07/10/2011  Basha në emisionin “Opinion” flet mbi investimet që do të ndërrmerren në Bashkinë e kryeqytetit dhe rrugët e reja


Zgjedhjet për kryetar dhe sekretar në PD? Basha: Do drejtoj Tiranën


Zoti Basha emisionin e fundit që ju ishit, mbërritët 5 minuta me vonesë për arsye të trafikut. Kam përshtypjen se trafiku vijon të jetë po kaq problematik në Tiranë. Sot kamera jonë ka shëtitur në Kryeqytet rreth orës 14:56. Cfarë po ndodh realisht me trafikun në Tiranë?


Jam plotësisht i informuar për gjendjen e trafikut në Tiranë sepse edhe vetë vazhdoj të përballem me trafikun dhe, në qoftë se Kryetari i Bashkisë, apo më përpara ministri i Brendshëm, me eskortë policie, kanë probleme me trafikun, mendoni se çfarë problemesh kanë qytetarët e thjeshtë ata që përdorin automjetet e tyre private, ata që përdorin mjetet e transportit publik, ku problemi i trafikut shumëfishohet, sepse këto mjete ecin më ngadalë, ndalojnë në stacione. E njëjta gjë vlen edhe për këmbësorët apo ciklistët e qytetit të Tiranës, të cilët janë të paktë, por që shpresoj të jenë më të shumtë me planin e masave që Bashkia e Tiranës po ve në jetë. Problemi i trafikut është një nga problemet më të mëdha në qytetin e Tiranës dhe ky nuk është vetëm një problem komoditeti.


-Dhe do vijë duke u rënduar kur numri i makinave në Tiranë do vijoj të shtohet zoti Basha sepse ne jemi nën mesataren Ballkanike të posedimit të makinave...


Problemi i trafikut është një problem shumë i madh dhe nuk është një problem komoditeti, siç mund të perceptohet nganjëherë me të padrejtë. Në radhë të parë është një problem ekonomik, çdo njësi kohore shtesë, çdo orë, çdo minutë që një qytetar kalon në trafik, është një kosto ekonomike për qytetin është një kosto ekonomike për ekonominë e qytetit dhe natyrisht është një kosto ekonomike për vetë qytetarin në kuptimin e automjetit të vet privat, apo në kuptimin e kohës së tij apo në kuptimin e vonesave që ky sjell në regjimin e përdishëm, qoftë ky aktivitet familjar për të çuar fëmijët në shkollë apo për ti marrë nga shkolla, akoma më shumë kur është një aktivitet që lidhet me performancën ekonomike të qytetarit, pra është një problem i madh ekonomik. Trafiku është një problem i madh ambjental jo vetëm nëpërmjet ndotjes së tepruar që ndodh kur makinat mbeten në vend numëro, por edhe nëpërmjet ndotjes akustike, dhe e gjitha kjo përkthehet në stres tek qytetarët, përkthehet në humbje kohe, përkthehet në një problem. Pra është një nga problemet më kryesore të kryeqytetit, si i tillë ka një vëmendje kryesore të Bashkisë së Tiranës dhe timen si Kryetar Bashkie. Në fushatën elektorale unë premtova një përqasje të shumëfishtë në problemin e trafikut. Së pari, një përqasje duke i hapur rrugë investimeve të mëdha të mbetura peng të luftës politike.


-Çdo të thotë investime të mëdha....


Të tilla si Unaza e Madhe e Tiranës, të tilla si investime strategjike në transportin publik, pra një rikonceptim i trasportit publik në Tiranë ku unë kam mbrojtur dhe sot po vë në jetë planin tim për ti dhënë Tiranës linjat e tramit, si transport me kapacitete të larta, me efiçentë të lartë apo me cilësi të lartë shërbimi.


-Linjat apo tramin?


Me linjat e tramit kam parasysh dhe shërbimin e tramit. Së treti paisjen e Tiranës me vendparkingjet në të gjitha nivelet, nëntokësor, mbitokësor, apo me kate, dhe trajtimin e çështjes së parkimit si një çështje akute, por po kështu si një çështje afatgjatë ku investimi do të jetë i tillë që të marrë parasysh të ardhmen e qytetit.


-Ku do parkojmë, mbi trotuare zoti Basha, siç ndodh sot rëndomt?


Këto që përmenda më sipër janë tre nga fushat kryesore, por ka dhe fusha të tjera ku ndërhyrje urbane jo të shtrejta, sigurisht jo të lira, do krijojnë mundësinë për një trafik më të lirë, për një lëvizje më të lirë dhe unë kam prezantuar së fundi disa prej këtyre ndërhyrjeve siç është rrethrrotullimi i doganës, ndërhyrja e përkoshme aty, apo siç janë zgjerimet e disa akseve të tjera rrugore në Tiranë. Por sigurisht dhe skema e përgjithshme e trafikut, sepse nuk mjafton të kesh rrugë të bollshme, duhet të kesh dhe një skemë të zgjuar trafiku. Këto janë ndërhyrjet në këto nivele që unë parashikoj që do sjellin lirimin e trafikut. Tani disa prej tyre do sjellin efekt pothuaj se të menjëhershëm.


-Cila janë këto ndërhyrje dhe për sa kohë do ndihet kjo?


Disa prej këtyre ndërhyrjeve do kenë efekt të menjëhershëm, disa të tjera nuk do sjellin ndryshim brenda natës, sepse investimet e mëdha do të kërkojnë kohën e tyre. E rëndësishme është sot që trafiku dhe forma e trafikut si një problem ekonomik, shëndetësor, stresi, një problem i çdo qytetari të Tiranës, pa dallim të rangut ekonomik, pozitës shoqërore apo vendit ku jeton në Tiranë, është një nga problemet kryesore të Bashkisë Tiranë dhe ne kemi filluar punën tonë për të ndërhyrë në të gjitha nivelet.


