Ndoshta ka mjaftuar një “trokitje” kujtese nga shkrimi i botuar në “standard”, që strukturat e Shëndetit Publik në Durrës të mblidhen dhe të nisin verifikimet dhe kontrollet në gjithë zonën bregdetare të qarkut të Durrësit. Synimi është eliminimi i çdo vatre e cila mund të përhapë epidemi nga malet me mbeturina në disa prej komunave. Prej ditës së martë e deri në fund të muajit një ekip miks i përbërë nga bashkiakë, tatimorë dhe mjekë infeksionistë do të kontrollojnë dhe evidentojnë afro 54 km gjatësi të vijës bregdetare të qarkut të Durrësit, ujin e detit dhe vendin ku aktualisht derdhen ujërat e zeza apo të kanaleve të tjera ndotëse. Sipas kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako, dhe drejtores së Shëndetit Publik, Lida Boshku: “Rastet e denoncuara si dhe hapja e sezonit të ri turistik 2009, ku aktualisht ne presim këtë vit një pesëfishim të numrit të turisteve nga vendi dhe rajoni, kanë lindur si nevojë të ngutshme marrjen e masave urgjente”. Dako tha se “do të mbyllen dhe penalizohen të gjithë ata që shërbejnë me gropa septike në plazh, asnjeri nuk do të tolerohet, plazhi do të kthehet në zonë krejtësisht të pastër higjenikisht”. Por pjesët më të ndotura të bregdetit të Durrësit sipas zonjës Boshku: “Janë grykëderdhjet e lumenjve dhe përrenjve dhe të kanaleve që përfundojnë në det. Ky është një konstatim i organeve tona të shëndetësisë, të cilat kanë detyrë që të monitorojnë edhe plazhet të cilët frekuentohen nga mijëra e mijëra vetë”. Përveç ndotjeve të shkaktuara prej plehrave urbane dhe mbeturinave të ngurta në bregdet, ekzistojnë edhe ndotjet mikrobike të cilat janë rezultat i prurjeve të lumenjve, përrenjve e kanaleve. Atje derdhen ujërat e zeza, plehrat dhe mbeturinat industriale të cilat më pas përfundojnë në det. Në ditët e para të marsit, institucionet e shëndetësisë të cilat kanë si objekt të punës së tyre mbrojtjen e shëndetit të popullatës, po realizojnë një testim për të parë nivelin e pastërtisë në plazhet e Durrësit. Synimi ishte vija bregdetare e cila shtrihet nga Kepi i Rodonit deri te derdhja e Përroit të Agait gjithsej 54 km e gjatë. Ata do të kontrollojnë jo vetëm pastërtinë e ujit të detit, por edhe atë të rërës si dhe të ujit të pijshëm. Për këtë qëllim do të analizohen ashtu si në vitin e shkuar, kampione prej secilit prej këtyre elementëve të zonave bregdetare Nga analizat e kryera në vitin 2008, ka rezultuar se zonat më të ndotura të bregdetit janë grykëderdhjet e lumenjve, të përrenjve e të kanaleve të cilat përveçse kanë akumuluar mbeturina të ngurta, janë edhe kontaminues të ujit të detit. Uji i detit paraqitet i ndotur në zonën pranë konvaleshencës së ushtrisë, pasi aty derdhet një kanal i cili përshkon Rrashbullin dhe pasi merr me vete ujërat e zeza të kësaj komune përfundon në det. Situatë e njëjtë është edhe në Porto Romano ku derdhet kanali i ujërave të zeza tek muri rrethues i portit. Në Bisht-Pallë, vija bregdetare deri në Kepin e Rodonit përmban 3 zona të ndotura me një gjatësi prej 1,2 km. Rëra është e ndotur në të dyja anët e grykëderdhjes së Erzenit,në katundin Rinia si dhe në në Hamallaj te hidrovori ku derdhen mbeturinat e të gjithë zonës. Po ashtu, në këto segmente të bregdetit edhe uji i detit paraqitet i mbushur me mikrobe pasi gjatë rrugës lumenjtë, përrenjtë e kanalet marrin me vete edhe mbeturina organike. Një ekip infeksionistësh ka nisur nga puna dhe po evidenton të gjitha rastet duke mos kursyer asnjë subjekt privat që abuzon me higjenën, me moton “Për një turizëm evropian”.