Jonida Tashi



Zbardhen moshat e reja të daljes në pension duke filluar nga 1 korriku i vitit 2009 deri në 30 qershor të vitit 2010. Rritet me një vit mosha e daljes në pension për punë të kategorisë së parë, ndërsa për punët e dy kategorive të tjera me gjashtë muaj. Gjithashtu, për kategorinë e parë të punës është rritur me një vit edhe periudha e sigurimit. Për kategorinë e dytë dhe të tretë të punës, periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim dhe do të jetë minimumi 35 vite pune për të përfituar pension të plotë.

Specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), bazuar në rregulloren e re të pensioneve, kanë përcaktuar kushtet për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm për të gjitha kategoritë që janë në prag të daljes në pension. Kushtet për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm për të dyja gjinitë janë plotësimi i moshës dhe viteve të punës. Sipas rregullores së re, për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë personi i interesuar, fillimisht 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë një kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) tek inspektori pritës. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës. Në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; certifikatë lindjeje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake paraqitet për herë të parë tek inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës.

Pensioni i plotë

Kushtet për të përfituar pension të plotë pleqërie nga 1 korriku i vitit 2009 deri më 30 qershor 2010, për të dyja gjinitë, sipas kategorive, janë si më poshtë. Për punët e kategorisë së parë, mosha e daljes në pension si për burrat ashtu edhe për gratë është rritur me një vit. Të njëjtën rritje, pra me një vit, ka pësuar edhe periudha e sigurimit në këtë kategori. Konkretisht, është vendosur që për punë të kategorisë së parë mosha e daljes në pension për burrat të jetë 58 vjeç dhe për gratë 53 vjeç. Periudha e vjetërsisë në punë për burrat dhe gratë që bëjnë pjesë në kategorinë e parë do të jetë e njëjtë, përkatësisht me 30 vjet të siguruara. Ndërsa për punët e kategorisë së dytë, mosha e daljes në pension është rritur me 6 muaj për të dyja gjinitë, kurse periudha e sigurimit ka mbetur e njëjtë me atë të mëparshme, 35 vite. Kështu, mosha e përfitimit të pensionit për punë të kategorisë së dytë është 63 vjeç për burrat dhe 58 vjeçe për gratë. Periudha e sigurimit në vite për të përfituar pension të plotë për punë të kategorisë së dytë është 35 vite pune për të dyja gjinitë. Edhe për punët e kategorisë së tretë mosha e përfitimit të pensionit është rritur me 6 muaj, kurse periudha e sigurimit nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Për punët e kësaj kategorie është përcaktuar që mosha e daljes në pension për burrat të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeçe, ndërsa periudha e sigurimeve që duhet plotësuar është 35 vjet pune. Harku kohor që ka të bëjë me vjetërsinë e punës ngushtohet më shumë kur bëhet fjalë për nënat që janë me shumë fëmijë. Mosha për të përfituar një pension pleqërie për këtë kategori është 50 vjeç, ndërsa kushtet për të plotësuar atë dhe që lidhen me periudhën e sigurimit në vite janë 30 vite vjetërsi pune. Të gjithë personat që janë afër plotësimit të këtyre kushteve për pension duhet që patjetër të bëjnë kërkesën gjatë kësaj kohe, në mënyrë që të përfitojnë masën e pensionit që ditën e parë të mbushjes së moshës. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë, përveç plotësimit të moshës si më sipër, specifikohen ndryshime në vjetërsinë e punës. Kështu, kjo kategori të paktën 3/4 e vjetërisë së punës duhet t’i kenë kryer në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë ose në punime të tjera të nëntokës. Konkretisht, për këta të fundit kërkohet që ½ e periudhës së punës të jetë e siguruar në këto profesione. Aktualisht, tabela e moshës së daljes në pension për vitet 2009-2010 është shpërndarë në të gjitha agjencitë lokale të sigurimeve dhe në bazë të saj do të bëhet pranimi i kërkesave me shkrim nga aplikantët që do të përfitojnë pension në këta vjet. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës derisa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar. Ashtu si çdo vit, në datën 1 korrik mosha e pensioneve ndryshon me 6 muaj, për të krijuar një harmoni mes brezave dhe viteve të lindjes, në mënyrë që të arrihet mosha 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.

Profesionet e ndara në kategori

Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.

Kategoria e parë

Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuarë, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj.

Kategoria e dytë

Në punë të kategorisë së dytë për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët, ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.

Kategoria e tretë

Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.







Si ndryshon mosha e pensioneve në 2008-n dhe 2009-n



Kushtet për të përfituar një pension pleqërie nga 1.7.2008 deri më 30.6.2009:

Për punë të kategorisë së parë: Burri Gruaja

Mosha vjeç 57 52

Periudha e sigurimit vite 29 29

Për punë të kategorisë së dytë:

Mosha vjeç 62 vjet e 6 muaj 57 vjet e 6 muaj

Periudha e sigurimit vite 35 35

Për punë të kategorisë së tretë:

Mosha vjeç 63 vjet e 6 muaj 58 vjet e 6 muaj

Periudha e sigurimit vite 35 35

Për nënat me shumë fëmijë:

Mosha vjeç 50

Periudha e sigurimit vite 30













PENSIONI I PLOTË

MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËRKOHET NË

VITE PËR SECILËN KATEGORI

BURRI



Kategoria

I Kategoria

II Kategoria

III

Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës

01.07.2009 - 30.06.2010 58 30 63v 35 64v 35







PENSIONI I PLOTË

MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT QË KËKOHET NË

VITE PËR SECILËN KATEGORI



GRUAJA



Kategoria

I Kategoria

II Kategoria

III

Vitet Mosha Vjetërsia e punës Mosha Vjetërsia e punës mosha Vjetërsia e punës

01.07.2009 - 30.06.2010 53 30 58v 35 59v 35









PENSIONI I PJESSHËM

MOSHA DHE PERIUDHA E SIGURIMIT

QË KËRKOHET NË VITE PËR PËRFITIMIN E TIJ







Vitet Mosha

për burrat Vitet e sigurimit për burrat Mosha

për gratë Vitet e sigurimit

për gratë

01.07.2009 - 30.06.2010 64v 20 v 59v 20v





















6 Dhjetor 2008