-Duket se zemra e trafikut në Tiranë është bllokimi i Sheshit Skënderbej. Sheshi “Skënderbej është konceptuar nga projektuesit italian si një “kros root” ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët që shpërndahen nga Tirana në qytetet e ndryshme të vendit të krahinave të ndryshme të vendit, Dibrës, Kavajës, Elbasanit, Durrësit, sipas dhe emrave që mbajnë. Aktualisht Sheshi është bllokuar, unaza e vogël nuk është ndërtuar, çfarë do të ndodhë realisht me trafikun në këtë drejtim?


Unë e kam shpjeguar dhe më përpara, me marrjen e detyrës së Kryetarit të Bashkisë, vura re me keqardhje të madhe se projekti i sheshit, ashtu siç ishte konceptuar, jo vetëm nuk e zgjidhte, por e rëndonte problemin e trafikut për kryeqytetin. Dhe kjo, pasi ishte injoruar tërësisht radha e punës, ajo që ju përmendët, ekzistenca e arterieve të tjera të trafikut si përshembull unaza e vogël, apo eventualisht, unaza e ndërmjetme siç quhet, thjeshtë me një të rënë të lapsit duke eleminuar edhe zgjidhje të zgjuara të projektit që ekzistonin edhe më përpara, siç ishte një tunel nëntokësor në aksin veri-jug, apo një parkim nëntokësor pranë Muzeut Kombëtar. Pra duke i injoruar këto me ekzekutimin e projektit. Projekti siç ishte nisur, përveç shkeljeve të tjera ligjore, sepse shkelte vetë parimin e dekretuar nga vetë paraardhësi im, kur ishte ministër kulture, të ndërhyrjes monumentale të sheshit, sillte siç e panë qytetarët e Tiranës, siç e shikojnë edhe sot e kësaj dite, një ngërç të madh të trafikut dhe i përcillet ky ngërç i gjithë qytetit. Nuk është problemi se ngërçi është i përqëndruar vetëm në qendër, ngërcin e trafikut në sheshin “Skënderbej” e përjetojmë nga Kinostudio deri në Kombinat, nga Selita në Bregun e Lumit, prandaj duke pasur parasysh këto probleme dhe duke drejtuar sytë nga e ardhmja, sepse mund të rrimë me orë të tëra të themi se çfar ndodhi gabim, ne ndërmorrëm një numër vendimesh.


Që janë...?


Vendimi i parë është rivendosja e trafikut në Sheshin “Skënderbej” deri në finalizimin e një projekti të qëndrueshëm në përputhje të plotë me legjislacionin dhe në përputhje të plotë me natyrën monumentale të sheshit dhe të aksit të kryesor të kryeqytetit.


-Projekti ishte aprovuar zoti Basha, ishte projekt i studios Belge i cili ishte aprovuar dhe me një përfaqësues të maxhorancës?





Ka një problem me projektin që ju sapo përmendët. Problemi kryesor është pikërisht injorimi i parametrave të trafikut dhe problemi i dytë është që aprovimi final që do të vinte nga institucionet përkatëse qëndrore, nuk erdhi pikërisht se një nga kriteret elementare të aprovimit ishte përputhshmëria me atë ligj, që vetë paraardhësi im, e ka kaluar kur ka qenë Ministër i Kulturës që është mbrotja e sheshit si Monument Kulture. Ndërkohë që sheshi i konceptuar në atë formë në atë mënyrë nuk do të mbronte atë parim minimal që e kishte dekretuar vetë.





-Pra ju po thoni që projekti i aprovuar do të ndryshoj?


Projekti nuk është i aprovuar, për këtë arsye, projekti nuk u aprovua. Ju e dini që edhe prefekti edhe qeveria insistuan për ligjshmërinë.


-Po financimi i deri tanishëm zoti Basha?


Financimi i deritanishëm do të ruhet dhe asnjë euro e hedhur deri tani nuk shkon dëm, sepse punimet e deritanishme janë punime nëntoksore, kryesisht ripërtëritje e infrastrukturës nëntokësore e cila përherë të fundit ishte ndërtuar në vitet 1988-1989 dhe punime të tjera nuk shkojnë dëm.


-Pra jeni i sigurt që asnjë nga paratë e hedhura në këtë projekt që ju sot e quani jo funksional nuk ikin kot?


Hapi tjetër për tu përqendruar fillimit të pyetjes tuaj është trajtimi i sheshit.


-Jeni i sigurtë se paratë e hedhura në këtë projekt nuk ikin kot..?


Sa po ua thashë. Së dyti, është trajtimi i projektit të sheshit në kuadër të zgjidhjes së problemeve, dhe jo krijimit të problemeve. Pra inxhinierëve do tu lihet kohë pikërisht për atë që ata kërkuan, të studiojnë, nevojën e një tuneli apo zgjidhjen tjetër brenda sheshit. Nevojën për të përshtatur lëvizjen jashtë sheshit dhe pastaj për të ardhur në konkluzionin nëse sheshi është i përshtatshëm për të ndaluar plotësisht trafikun e makinave dhe çfarë do të thotë kjo për pjesën tjetër të qytetit kur duhet ndërhyrë. Apo nuk është i përshtatshëm për këtë ndërhyrje, në këtë kuadër sheshi duhet të rikonceptohet në një mënyrë tjetër.


-Ju po i lini të dy versionet edhe që ai të jetë një zonë kombësore dhe një zonë me makina?


Këto janë vendime të cilat nuk duhet të kenë një karakter paraprirës, kokëfortë dhe politik, ne do i lemë ekspertët të gjykojnë. Pikërisht mungesa e kohës ka sjellë mungesën e gjykimit, kjo është e kaluara, kurse unë jam i përkushtuar për të ardhmen.


-Kush po e studion...?


Të njëjtët inxhinierë që kanë qenë dhe më përpara, të të njëjta firmave konsulente, po konsiderojnë opsione që u propozuan dikur po që nuk u morën parasysh. Ndërkohë, trafiku do të rikthehet në sheshin “Skenderbej” sipas një skeme të hartuar nga ekspertët më të mirë të trafikut dhe pjesët e tjera të sheshit do të rehabilitohen në mënyrë që në periudhën e punimeve në shesh, qytetarët të mos përballen as me stresin e trafikut, as me pamjen estetikisht të papranueshme për kryeqendrën e shqiptarëve.


