëson jetëgjatësinë e banorëve, rrit vdekshmërinë për efekt të sëmundjeve kardiovaskulare, kontribuon për avancimin dhe keqësimin e sëmundjeve kardiovaskulare e respiratore, dhe gravizon frekuencën e ashpërsinë e simptomave astmatike e të sëmundjeve akute respiratore të fëmijëve", - pohojnë specialistët e ISHP-së.





Pasojat





Ndotja e ajrit në vendin tonë është mbi normat e lejuara nga BE-së dhe kjo po shkakton pasoja të parikuperueshme mbi shëndetin e si pasojë po ulet jetëgjatësia e njerëzve.





"Ekspertët që kanë kryer hulumtimin për ndotjen e ajrit në Tiranë, paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do të jetë 1- 2 vjet për çdo banor", - theksojnë specialistë të ISHP-së, duke shpjeguar se pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit nuk mbarojnë këtu, pasi bëhet fjalë edhe për qindra jetë njerëzish që humbasin çdo vit. Kështu, sipas studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregon se, në vendin tonë mendohet të ketë rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit, dhe kjo për shkak të ndotjes së ambientit.





Kanceret, sipas tyre, janë të llojeve të ndryshme, sidomos ai i mushkërive, lëkurës dhe shumë sëmundje të tjera. "Këto të dhëna, të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, konsiderohen mjaft alarmante dhe nevojitet menjëherë të ndërhyrjet për përmirësimin e situatës", pohojnë specialistët, duke shtuar se plan veprimi për cilësinë e ajrit, do të ketë vëmendjen e duhur në terma ligjorë institucionalë, programorë dhe financiarë.





Shkaktarët





Shkaktarët e ndotjes së ajrit janë të shumtë, por specialistët rendisin tre shkaktarët kryesorë, të cilat mbajnë edhe peshën kryesore të nivelit të ndotjes. "Automjetet e vjetruara dhe trafiku i makinave është një ndër shkaqet kryesore të ndotjes së ajrit", pohojnë specialistët, duke shpjeguar se kjo lidhet edhe me rrugët e prishura.





Ndërkohë, sipas specialistëve, faktor tjetër i ndotjes janë edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen apo djegia e mbeturinave vend e pa vend.





Rezultatet mesatare,viti 2009

LNP PM 10 O3 SO2 NO2 Pb

Shkodra 230 112 68 15 24 0,25

Durrësi 250 121 72 18 28 0,27

Tirana* 323 148 90 21 52 0,4

Fieri 225 110 74 33 27 0,25

Korça 221 93 75 12 31 0.24

Vlora 212 87 91 9 31 0.27





Norma BE 80 50 110 50 40 0,5



Me Bold janë dhënë vlerat që kapërcejnë normat e lejuara të BE-së.



*************



Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministri, Bejtja, ndryshimet klimaterike sjellin efekte negative mbi shëndetin



Bejtja: Vendi ynë i rrezikuar edhe nga ndryshimet klimaterike



Ndryshimet klimaterike do të thotë të ketë më shumë valë të nxehti, pra verë të nxehtë dhe në zona të caktuara, sidomos në vendet mesdhetare nga ku nuk bën përjashtim as vendi ynë. Specialistët e shëndetit publik pohojnë se dhe vendi ynë tashmë do përballet edhe me efekte negative të ngrohjes globale. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazment Bejtja, shpjegon efektet negative mbi shëndetin që sjell ngrohja globale.





"Fenomenet negative, të cilat godasin direkt personat që kanë më shumë sëmundje kardiovaskulare apo të qarkullimit të gjakut", pohon Bejtja, duke shtuar se efekte të tjera negative është edhe elementi ndikimit në prishje të infrastrukturës, prishjes apo rrjedhës së ujërave të zeza, të bardha, pasi mund të kenë përzierje të tyre dhe krijojnë rrezik për epidemi dhe ky rrezik ishte edhe për përmbytjet në Shkodër.





Sipas tij, çështja e klimës dhe efekti i ndryshimeve klimaterike në shëndet është një nga problemet kryesore të shumë vendeve dhe praktikisht është e provuar, tashmë, nga një plan ndërkombëtar që ndryshimet klimaterike janë evidente.





