Jonida Tashi



Ndryshojnë procedurat e aplikimit për të gjitha viza jo-emigruese për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të cilat kanë publikuar së fundi edhe procedurat e reja të aplikimit. Sipas rregullave të reja, të përcaktuara nga Ambasada, aplikimi do të kryhet nëpërmjet formularit DS-160, aplikim për vizë jo-emigrimi (NIV) i bazuar në internet, i cili përfshin të gjitha aplikacionet ekzistuese të vizës në një formë të re interaktive, online. Ky formularë do të zëvendësojë tre formularët e mëparshëm të cilët i përmbante Formulari i Aplikimit të Vizave Elektronike (FAVE ose EVAF). Formulari DS-160 përfiton nga teknologjitë e reja në mënyrë që t’i shërbejë sa më mirë aplikantëve të vizave.

Formulari

Aplikantët do të vazhdojnë të plotësojnë aplikimet e vizave në internet, ashtu si kanë bërë edhe më parë. Formulari duhet të plotësohet në Anglisht. Me formularin e ri, aplikantëve do t’u duhet të ngarkojnë një fotografi dhe të dërgojnë formularin elektronikisht nëpërmjet internetit. Aplikantët duhet të stampojnë (print) vetëm një letër konfirmimi pas plotësimit të formularit DS-160. Viza është leje aplikimi për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Viza lëshohet vetëm nga Ambasada ose Konsullata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një zyrtar konsullor vendos në qoftë se një aplikant është i kualifikueshëm për një vizë. Qytetarët e disa vendeve të caktuara kanë mundësinë për të udhëtuar pa vizë bazuar në Programin e Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program), sipas disa kritereve të caktuara. Viza i jep mundësi një qytetari të huaj të udhëtojë pranë një pike kufitare të SHBA-së, si për shembull, në një aeroport internacional, një port detar apo një pikë kufitare tokësore. Në kufirin e hyrjes, një oficer i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vendos nëse aplikanti mund të hyjë ose jo në SHBA. Ai gjithashtu vendos edhe kohëzgjatjen e qëndrimit të tij.

Aplikimi

Për të caktuar një datë takimi për vizë jo-emigrimi (biznes, turist, vizitor, student, punë, etj.), çdo aplikues duhet të ndjekë tri hapat e përcaktuar nga autoritetet amerikane. Hapi parë është plotësimi i aplikimit online. Për këtë nevojitet plotësimi i formularit të aplikimit DS-160 (Aplikim për Vizë Jo-Emigrimi) online si dhe stampimi vetëm i faqes së konfirmimit që ka kodin (barcode). Aty ka një buton që thotë “Print Confirmation”). Kodi duhet të jetë i qartë dhe i lexueshëm në faqen e stampuar. Në mënyrë që të plotësoni aplikimin online, ju duhet të keni një fotografi dixhitale që i përmbush kushtet e ngarkimit në internet. Për këtë, çdo aplikues duhet t’u referohet standardeve të udhëzuesit fotografik kur keni një fotografi të marrë me kamera dixhitale ose me skaner. E rëndësishme në këtë proces është se pasi ta keni plotësuar formularin DS-160, ju interneti do t’ju nxisë që të stamponi faqen e konfirmimit që mban kodin e aplikimit tuaj. Kjo faqe duhet të sillet kur ju të paraqiteni në Ambasadën Amerikane në Tiranë për të aplikuar për vizën tuaj jo-emigruese. Nëse ju nuk sillni faqen e konfirmimit të DS-160, takimi juaj do t’ju shtyhet për datën tjetër të ardhshme. Pas plotësimit të formularit, hapi i dytë është caktimi i takimit tuaj. Për të caktuar, ndryshuar ose anuluar takimin tuaj do t’ju duhet numri i kodit të faqes së konfirmimit të formularit DS-160 si dhe një stampues (printer). Nëse ju nuk keni një stampues, ju nuk do të jeni në gjendje të stamponi faqen e konfirmimit që ju lejon të hyni në Ambasadë. Ju nuk mund të ristamponi faqen konfirmimit pasi të keni dalë nga sistemi. Kodi i faqes së konfirmimit nuk iu dërgohet me e-mail, për rrjedhojë ju duhet ta mbani atë shënim në rast se keni ndonjë problem me stampuesin tuaj. Hapi i tretë dhe i fundit është të mblidhni dokumentacionin tuaj. Përveç listës së dokumenteve që duhet të paraqiten në Ambasadë në kohën e takimit tuaj për vizë për mbështetjen e aplikimit tuaj, ju duhet të keni me vete pasaportën aktuale dhe të gjitha pasaportat e skaduara që mund të keni, faqen e konfirmimit të formularit DS-160 me kodin përkatës, si dhe faqen konfirmimit të datës së takimit. Pasaportat shqiptare të pavlefshme duhen anuluar fizikisht nga autoritet përkatëse shqiptare. Gjithashtu, ju duhet të keni me vete një kopje të faqes së konfirmimit të takimit ditën e intervistës në mënyrë që të hyni në konsullatë. Sistemi nuk do t’iu dërgojë automatikisht një faqe konfirmimi. Çdo aplikant i vizës duhet të ketë takimin e tij/saj. Nëse aplikoni si familje, çdo pjesëtar që aplikon duhet të caktojë takim pavarësisht nga mosha dhe të ketë një faqe konfirmimi të formularit DS-160 me kod. Nëse e humbisni numrin e identitetit të faqes së konfirmimit ose nëse nuk e keni printuar atë dhe ju duhet ta printoni, duhet të shkruani një e-mail në adresën evisatirana@state.gov, duke dhënë emrin tuaj të plotë, datëlindjen, kodin e formularit DS-160 dhe një numër telefoni.