-Kur do të hapet sheshi për trafikun?


Punimet kanë nisur me një intesitet të plotë, plani i punës parashikon përfundimin e fazës së asfaltimit brenda 2 javshit të parë të nëntorit. Ndërkohë që paralel me këtë po ecën puna për anën estetike, që është kryesisht bimësi, gjelbërim dhe anë të tjera të estetikës së sheshit.


-Pra ju po thoni që brenda 15 nëndorit sheshi do të jetë i hapur për trafikun e makinave?


Ky është plani i veprimit.


-Kur do të jetë i përfunduar megjithë atë që ju e quani pjesa estetike e sheshit?


Tani afati që unë i kam dhënë të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe kontraktorëve në shesh është 31 Tetori, natyrisht unë marr parasysh dhe kontigjencat, gjithçka mund të ndodhi. Dhe kur rindërtojmë kuzhinën e shtëpisë, nganjëherë ka vonesa të paparashikuara, jo më kur bëhet fjalë për volume kaq të mëdha ndërtimi. Unë po përmend 15 nëntorin si datën e rikthimit tw trafikut në shesh dhe jo shumë kohë pas kësaj, përfundimin estetik të anëve të tjera të sheshit.


-Po vë re në qoftë se ky është projekti që Bashkia ka ofruar, se prishet një pjesë e sheshit, shatwrvani në qendër, kjo hapwsirë është me gjelbërim?


Po.


-Pra sheshi bashkohet, lulishtja prapa Skenderbeut me pjesën e sheshit me gjelbërim, pra hapet një pjesë e mirë me gjelbërim?


E gjithë pjesa mes muzeut kombëtar dhe bankës së Shqipërisë i nënshtrohet një pjesë me pemë dekorative.


-Pra me gjelbërim të lartë jo të ulët?


Të paktën me lartësinë 3 metra e sipër.


-Ndërhyhet në pjesët e tjera të sheshit, përshembull në lulishten prapa pallatit të Kulturës?


Jo për momentin jo, do të ketë një ndërhyrje atje, por për momentin jo. Ajo që bëhet është rehabilitimi i zonës përpara ndërtesës së Operas dhe Baletit.


-Cdo bëni aty?


Do të ketw një modifikim estetik edhe ajo me gjelbërim do të ketë një rivendosje të shkallëve jo në formatin e mëparshëm, por nw një format të mjaftueshëm për të lejuar një akses komod në institucionin e operas dhe Baletit.


-Është bërë projekti?


Është bërë, dhe projekti po zbatohet aktualisht nga kontaktorët.


-Nw Sheshin skënderbej, në të gjithë perimetrin do të lëvizin makinat?


Ky është projekti i cili po zbatohet për momentin.


-Do të ketë lëvizje të cilat do të ndiqen në formën e një unaze apo siç ka qenë më parë?


Jo, do të ketë modifikime në skemën e trafikut me qëllim qw sheshi të shërbejw si një valvul e cila shpërndan në mënyrë sa më të njëtrajtëshme trafikun në pjesët e tjera të qytetit i cili ka një natyrë koncentrike ka rrathë që i largohen qendrës dhe në rast se qendra nuk funksionon, trafiku i përcillet dhe këtyre rrathëve.


-Ju thatë që ky është një projet i përkohshëm. Çfarw do ndodhw me projektin final?


Dy, do të jenë konsideratat kryesore, e para do jetë zgjidhja teknike. Para se të kalojmë tek zgjidhja estetike duhet ti japim një zgjidhje të kënaqshme të qëndrueshme në vite në mënyrën sesi do funksionojë sheshi. Në qoftë se do themi se në shesh nuk do kemi trafik, duhet të jemi 100% të sigurtë që kjo nuk përcjell stres në trafikun e qytetit bashkë me koston që lidhet me këtë stres. Unë nuk e përjashtoj si mundësi, por është një mundësi që duhet të mbështetet plotësisht në parametrat teknik dhe në qoftë se këto parametra teknikw ekzistojnë, në qoftë se përmes disa ndërhyrjeve në qytetin e Tiranës është e mundur që sheshi të jetë i lirë nga trafiku, absolutisht kjo mundësi do konsiderohet.


-Kush do e thotë...?


Specialistët e trafikut, konsulentët që janë marrë më përpara. Ne nuk e nisim nga zero ne kemi një bazë, ku për fat të keq vendimarrja ka qenë e gabuar. Projekti për një tunel nga banka e shqipërisë deri tek Pallati i Kulturës ka ekzistuar në projektin fillestar, projekti për një parking deri në 1200 mjete kapacitet, wshtw braktisur. Edhe një herë, nuk dua të fokusohem tek e kaluara, por duhet ta dini që ky ka qenë pjesë e projektit që është paraqitur. E rëndësishme është që në të ardhmen, pasi të kemi studiuar nwse duhet tw ndërhyhet në këto raste, do tw merren vendimet e duhura dhe këto vendime patjetër do kenë formën e tyre estetike?


-Edhe një pyetje brenda kësaj llogjike. Gjithë ajo lulishte që po ndërtohet do të ruajw thellësinë e lulishtes para Skëndëbeut apo do jetë në disnivel?


Jo, do të jetë me një kuotë pasqyrë, do jetë e lartë sa ç’është pjesa historike pas monumentit të Skënderbeut. Do të ketë një ngritje minimale prej 1.5 metrash.


-Studimi i sheshit do jetë vetëm studimi i sheshit apo do prekw dhe bulevardin?





