Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Suksesi i mjekut? Për sa kohë i bie telefoni dhe e kapin për xhakete”



Argjend Tafaj është Doktor i Shkencave që nga vitit 1992. Në 2004-n ai ka marrë titullin As. Profesor. Është autori i tekstit “Reumatologjia” për studentët e Mjekësisë. Së fundi ka botuar një monografi mbështetur në rezultatet e dizertacionit të rinovuara, të azhornuara me të dhënat korrente. Gjithashtu, jep përveç ciklit të leksioneve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, edhe leksione e praktika me mjekët e rinj post-universitarë që shërbejnë në të gjithë Shqipërinë. Në të gjithë vendin punojnë rreth 60 reumatologë, shumica të përgatitur prej tij.

Puna e tij për mbrojtjen si doktor shkencash ka qenë “Infeksioni në të sëmurët me kolagjenozë”, që është infeksion në sëmundjet sistemike të indit lidhor. “Për vitet që kam punuar, ka qenë ngarkesë shumë e madhe fizike dhe mendore, ishin vite kur mungonte interneti, literatura, kur vetëm një revistë vinte nga jashtë. Testet, literaturën i siguroja nga profesori im, i ndjeri Koço Poro. Pasi punimi u vlerësua shumë mirë, mora titullin Doktor Shkencash. Pastaj kam punuar shumë vite krahas punës praktike në klinikë, jam munduar të merrem edhe me punë shkencore aq sa janë mundësitë e Shqipërisë. Aktiviteti shkencor i klinikës nuk është vetëm i imi, është bashkëpunim me gjithë stafin. Këtu ne kemi futur disa linja të reja mjekimi, trajtimi, diagnostikimi” shefi i klinikës së Reumatologjisë”, tregon prof. Tafaj. Një nga studimet me vlerë që ka realizuar klinika, është një studim epidemiologjik me një numër shumë të madh të sëmurësh, 10 mijë të sëmurë të shtruar dhe ambulatorë, të sëmurë nga osteoporoza. Studimi është mirëpritur edhe në kongrese ndërkombëtare dhe pjesë të tij janë botuar në revista shkencore.

Projekti bëhet pjesërisht falas, me punën vullnetare të mjekëve dhe pjesërisht mbulohet nga kompania farmaceutike “Hofman la Rosh”, e cila ka inkuadruar edhe në një studim rajonal në mjekimin e osteoporozës me një medikament që prodhohet pikërisht nga kjo firmë. Pjesa e rezultateve përsa i takon vendit tonë, ka dalë. Tani priten rezultatet në rrafsh rajonal.

-Doktor Argjendi. Kur erdhët nga fshati në QSUT?

Kam filluar në vitin 1987. M u duk një privilegj dhe vërtret ka qenë një privilegj. Atëherë ishte shumë shumë e vështirë të emëroheshe dhe të vije me punë në QSUT. Në këto vende punonin njerëz që kishin krah, kishin mundësira…

-Kishin qenë edhe mjekë blloku…

Po, me historira të tilla…Unë nuk isha me biografi të keqe, por me sa duket, nuk isha i pranueshëm të punoja këtu, edhe pse kisha mbaruar me mesatare shumë të mirë. Arrita pas 10 vjetësh, u transferova dhe u emërova mjek në Klinikën e Reumatologjisë, ku gjeta një ambient profesional. Atëherë isha 35 vjeç.

-Prapë i ri keni qenë. Nuk është ardhje e vonuar

Shiko, si moshë duket jo dhe aq. Por për 10 vjet, njeriu bën shumë gjëra dhe ajo është mosha më produktive, janë vitet kur njeriu përvetëson gjuhët e huaja, specializimet jashtë shtetit, pjesëmarrjet nëpër kongrese…Unë nuk kisha bërë asgjë nga këto, sepse kisha qenë në fshat, kështu që m u desh të sforcohesha tej mase pas moshës 35 vjeç, kur moshatarët e mi këto i kishin ezauruar me kohë. U sforcova për të kapur vitet e humbura.

-Pse nuk e merrni titullin profesor?

Ndryshojnë ligjet, procedurat çdo 3-4 vjet, sapo unë bëhem gati. Tani përshembull, janë vendosur disa kërkesa, që asnjë nuk i realizon dot. Dhe nëse i përdor këto kritere për të gjithë, hiqen të tërë titujt.

-Cili ka qenë suksesi dhe zhgënjimi më i madh i punës suaj në 33 vjet?