E rëndësishme: rregullat për të caktuar takimin

Për të parandaluar prenotime të shumëfishta nga i njëjti person, Ambasada Amerikane në Tiranë rezervon të drejtën për të anuluar çdo takim që nuk i duket i vlefshëm. Për këtë ju duhet të shqiptoni emrin tuaj saktësisht. Mos përdorni germat “ç” dhe “ë”, por zëvendësojini me germat “c” dhe “e”. Emra të shumëllojshëm me të njëjtën numër pasaporte mund të jenë subjekt anulimi. Orari i takimit që është shënuar në faqen e konfirmimit tuaj është orari në të cilin do të hyni brenda në konsullatë. Nuk është orari i intervistimit tuaj. Letra juaj e takimit si dhe dokumentacioni i kërkuar do të kontrollohen dhe përzgjidhen sapo ju të paguani për aplikimin. Për këtë duhet të siguroheni që dokumentet të jenë sipas rashës. Intervista juaj do të zhvillohet sapo të grumbullohet dokumentacioni i nevojshëm për intervistim. Ju duhet të përgatiteni për të qëndruar në Ambasadë deri në orën 12:00 paradreke. Materiale të lexueshme lejohen t’i keni me vete, por pajisje elektronike (duke përfshirë celularët), ushqimet, pije të ndryshme dhe çanta të madha nuk do të lejohen në Ambasadë. Pajisjet elektronike mund të lihen në hyrje të Ambasadës/Konsullatës, gjithsesi, për të përshpejtuar hyrjen, mos i merrni ato me vete. Për shkak të hapësirës së limituar që Ambasada ka në dhomën e pritjes, vetëm njëri nga aplikantët (nëse aplikoni si familje ose shoqëri) do të lejohet brenda për të paraqitur dokumentacionin, me përjashtim të rasteve kur aplikanti shoqërohet me fëmijë nën moshën 16 vjeç, ose në raste të veçanta të tjera. Pjesëtarët e tjerë duke përfshirë të afërmit, shoqërinë, bashkëpunëtorët, avokatët, etj. nuk do të lejohen të hyjnë në ndërtesë, vetëm në rastet kur kërkohen nga zyrtarët konsullorë.

SHËNIM:

Diplomatët dhe zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë, që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara në emër të qeverisë së tyre për t’u angazhuar vetëm në aktivitete zyrtare për atë qeveri, nuk kanë nevojë për të caktuar takim.

Gjithashtu, edhe punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe NATO-s, nuk kanë nevojë për të caktuar një takim.





Llojet e vizave të përkohshme jo-emigruese

Diplomatët dhe zyrtarët e qeverisë së huaj (vizat A)

Punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe NATO-s (vizat G dhe NATO)

Biznes, turizëm, vizitor dhe mjekim (vizat B1/B2)

Viza studentore (vizat F dhe M)

Vizitorët e programit të shkëmbit (vizat J)

Punonjësit e përkohshëm (vizat H, L, O, P dhe Q)

Punonjësit e përkohshëm fetarë (vizat R)

Tregtarët dhe investitorët me bazë traktati midis dy vendeve (vizat E-1 dhe E-2)

Media e huaj (vizat I)







6 Maj 2010