Kjo është e dyta që doja tuu përmendja. Sheshi duhet parë në ansambël dhe asambli është i gjithë bulevardi aksi veri-jug i Tiranës, ky aks është një aks historik është një aks i papërfunduar. Kjo është një nga projektet kryesore që unë kam shpallur gjatë fushatës elektorale është pjesa e cila përmbyll këtë aks historik dhe i jep qytetit frymwmarrjen për zhvillim në një zonë të Tiranës që nuk ka përjetuar zhvillim apo ka përjetuar zhvillim shumë të pakët dhe të parregullt si rezultat i mungesës së infrastrukturës. Në rast se ne këto akse në tërësi, i trajtojmë veç e vec, natyrisht nuk i bëjmë asnjë shërbim as anës praktike as anës estetike. Ne kemi finalizuar detyrën e projektimit për këtë aks të ri të qytetit i cili do tw ketw një gjatësi 1.8 kilometra drejt lumit të Tiranës në hapwsirën mes urës së Brarit dhe urës së Kamzës, dhe më tej zgjatimi nga lumi i Tiranës deri në rezevuarin e paskuqanit, ku ne planifikojmë sigurisht me komunën e paskuqanit, këshillin e qarkut dhe qeverisjen qëndrore, të materializojmë një park të dytë të tiranës. një mushkwri të dytë për qytetarët e tiranës.


-Bulevardi i Tiranës nga treni është 2 kilometra i gjatë dhe shtohen dhe gati 2 të tjera pse do duhet një bulevard kaq i gjatw, kur qyteti nuk është zhvilluar me këtë sipërfaqe?


Qyteti në këto 20 vite është zhvilluar shumë më shumë sesa 50 vite në kaluara. Në vitin 90 ishin 240 mijë sot ka rreth 650 mijë banorw të rregjistruar, por ne besojmë se ka 700 mijë banorw faktikw që flenë në tiranë.


-Bulevardi do të ndërtohet nga investitorë apo nga Bashkia e Tiranës?


Aktualisht ne jemi në tratativa të paktën me 3 institucione financiare për të financuar këtë pjesë të qytetit, bulevardin e ri, Unazën e Madhe dhe rikualifikimin urban të Lumit të Tiranës.


-Sa kushton?


S’mund t’i themi gjërat aforfe. Ka mbaruar detyra e projektimit për një konkurs ndërkombëtar, ku do të jenë të pranishëm firmat më të mëdha të arkitekturës botërore dhe këtë projekt do ta zhvillojmë me transparencën më të plotë ndaj publikut. Por, më shumë se kaq, para se këto firma të marrin dhe të shqyrtojnë, të japin mendimin e tyre, dhe të përzgjidhet projekti fitues i Tiranës, ne do t’i japim mundësinë qytetarëve të kryeqytetit të japin të gjitha sugjerimet e tyre qofshin këta studentë të Urbanistikës apo qytetarë të thjeshtë, se çfarë duan apo presin ata nga ky aks i ri i zhvillimit të qytetit. Për këtë arsye, unë përfitoj nga rasti t’i drejtoj një thirrje të drejtpërdrejtë sot qytetarëve të Tiranës, që nëpërmjet adresës së Bashkisë në internet, nëpërmjet Facebook të Bashkisë apo timin personal, apo nëpërmjet letrave drejtuar kryetarit të Bashkisë të japin mendimet e tyre se, çfarë duan, apo presin, nga ky aks i ri i zhvillimit të qytetit. Ju siguroj që, sugjerimet tuaja do të jenë pjesë e konsideratave dhe do t’i paraqiten firmave që do të konkurrojnë.


-Zoti Basha, sa kushton ky projekt përfshirë dhe shpronësimet dhe gjurmët?


Pjesa e gjurmës është shumë e përshtatshme, sepse parashikohet lëvizja e Stacionit të Trenit, dhe gjithë aksi deri në përfundim të shinave të trenit, do të luajë dy funksione. Së pari, do të jetë shtrati, ku do të zhvillohet Bulevardi dhe në këtë pjesë do të projektohet dhe një nga linjat e tramit me pikwnisjen në Laprakë, aty ku do të vendoset edhe stacioni i ri hekurudhor dhe terminali i autobusëve të Tiranës. Në këtë zonë, pronë deri pak ditësh e Ministrisë së Financave për të ndërtuar Doganën e Re të Tiranës, fatmirësisht do të nisë një investim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për terminalin e ri të pasagjerëve për autobuzët e Veriut, Perëndimit dhe të Jugut.


-Do të jetë fushë e hapur?


Do të jetë një terminal i parametrave moderne, për të cilin do të kërkojmë edhe bashkëpunimin e sektorit privat. Do të përdorim një skemë të investimit nga Bashkia si investitor, si pronar i truallit, natyrisht edhe nga hekurudha shqiptare dhe nga sektori privat për të krijuar kushte më komode për pasagjerët që vijnë dhe ikin nga Tirana.


-Ku do t’i gjeni të ardhurat?


Ju nuk duhet t’i shikoni këto si harxhime, por si investime. Harxhimi i parave është një koncept i cunguar. Nw të vërtetë, në fazën e parë hidhen para për të ndërtuar, po ajo çka ndërtohet, sjell një vlerë të shumëfishtë në ekonomi. Dhe kjo është arsyeja pse instrumentet financiarë të ndërtimit, që nga Bankat e Zhvillimit, bonot e zhvillimit, mjetet e drejtpërdrejta buxhetore, vazhdojnë të investojnë. Askush nuk investon projekte infrastrukturë apo kush bën kështu e ka gabim për qëllime thjesht sociale, por investohet, sepse investimet në infrastrukturë sjellin në mënyrë të përsëritur dhe të shumëfishtë përfitime për ekonominë. Në qoftëse një bankë investon për një rrugë të re e ka të garantuar që si rezultat i kësaj rruge të re, ekonomia do të rritet dhe të ardhurat e investitorit do të rriten për investitorin, që ta paguajë kredinë.


-Ku do të shtrihet trami?


Brenda dy javësh ne do të shpallim përpara tregut të konsulentëve botërorë kërkesën tonë për të nisur projektin e ndërtimit të linjës së shinave të tramit dhe të linjës elektrike që do ta furnizojë.


