Ndryshon totalisht  ligji për TVSH-një pas 17 vjetësh. Minstria e Financave ka bërë prezente detajet e ligjit të ri për TVSH-n, i cili është hartuar nga ekspertë të tatimeve dhe të financave. Ndryshimet që janë bërë brenda ligjit, janë në përputhje me direktivat e ligjeve ndërkombëtare si dhe kanë ardhur si nevojë e problematikave që janë hasur gjatë praktikës.

Ligji përcakton në mënyrë të veçantë të drejtat që kanë personat jorezidentë në taksimin ndaj shërbimeve që ata kryejnë ndaj konsumatorëve shqiptarë. Sipas ligjit të ri shërbimet që kryhen jashtë Shqipërisë, për persona të tatueshëm jo rezidente, tatohen në vendin ku ato kryhen. Ndërkohë kur këto furnizime kryhen për persona të patatueshëm tatohen me 20%, pavarësisht nëse janë vendas apo të huaj. Me ligjin e vjetër, të dy rastet ishin të përjashtuara nga TVSH-ja.

Po ashtu, sipas ligjit të ri përfshihen në skemën e TVSH-së, mallrat e përdorura, ndërsa aktualisht këto mallra janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Ndër të tjera edhe reklamat e medias së shkruar apo elektronike do të përfshihen në skemën e TVSH-së me ligjin e ri, duke u tatuar 20 për qind.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ të Biznesit, ku u prezantuan edhe ndryshimet në ligjin e TVSH-së, përfaqësuesit e biznesit fason kërkuan heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për makineritë dhe pajisjet teknologjike. Sipas kryetarit të shoqatës së fasonistëve, Gjergj Gjika, makineritë shërbejnë për investime të mëtejshme në këtë sektor, ku përballimi i konkurrencës, sidomos jashtë vendit është tepër i vështirë.

Ligji për TVSH-në ndryshon pas 29 ndërhyrjeve që i janë bërë në vite.