"Ne si shëndet publik na takon të marrim sa më shumë masa me politika dhe strategji për të zbutur efektet e ndryshimeve klimaterike në shëndet dhe për të ndaluar efektet e dëmshme", pohon Bejtja, duke shpjeguar se edhe përmbytja që ndodhi në Shkodër në një masë të caktuar i atribuohet ndryshimeve klimaterike aq më tepër që shfaqet në ekstreme.





Sipas tij, tashmë është vënë re në dekada një ngitje e temperaturës, por në fund të fundit ngritja e temperaturës shoqërohet në luhatje vjetore të shprehura me fenomene natyrore, si përmbytje, thatësira uragan, shira etj. Të gjitha këto shoqërohen me ndikime të tjera negative në faunë, florë, në pyje dhe eurozione të tokës, të cilat shfaqin ndikime negative mbi shëndetin.





Ndërkohë, ai shpjegoi se aktualisht po realizohet një projekt në vendin tonë për ndryshimet klimaterike, i cili mbështetet nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani me koordinimin e OBSH-së.





Sipas tij, projekti konsiston në evidentimin e rreziqeve më të mëdha që janë hasur në Shqipëri sa i takon ndryshimeve klimaterike dhe më pas se çfarë masash duhet të marrim që të jemi të përgatitur për këto ndryshime. "Shqipëria është shumë e prekur nga valët e të nxehtit ndaj dhe ne jemi të preokupuar që të dalim me rekomandime", pohon Bejtja.





Djegiet plastike, burim sëmundjesh





Mbeturinat plastike duan mijëra vjet të dekompozohen, ndërsa djegia e tyre sjell sëmundje kancerogjene brenda pak vitesh. Kështu shprehen ambientalistët për problemin e mbetjeve plastike, të cilët rekomandojnë se zgjidhje më e mirë është riciklimi i tyre. Sipas specialistëve, djegia e mbetjeve plastike po kërcënon çdo ditë e më shumë njerëzit.





Ky fenomen vihet re sidomos në qytet e mëdha si Tirana, Durrësi dhe Fieri. "Djegia e mbetjeve plastike çliron në ambient gazra helmuese, të cilat sjellin sëmundje të rënda. Në fakt, kemi të bëjmë me një problem shumë të madh sa i takon trajtimit të mbetjeve plastike.





Njerëzit nuk e dinë se ato janë shumë të rrezikshme, sidomos kur digjen, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre", - theksojnë specialistët. Ndërkohë, pikërisht për problemin e mbetjeve plastike UNICEF po realizon program në disa shkolla të vendit për sensibilizimin për ndotjen plastike.





OBSH: Të maten më shumë element ndotës të ajrit





Ndotja e ajrit është problem për vendin tonë, ndaj kërkohet cilësi më e madhe në monitorimin e ajrit. Sipas nëndrejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shqipërinë, Vasil Miho, matjes së ndotjes së ajrit duhet t'i shtohet edhe ozoni, benzeni dhe indikatorë të tjerë, pasi kjo do të sillte monitorim më cilësor.





Madje, ai pohon se ambientalistët kanë hedhur idenë që rezultatet e matjes së ajrit të bëhen transparente për gjithë publikun dhe të ekspozohen çdo ditë në një vend të dukshëm.





"Është hedhur ideja se në një vend të dukshëm të kryeqytetit të jepen të gjitha të dhënat për ndotjen e ajrit, çdo ditë si të ishte parashikimi i motit", pohon Miho. Sipas tij, për të pasur një monitorim sa më cilësor për ndotjen e ajrit, tashmë OBSH-ja me mbështetjen e Qeverisë Gjermane do të realizojnë blerjen e dy aparaturave moderne për matjen e ajrit.





PM 10 gjatë pesë viteve të fundit në ajrin urban në Shqipëri



µg / m3 Viti 2005 Viti 2006 Viti 2007 Viti 2008 Viti 2009

Shkodra 107 100 101 108 112

Durrësi 91 93 100 116 121

Fieri 93 106 102 112 110

Tirana* 172 163 159 173 148

Korça 63 82 91 92 93

Vlora 72 86 89 86 87

Mesatare 100 105 107 114 112





Norma BE 50 50 50 40 40



*Mesatare

e 4 pikave



Me Bold janë vlerat mbi normat e lejuara të BE-së.