Gjurma e sipërme është ajo që lidh Stacionin e ri të Trenit dhe të Autobuzëve urbanë dhe interurbanë, me pikwtakimin e kësaj gjurme në Bulevardin e ri. Fillon nga Bulevardi i ri deri në Sheshin “Nënë Tereza” dhe natyrisht mund edhe të mos mbarojë deri aty. Ky do të jetë objekt diskutimi nga inxhinierët, ndërsa tjetra është linja e premtuar Kinostudio-Kombinat dhe përveç kësaj ajo që do të studiohet është një linjë trami rretheqark Unazës ekzistuese.


-Ndërtimi besoj se është më i rëndësishmi. I keni lekët?


Do t’i kemi. Në Shqipëri, ka rrugë të ndërtuara dhe që po ndërtohen, të cilat po të niseshim me pyetjen, ku do t’i gjeni lekët, nuk do të ishin ndërtuar kurrë, duke përfshirë këtu edhe Rrugën e “Kombit”.


-Keni premtim nga zoti Berisha për financim në këto projekte?


Kam angazhimin e plotë të institucioneve qeverisëse për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës. Kjo mbështetje do të jetë parimore në kuptimin që do të investohet në çdo projekt zhvillimor të Tiranës siç është edhe trami i Tiranës.


-Të transferosh Stacionin e Trenit, të ndërtosh të gjitha këto, ju mendoni se mund të bëhen brenda një mandati?


Jo. Unë besoj se Unaza e Madhe është një projekt që do të kërkojë më shumë se një mandat. Sikundër besoj që Stacioni i Trenit do të jetë një projekt me një jetëgjatësi 10-15 vjeçare i përkohshëm para se të vendoset konfigurimi i hyrje-daljeve të qytetit, i cili me siguri do të kërkojë një terminal tjetër, një terminal të lindjes, por një projekt 10-15-vjeçar i vendosur në njollën që sapo përmenda do të zgjidhë disa probleme njëherësh. Së pari, do të zgjidhë problemin akut të interurbanëve, të autobuzëve apo furgonëve, që aktualisht përplasen lagjeve të Tiranës e bllokojnë trafikun.


-Pra nuk do të lejohen të hyjnë në qytet?


Mendoj, që është më mirë ta themi në kuptimin pozitiv. Këto mjete transporti publike që vijnë nga qytete të tjera do të kenë më në fund hapësirën ku mund të zhvillojnë shërbimin e tyre, dhe kjo hapësirë do të jetë vendi, ku shërbimi do të vazhdojë nëpërmjet mjeteve të transportit publik të Bashkisë së Tiranës në territorin e Bashkisë së Tiranës, siç ndodh kudo në qytetet evropiane.


-Aksi i ri i Bulevardit do të parashikojë ndërtime moderne?


Ky do të jetë objekt i një studimi. Mua më pëlqen edhe arkitektura tradicionale edhe ajo moderne, e rëndësishme është që të jetë ndërtesa e duhur në vendin e duhur dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet angazhimit të inxhinierëve më të mirë, në mënyrë transparente dhe jo klienteliste.


-Do të jenë ndërtime publike në të dy anët e bulevardit apo do t’i lejohet hapësira biznesit?


Të dyja. Në detyrën e re të projektimit, kemi parashikuar Pallatin e ri të Drejtësisë, kemi parashikuar një holl koncertesh multifunksionale edhe për operën edhe për sinfoninë edhe për koncerte të tjera pop-rock. Po kështu, kemi parashikuar një ndërtesë me funksione publike, e cila mund të luajë rolin e një ministrie apo Bashkisë së Tiranës, kemi parashikuar një Galeri Artesh dhe kemi lënë vend edhe për zhvillime të tjera që mund të jenë administrative kulturore, por edhe sportive në natyrë. Dhe me gjithë këto kemi hapësira edhe për sektorin privat, qoftë për hapësira rezidenciale.


Parku i Paskuqanit, që është në mbyllje të aksit të bulevardit, është një ndër të paktat zona pa ndërtime. Do të vazhdojë të jetë nën juridiksionin tuaj apo jashtë vijës së verdhë?


I kam kërkuar kryeministrit Berisha sot me një letër, transferimin e këtij rezervuari dhe të disa pronave të tjera, aktualisht jo nën administrimin territorial të Bashkisë së Tiranës, të kalojnë në administrimin joteritorial të Bashkisë Tiranë. Kërkojmë administrimin e këtyre pronave, por natyrisht sipas ligjeve në fuqi, me një bashkë administrim Kjo pronë, sot është në komunën e Paskuqanit, por kërkojmë administrimin joterritorial të kësaj prone, të cilin dëshirojmë ta kthejmë në një park të gjelbër të kryeqytetit, dhe natyrisht edhe të Paskuqanit.


Keni tërë këto projekte, përse Zoti Berisha është i gatshëm t’ju mbështesë juve dhe nuk ka mbështetur zotin Rama. Ka qenë një kalkulim politik?


Unë mendoj se bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisjes qendrore është në leverdi të qytetarëve të Tiranës, sikurse mbrojta e interesave të qytetarëve të Tiranës është thelbësore për Bashkinë e Tiranës. Por në momentin kur ky ndërveprim me qeverinë që mund të marrë formën e bashkëpunimit, mund të marrë formën e rezistencës, nuk konceptohet në shërbim të qytetarëve, por konceptohet në funksion të një qëllimi politik, i gjithë ndërveprimi merr formën e një beteje politike. Po flasim në teori sepse të gjithë e dimë që beteja politike dominoi. Kjo ishte arsyeja sepse nuk u arrit të përparojnë disa projekte që ishin në tavolinë prej kohësh nga ana e qeverisë. Ajo që i takon të ardhmes është vendosmëria ime për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet e vendit për të mirën e interesave të qytetarëve të Tiranës dhe në funksion të qytetarëve të Tiranës. Sikurse çdo qytetar i Tiranës, ka votuar për mua ose jo, nuk pret as më shumë e as më pak se kjo.


Zoti Basha a i qëndroni vendimit Xhamia e re të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë?


