Drejtoria e Higjienës: Shkaqet e ndotjes së ujit, ndërhyrjet e paligjshme në rrjet dhe mospastrimi i depozitave

Uji i pijshëm në kryeqytet vazhdon të jetë i ndotur dhe për pasojë qytetarët ende nuk mund të pinë lirshëm ujin e çezmave. Nga analiza vjetore e kryer nga Drejtoria e Higjienës ka rezultuar se numri i pikave të ujit të pijshëm me ndotje ka ardhur në rritje në vitin 2009 në krahasim me vitin 2008. Sipas të dhënave ka pasur një rritje të dyfishuar ku nga 6.3 % e pikave të ndotura që rezultonin për 2008, në 2009 ka arritur në 12% të tyre duke arritur, në një dyfishim të rasteve.





 Burimet pranë kësaj drejtorie bëjnë me dije se specialistët që merren çdo ditë me ekzaminimin e mostrave të ujit të pijshëm rendisin disa shkaqe të ndotjes, ndër to është dhe pakujdesia e qytetarëve. Në të shumtën e rasteve ndotja vjen edhe për shkak të pakujdesisë të qytetarëve, të cilët duhet të pastrojnë vazhdimisht depozitat, sepse në periudhën e shirave ka më shumë mundësi të rritet ndotja e ujit të pijshëm. Ndaj ne u rekomandojmë qytetarëve që të paketën 2 herë në vit të bëjnë pastrimin e depozitave, bëhet e ditur në analizë, ku ndër të tjera thuhet se zonat më të rrezikuara në kryeqytet janë zonat e Kinostudios, rruga Ali Demi dhe një pjesë e bulevardit Zogu Parë.

Analiza dhe shkaqet e ndotjes
Gjatë analizës së djeshme u fol për të gjitha pikat ku merren mostrat në qytet dhe në zonat përreth. Këtu përfshihen impiantet, për të gjitha depot. Nga analiza e pikave të ndotura të ujit të pijshëm, ka rezultuar se nga 400 pika që ishin në 2008-n, janë shtuar edhe 300 pika fundore më shumë duke e çuar numrin në 700 për 2009-n. Në të gjithë kryeqytetin pjesa më e madhe e qytetarëve e blejnë ujin e pijshëm. Në bazë të analizave kimike dhe bakterelogjike në këto tre javët e fundit nuk ka pasur ndonjë rast shqetësues përveç të ndonjë rasti sporadike. Nga analiza e fundit të kryer në zonë e Farkës doli se uji i ishte i përdorshëm, pa ndonjë lloj ngarkese. Zonat e vjetra që funksionojnë me rrjet shpërndarës të vjetër kanë më shumë risk për të pasur më shumë mundësi të ndotjes së ujit të pijshëm. Sipas specialistit, problemet me ujin e pijshëm ka ardhur edhe nga depozitat. Ata këshillojnë se pas një sezoni me shira ku risku i ndotjes është më lartë, duhet të boshatiset depozitat për ta pastruar, sepse uji është i ndenjur dhe në fund grumbullohet një shtresë, e cila bëhet shkak i ndotjes. Shkak tjetër kanë qenë punimet nëpër rrugët dhe kryqëzimet e shumta që ekzistojnë midis tubacioneve. Specialistet e higjienës shpjegon se rastet sporadike kanë ndodhur kryesisht në zonat ku janë bërë punimet ku mund të jenë shtuar rrugë nga ku mund të jenë dëmtuar kanalizimet e ujërave të bardha me të zeza duke shkaktuar ndotjen e ujit. Shefi i shërbimit të higjienës shpjegoi dje se monitorimi shtrihet në të gjithë zonën përreth Tiranës. Sidomos në periudhën e shirave kur rreziku i ndotjeve mund të jetë më i lartë për shkak të mbushjes së pesetave.

Ndotja
Gjatë analizës u bë me dije se në qytetin ë Tiranës janë të rrezikuar disa zona për,  shkak të ujit të ndotur që konsumojnë dhe për më tepër në këto zona uji është i pakontrolluar dhe klorifikuar nga Drejtoria e Higjienës dhe Shëndetit Publik. Sipas burimeve pranë Drejtorisë së Higjienës mësojmë se uji i pijshëm është problematik në mbi 5 zona periferike të kryeqytetit, kjo për shkak të ndërtimeve të paligjshme, si dhe lidhjeve të pa ligjshme që qytetarët bëjnë. Drejtuesit e Drejtorisë së Higjenës bëjnë të ditur se janë mbi 5 zona ku uji i pijshëm është i pakontrolluar higjenikisht, kryesisht në periferi të Tiranës. Zonat, problematike që nuk mund të monitorohen dot nga Drejtoria e Higjienës, për shkaqet e mësipërme janë: Hidrocentrali deri tek Depot, po ashtu edhe zonat përreth Bovillës së Vjetër. Një tjetër zonë që ka probleme me ujin e pijshëm është dhe Liqeni Artificial dhe zonat përreth tij, po ashtu është edhe Kodra e Diellit është një ndër zonat më problematike që përveçse është e pa kontrolluar nga Drejtoria e Higjienës, ka probleme edhe në mungesë të ujit. Një tjetër zonë problematike është Kashari, ku sipas informacioneve nga drejtoria e Shëndetit Publik, banorët e kësaj lagje nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre. E vetmja mundësi për ta janë çezmat dhe puset, por që sërish janë të pa kontrolluar nga drejtoria jonë përsa i përket cilësisë së ujit, pohojnë burimet pranë drejtorisë se Higjienës.

Liri Mëhalla