Drejtoria e Rajonale e Higjienës: Nxënësit vuajnë kryesisht nga infeksione respiratore



Ndotja e mjedisit është kthyer në një problem tepër shqetësues për shëndetin e popullatës. Nga inspektimet e fundit që janë bërë nga Drejtoria Rajonale e Higjienës bëhet e ditur se nga ndotja e mjedisit janë shkaktuar një sërë problemesh dhe sëmundjesh të nxënësit e shkollave, nga mosha 6-17 vjeç. Kështu, sipas specialistëve të higjienës behet me dije për gazetën se mbi 57 për qind e nxënësve në shkolla janë të sëmurë për shkak të mjedisit





të tej ndotur. Infeksione respiratore, vështirësi në frymëmarrje dhe alergji të ndryshme, janë disa nga pasojat mbi shëndetin e nxënësve, për shkak të tej ndotjeve të ndryshme në mjediset e institucioneve arsimore. Nga inspektimet që ne kemi bërë në 9 mujorin e fundit na ka rezultuar se rreth 26% e nxënësve kanë kaluar infeksione respiratore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme, dhe rreth 11 % e nxënësve kanë pasur vështirësi në frymëmarrje, kryesisht gjatë 12 muajve të fundit. Shqetësimet e nxënësve për shkak të mjedisit ku bëjnë mësim janë shfaqur edhe me alergji, pasi rreth 20 për qind e tyre janë prekur nga këto alergji, kanë pohuar burimet nga Drejtoria e Higjienës.

Mjediset në shkolla
Studimi është realizuar në disa shkolla të Lagjes Nr. 10 (Njësia bashkiake Nr.3 dhe Nr.4). Sipas specialistëve, ky studim është bazuar në matjen e treguesve mikroklimaterikë, tregues fizikë dhe mikrobiologjikë, si dhe tregues shëndetësor. Rezultatet e studimit kanë qenë tronditëse, pasi përveç ndotjes së ajrit, janë vënë re edhe statistika të tjera si p.sh në 88% të klasave niveli i zhurmave është mbi vlerat standarde të OBSH (vlera standard është 35dB). Me tregues tepër negativ, sipas studimit ka rezultuar edhe koeficienti i ndriçimit, sepse në 64% të klasave koeficienti i ndriçimit (tregues i ndriçimit natyral) është nën vlerat standarde të OBSH (vlera standarde është 1/6-1/7). Kjo sipas specialistëve sjell pasoja negative mbi shikimin e nxënësve, pasi ndriçimi i dobët për orë të tëra ndikon drejtpërdrejt mbi shikimin e tyre. Mbipopullimin e klasave me nxënës duket se nuk e dëshmojnë vetëm ankesat e këtyre të fundit dhe stafit pedagogjik, por edhe vetë studimi i ISHP-së, të cilët e rendisin këtë fakt si ndër më problematikët, pasi kjo ndikon edhe negativisht, edhe mbi shëndetin e tyre. "Në 88% të klasave rezulton mbipopullim, ku vlera normë e sipërfaqes së klasës për një nxënës është 1. 5m²-2m²", bëhet e ditur në studim, por si të mos mjaftonin këto studimi është tepër pesimist edhe sa i takon lagështirës në klasa, pasi në 67% të klasave vlera e lagështisë relative është mbi vlerat standarde të OBSH (vlera standarde është 40%-60%). Gjithashtu ka treguar rezultate tepër negative edhe sa i takon ndotjes së ajrit në ambientet e brendshme, në 82% të klasave paraqitet kontaminim i lartë mikrobik i ajrit dhe në 66% të klasave kontaminim i lartë mykologjik i ajrit.

Faktorët që ndikojnë në ndotje
Faktorët që kontribuojnë në ndotjen e ajrit janë të shumtë si p.sh mjetet motorike që është faktori kryesor dhe që luan rolin më të madh në ndotje, më pas sektorët e ndryshëm të industrisë kanë një kontribut në ndotje, po ashtu sektori i ndërtimit luan një rol të lartë në ndotjen e ambientit, etj. Nëse ndalemi dhe analizojmë mjetet motorike, si ndotës të mëdhenj të ambientit, vërejmë se numri i makinave është rritur me një progresion të frikshëm këto kohet e fundit. Duke patur një trafik të ngarkuar dhe lëvizje të ngadaltë e shpeshherë të shoqëruar me ndalime, bëhet e mundur që në ambient, të krijohet më shumë ndotje se sa do të kishim në rastin kur makina do të ecte me shpejtësi konstante. Nga ana tjetër, mirëmbajtja e automjeteve shpeshherë nuk kryhet në përputhje me rekomandimet e fabrikuesit, gjë që shkakton një shkarkim të konsiderueshëm në ambient të gazrave dhe të substancave të djegura mirë. Këto shkarkime varen shumë edhe nga cilësia e karburanteve që përdoren për konsum. Gazrat që çlirohen nga automjetet, benzina apo nafta, janë disa herë më të rrezikshme se ato të pluhurit, pasi këto gazra futen lehtësisht në organizëm dhe shkaktojnë sëmundje të rënda.


Pasojat e ndotjes së mjedisit
- 26% e nxënësve kanë kaluar infeksione respiratore
- 11% e nxënësve kanë pasur vështirësi në frymëmarrje
- 20% e nxënësve ishin alergjik