Sot prita një përfaqësi të Komunitetit Mysliman Shqiptar që më ka njohur me një vendim të Këshillit të Përgjithshëm të këtij komuniteti për të kërkuar hapësirën e Namazgjasë e cila është rikthyer pas shumë kohësh në pronësi të Komunitetit Mysliman dhe për të kërkuar bashkëpunimin e bashkisë për të ndërtuar aty xhaminë e madhe të Tiranës. Mendoj se është një vendim i drejtë dhe unë e mbështes këtë vendim. Do të ndjekim gjithë procedurat ligjore në mënyrë që konsultimi me qytetarët dhe vendimmarrja e cila i përkiste ndoshta vetëm një dhome të errët, t’i përkasë bashkisë së Tiranës si përfaqësuese e interesit publik, komunitetit mysliman si palë e drejtpërdrejtë dhe qytetarët e Tiranës, pavarësisht nga besimi i tyre fetar.


Kam një vendim për një leje, i cili e ndërton xhaminë e Tiranës diku përballë 15-katëshit, në një zonë që ishte parashikuar edhe projekti francez që të bëhej. Me çfarë të drejte zoti Basha mund të hidhni poshtë një projekt të zotit Rama...?


Projekti i mëparshëm shkaktonte kaos dhe e ka hedhur poshtë vetë paraardhësi im në cilësinë e ministrit të Kulturës i cili kërkonte që sheshi t’i nënshtrohej ndërhyrjeve edhe të monumenteve të kulturës. Kryesor është të zbatohet ligji, nga u cili duhet udhëhequr çdo zyrtar, por edhe vullneti i qytetarëve të Tiranës, që unë e marr për çdo vendim. KMSH është një palë e interesuar dhe nuk mund të injorohet as KMSH për nderimin e një xhamie të re siç nuk mund të injorohet për shembull kërkesa e katolikëve për një kishë. dhe asnjë përfaqësues të ndonjë besimi fetar. Për këtë vendimmarrje ne do të ndjekim rregullat e transparencës së plotë, duke thithur edhe mendimin e qytetarëve dhe ekspertëve të bashkisë. Dy instrumente ka për të marrë mendimin e qytetarëve. Këtë të fundit do të mund ta marrim nëpërmjet aplikimit të vazhdueshëm të kontaktit me qytetarët në zyrën time çdo të premte, por së shpejti edhe nëpër minibashkitë, ku nuk do të ketë thjesht shprehje të projekteve, por edhe mendimi i tyre, çfarë mendojnë ata për çdo projekt. Çfarë mendojnë ata për projektet që po vëmë në tavolinë për zgjidhje. Kjo është Tirana e qytetarëve dhe jo e Bashës. Do ndërtoj ura të përhershme komunikimi në zyrën time, në terren, në bashki, ku town hall-et e mia do kenë si subjekt deklarimin e platformave elektorale, por do të ketë si subjekt diskutimet e çdo plani, duke përfshirë këtu edhe ndërtimin e Xhamisë.


Plani rregullues, po përmirësohet, po updatohet nga zviceranët apo do të ribëni një plan të ri?


Nuk ka plan ekzistues të përfunduar nga asnjë kompani, ka një plan të filluar, larg përfundimi, i cili ka hedhur një bazë që po shqyrtohet nga ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj dhe ndërkohë ne po bëjmë gati diçka tjetër që është vizioni që ky plan paraqet, për parametrat teknikë të planit të ri urbanistik, duke përfshirë këtu kriteret e ndërtimit, infrastrukturës dhe është pikërisht vizioni i planit strategjik duke përfshirë në këtë vizion atë që është shumë e rëndësishme për mua, konsensusin e qytetarëve dhe duke i dhënë më pas këtij projekti formë


Kur do jetë gati ky plan?


Unë kam deklaruar që plani do të jetë gati brenda majit të vitit të ardhshëm dhe së bashku me grupin e ekspertëve po punojmë fort për ta mbajtur këtë premtim.


Zoti Basha, ndërkohë do t’i qëndroni premtimit që deri në miratimin e plotë të planit nuk do jepni asnjë leje ndërtimi?


Siç kam deklaruar më përpara, deri në miratimin e planit të ri urbanistik nuk do të ketë asnjë ndryshim destinacioni, asnjë studim pjesor në kundërshtim me ligjin, por do të vazhdojnë ndërtimet e licencuara deri tani, do zbardhen dhe legalizohen ato që për hir të konjukturave nuk janë realizuar dhe do të ecet para me punët publike. Punët publike nuk mund të ngelen peng i këtij procesi, si shkollat, çerdhet si dhe çdo punë tjetër publike me interes publik.


Ndërkohë, do të ruani apo do ta rishikoni Planin Francez?


Plani francez i qendrës së qytetit, me ligjin e ri të urbanistikës i nënshtrohet një rishikimi, dua apo s’dua unë, aq më tepër që janë future tashmë duart, sepse vetë plani i qendrës i shmanget planit francez. Ne duam ta shikojmë këtë plan të qendrës në harmoni të plotë me planin e madh të Tiranës. Kur bën një plan për shtëpinë si të tërë, para se të vendosësh për ngjyrën e kolltukëve apo dhomën e pritjes, është e rëndësishme që të kesh vendosur se ku do të jetë kuzhina, dhoma e gjumit, dhoma e ngrënies, ku do të jetë ballkoni, etj. Rishikimi nuk është qëllim në vetvete por është efekt i ndërtimit të planit urbanistik. Plani i ri urbanistik i qytetit të Tiranës do të ketë dy qëllime kryesore: Zhvillimin e pronës private dhe rikthimin e hapësirave publike me instrumentet më moderne që disponohen sot. Dhe, në rikthimin e hapësirave publike, një nga kriteret kryesore është mbrojtja e hapësirës së gjelbër dhe ai program që unë sot dhe më parë e kam quajtur “gjelbërim me çdo kusht”. Dhe po të ecim me materialet që ju janë dhënë juve këtu, vërehet që ne do të krijojmë një pyll të vogël ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Muzeut kombëtar. Po të ecim më tej do të shikoni se do të kemi 2-3 ndërhyrje. Ja për shembull te Don Bosko kemi të bëjmë me një problem që të gjithë banorët e njohin, të degraduar mes dy pallateve dhe propozohet që të ketë një ndryshim të madh në funksion të banorëve të kësaj lagjeje. Do të ketë shumë edhe shumë ndërhyrje të tjera nëpër lagje sepse qëllimi ynë, siç e përmenda edhe më lart, është “gjelbërim me çdo kusht”. Çdo hapësirë ku do të mund të ndërhyjmë për ta gjelbëruar, ne do ta bëjmë këtë. Një ndërhyrje tjetër me kosto jo të madhe por që shkon diku të 3 milionë lekë të vjetra, është edhe në zonën para Lidhjes së Shkrimtarëve. Pra, është një ndërhyrje minimale që nuk kërkon shumë faturë financiare sa ç’kërkon vullnet. Një projekt tjetër mjaft interesant është edhe Pazari i ri, një zonë që njihet mirë nga tiranasit, i shërben qytetit por ku ballafaqohemi me probleme të mëdha. Kemi këtë propozim të hartuar nga urbanistët dhe inxhinierët tanë mjedisorë për një shndërrim të shpejtë, me një kosto 600-800 mijë euro, por që i jep një frymëmarrje të madhe kësaj zone. Një projekt tjetër është për një hapësirë pranë medresesë, i cili vjen pas një kërkese të komunitetit për të shndërruar një hapësirë mes pallateve, në një hapësirë më komode për ta, ndërhyrje e cila mund të realizohet me një kosto jo të madhe por mjaft efikase për qytetarët. Kjo tregon se duke treguar një vëmendje. je më të madhe ndaj qytetarëve do të ndryshojmë jo thjesht faktet në terren, por mentalitetin. T’i japim krah besimit tonë se Tirana ndryshe mund të realizohet. Disa prej investimeve do të kryhen në bashkëpunim me komunitetin.


Për sa i përket parkimit në Tiranë. Jemi dëshmitarë të parkimeve në trotuare, duke zënë hapësirat publike dhe duke shkaktuar një kaos mjaft të madh. Çfarë keni parashikuar për këtë?


Investimet në parkime nëntokësore. Kemi parashikuar të paktën 4 parkime nëntokësore me dy ose më shumë nivele, që do të kryhen në zonë që i shërbejnë lehtësimit të trafikut të rënduar, dhe aty ku sot parkohen makina do të ketë zona të gjelbëruara. Parkimet do të jenë poshtë parkut rinia dhe poshtë sheshit “Italia” dhe po shikojmë një hapësirë tjetër prapa muzeut kombëtar, që do të ndërtohej në planin fillestar të rigjallërimit të sheshit, por që u anashkalua. që do ta rishikojmë si projekt. Parkimet poshtë sheshit “Italia” në mbledhjen e ardhshme do ti paraqesim KB kushtet koncensionare për t’i miratuar dhe do të lëvizim me shpejtësi edhe për parkimet e tjera. Kapaciteti i këtyre parkimeve do të jetë mbi 4 mijë automjete, pra shfryrja e trafikut do të jketë e konsiderueshme dhe impakti te qytetarët, shumë i madh edhe si kursim parash, edhe si kursim stresi.


Projekti për Unazën ka përfunduar dhe ndodhet në zyrën time. Ky projekt do i paraqitet Ministrit të Transporteve dhe në Këshillin Teknik të Bashkisë, i cili do të jetë javën e ardhshme. Kjo është rruga e Elbasanit, Varrezat e Dëshmorëve dhe këtu punimet për Unazën e Re . Që nga ky interseksion deri tek Fakulteti Filologjik, projekti teknik është i plotë dhe pret vetëm zbatimin. Projekti parashikon nyje me një nivel që do të zgjidhin problemet e hyrje-daljeve. Do të jetë me katër korsi...


Kjo është një nga nyjet më problematike të kryeqytetit dhe ashtu si në disa pjesë të tjera të qytetit, kjo kërkon një zgjidhje të integruar që do të thotë që nuk duhet të shikojmë vetëm aty ku është problemi, por duhet të shikojmë edhe në zona të tjera, se si duhet të shfryjmë trafikun, duke e futur atë në rrugë të tjera, çka do të thotë, ose lirimin e zhbllokimin e disa investimeve, siç është një pjesë e rrugës nga Brryli, Ministria e Jashtme për tek lagjja “Ali Demi”, që është një nga kryqëzimet më të vështira. Nëse ne do të ndryshojmë kahun e ardhjes nga 9-katëshet, do të lejojmë trafikun, do të jetë edhe më e vështirë. Kërkohet një zgjidhje e integruar, qytetarët e kanë të qartë, investime të tilla nga nyja teknologjike deri tek “Kristal” do të shërbejnë për të ulur trafikun, kjo do i japë një alternativë tjetër automjeteve që vijnë nga Elbasani apo Korça, që siç e thamë do të vijnë këtu edhe më shpejt, edhe më shumë.


Sot, kamera jonë ka regjistruar diçka tek varrezat dhe mund të them me bindje të plotë se si varrezat e Sharrës apo të Tufinës janë në gjendje të mjerueshme, ndërkohë që njerëzit nuk kanë ku varrosen se parcelat janë zënë... ?


Zgjidhja që ne do të japim është bërë gati. Kjo pjesë e varrezës së Tufinës dhe një pjesë e varrezave të Sharrës janë markuar tashmë nga Drejtoria e Shpronësimeve të Tiranës , është përcaktuar edhe vlera financiare dhe dokumentacioni i është përcjellë Ministrisë së Brendshme për të filluar procedurat e shpronësimit. Shpronësimi i këtyre dy parcelave do të bëjë të mundur një trajtim më human të këtij problemi , deri në një zgjidhje integrale e cila do të marrë parasysh edhe rehabilitimin e varrezave aktuale, por edhe aspekte të tjera, siç është menaxhimi më adekuat qoftë nga sektori publik apo privat, duke përfshirë ndërtimin e objekteve të kultit për komunitetet fetare apo jo besimtarët.


Keni bërë një premtim, z.Basha për hipotekimin e të gjithë objekteve të pahipotekuara, sa i qëndroni këtij projekti?


I qëndroj plotësisht. Ne kemi nënshkruar me Ministrinë e Transportit dhe Drejtësisë një Memorandum bashkëpunimi të cilat Bashkia e Tiranës nuk ia ka njohur vetes për një kohë të gjatë, atë të dhënies së lejeve të shfrytëzimit për rreth 835 objekte që përfaqësojnë afro 30 mijë familje, 90-120 mijë qytetarë, një problem që prek 1 në 5 qytetarë të Tiranës. Ne do të përmbushim pjesën tonë të detyrimit, duke inventarizuar në mënyrë të plotë të gjithë objektet që nuk janë pajisur me leje shfrytëzimi për shkak të refuzimit të pamotivuar nga Bashkia. Së dyti po bëhet bashkë me qeverinë një akt i cili do të mundësojë kolaudimin e mbi 120 objekteve të cilët nuk “kanë zot”, sepse ndërtuesi për një arsye apo tjetër refuzon të aplikojë për lejen e shfrytëzimit. Këtu, Bashkia e Tiranës do të veprojë me vendosmëri, do marrë përsipër të gjithë hallkat e procesit të kolaudimit, duke shërbyer në vend të investitorit, natyrisht kolaudimi do të jetë i pavarur dhe ekspert, pra do të behet nga kolaudues siç e do ligji. Bashkia e Tiranës do të luajë rolin që I takon, atë të “prindit të munguar” në këtë rast.


Keni premtuar 60 taksa të reduktuara në listën e Bashkisë...


Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, unë do i paraqes Këshillit, programin tim për të hequr 60 taksa bashkiake, do të jenë plotësisht 60 dhe ky do të jetë vetëm hapi i pare, sepse për shkak të kufizimeve ligjore, disa prej taksave nuk mund të ulen 30 % menjëherë, por do ulen progresivisht, duke mbajtur atë premtim që u kam bërë qytetarëve të Tiranës , jo thjesht për të mbajtur premtimin, por sepse ulja e taksave tarifave është një ndihmë e drejtpërdrejtë që i jepet biznesit, zhvillimit ekonomik të qytetit , një ndihmë e drejtpërdrejtë që i jepet punësimit si një prioritetet e mia numër një. Pra, ulja e taksave i jep më shumë frymëmarrje biznesit, krijojmë më shumë hapësirë për punësim, realisht më shumë mirëqenie në familjet e qytetit të Tiranës. A do të kandidoni për nënkryetar apo sekretar të përgjithshëm të PD-së, nisur nga fakti që në votimin e Këshillit Kombëtar dolët më i votuari?


Entuziazmi dhe optimizmi për të ardhmen e qytetit tonë është reflektuar edhe në këtë votim. Ky entuziazëm dhe optimizëm shtrihet përtej Këshillit Kombëtar të PD, shtrihet te të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë besim te e ardhmja e qytetit të tyre dhe unë jam i përkushtuar që këtë pritshmëri të madhe që sot e kanë të gjithë qytetarët e Tiranës, përfshi dhe ata që s’kanë votuar për mua, ta kthej në një burim energjie për vizionin që shpalosa këtu sot. kjo është një punë e madhe. Unë jam i vendosur të fokusohem tërësisht, unë jam i vendosur të fokusohem tërësisht siç e kam premtuar çdo minutë e kohës sime te kjo betejë e madhe e imja. Në këtë kuadër as nuk do të garoj, as nuk pranoj të kandidohem për asnjë nga pozicionet drejtuese në PD.


Ka një koment që qarkullon se mund të zini postin e kryeministrit në 2012 nëse ai kandidon për President, ose ai mund tua lërë këtë post në zgjedhjet e 2013...?


Duhet të përsëris angazhimin tim të plotë për të shërbyer si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe për të vënë prioritetet e mia në jetë duke realizuar programet që në fakt reflektojnë aspiratat e qytetarëve të Tiranës. Dua tu them qytetarëve të Tiranës që unë nuk do ta braktis këtë angazhim që kam marrë karshi jush dhe çdo minutë të katër vjeçarit tim të parë si kryebashkiak në funksion të përmbushjes së këtyre angazhimeve. Pyetjen tjetër duhet t’ia shtroni kryeministrit dhe jo mua. Kryeministri është shprehur. Mënyra e tij e veprimit dhe e shprehjes tregon se ai është i përkushtuar për zhvillimin ekonomik, për infrastrukturën dhe ambicies për një Shqipëri si vend i zhvilluar.


Publikimi i një kabllogrami që Uidhers i drejtonte DASH-it, iu rendiste ju si një nga personat e lidhur me krimin e organizuar.


E keni? Mund të ma citoni?


Bëhet fjalë për një çështje në Elbasan, ku ju keni liruar një person. Sipas ambasadorit Uidhers.


Sipas një burimi të Partisë Socialiste, kështu lexon kabllogrami. Nuk ka ndodhur dhe është një trillim. Kabllogrami thotë që sipas një burimi të PS-së, Basha ka ndërhyrë për të liruar një të burgosur që familja e tij të votojë për PD-në. Nuk ka as emër, as mbiemër, as darë, por thotë që një burim i PS ka ngritur këtë akuzë. Kjo është një gënjeshtër e pabazë, një akuzë që hyn në mozaikun e luftës politike të asaj kohe. Wikileaks është një heqje vëmendje nga problemet e përditshme që ne kemi sot, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin, me punësimin, me ekonominë, me infrastrukturën.


Ka pasur një ofertë të Ramës për Berishën për tu përballur në një debat publik për çështjen e integrimit. A duhet të ketë një debat publik?


Ashtu siç janë shprehur së fundi edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, edhe vetë zoti Berisha, tani nuk është koha për debat. Koha për debat i takon periudhës parazgjedhore në çdo realitet normal politik të demokracive. Tani është koha për bashkëpunim aty ku mund të bashkëpunohet, për dialog brenda institucioneve në Parlament.