Shiko, mjeku nuk mund ta masë dot veten. Prapë po them fjalët e ish-profesorit tim kur më drejtohej: “Argjend, për sa kohë të bie telefoni dhe të kapin nga xhaketa, je në rregull me punën. Kur telefonatat mbarohen, kur nuk të vjen njeri prapa, duhet të lëvizësh nga ajo punë”.

-Cilat kanë qenë sfidat e profesionit tuaj?

Mjeku ka shumë momente të vështira gjatë punës së vet. Jeta e tij është bashkëjetesë e gjatë me stresin, vështirësitë. Sfida më e vështirë është kur nuk i përgjigjesh dot të sëmurit me atë që ka nevojë, edhe pse ke informacion, lexon literaturë, di se mund të ndihmohet, por nuk ke mundësi praktike t i realizosh. Ka shumë shkaqe që lidhen me teknologjinë, me mundësinë që ka mjekësia shqiptare.

-Mendoni më të vështirë punën e patologut apo të kirurgut?

Puna e kirurgut është shumë më e vështirë. Gjej rastin këtu të them se janë heronj të vërtetë.

-Do të donit të ishit bërë kirurg?

Nuk më duket se tipi im është për punën e kirurgut.

-Nuk donit të merreshit me thellësinë e trupit të njeriut

Patologu me thellësinë merret, por në mënyrë imagjinare, ndërsa kirurgu e prek thellësinë.

-A ju bie shpesh telefoni i shtëpisë?

Një nga shqetësimet e familjes është telefoni i familjes. Por nuk jam përpjekur ta ndryshoj, sepse telefonat janë për të shërbyer, si mua, edhe të tjerëve që kanë nevojë për mua.

-A përmban urgjenca si profesion, reumatologjia?

Urgjenca ka pak, shumë pak. Janë të sëmurë që zhvillohen gradualisht, vazhdojnë me vite të tëra, por kur rëndohen, natyrisht që duhen ndihmuar në mënyrë urgjente.



Dashuri passtudentore

“Bashkëjetesën e kam provuar me gruan time kur mbaruam studimet. Në fillim na paragjykuan”



Jeta e një njeriu, edhe kur ky një ditë fiton popullaritet të madh, nuk është e gjitha autostradë. Prof. Argjend Tafaj i ka njohur edhe gërxhet, por për fat të mirë, i ra që t i kalonte ato atëherë kur ishte i ri. Dhe rinia suporton shumë gjëra. Ai kishte ëndërruar të kalonte përmes qytetit me këpucët e lustruara dhe pantallonat e hekurosura. Ashtu si mjekët që kishte njohur dhe adhuruar. Por në vend të kësaj, e pa veten një mjek fshati që çdo ditë bënte kilometra të tëra rrugë të baltosur. Atje larg në malësitë e Elbasanit karriera e tij dukej se ishte mbyllur. Specializimet ishin larg, kongreset po ashtu. Atje ai do të bënte pak nga të gjitha fushat, do të mjekonte pacientët e izoluar gjeografikisht, do të ishte mjeku i të gjitha sëmundjeve të tyre. Kështu vazhdoi deri në vitin 1987, kur erdhi transferimi në Tiranë. Por jeta e fshatit kishte patur romancën e vet. Atje ai kishte ngritur folenë e dashurisë, kishte shkuar fillimisht i vetëm, dy vjet më pas kishte marrë edhe të dashurën e tij-gruan aktuale për të ndarë me të jetën në një dhomë të qendrës shëndetësore. Dhe jo pak por për 10 vite. Kjo mënyrë të jetuari i dha thjeshtësinë me të cilën jeton edhe sot. Më poshtë ai rrëfen këtë periudhë të jetës.

“E kam filluar në fshatrat malorë të Elbasanit në Gracen. Isha 24 vjeç, mjek i ri dhe puna më doli ndryshe fare nga ajo që kisha menduar. Unë kisha parasysh pedagogët e mi, mjekët e vjetër që rrinin të hekurosur me kravata, me bluza të bardha, kurse unë ecja 20-30 km në ditë në këmbë nëpër baltra. Kështu vazhdoi 10 vjet dhe bëja në këtë zonë punën e patologut, të pediatrit, të gjitha sëmundjet, sepse zona ishte e vështirë, larg nga qyteti, komunikacion nuk kishte. Të sëmurët e kishin vështirë të shkonin në qytet”.

-Ku flinit atje?

Kisha një dhomë në qendrën shëndetësore.

-I kujtoni me keqardhje ato vite apo kanë njëfarë romance?

Romanca ka qenë se atje kam ndenjur me gjithë time shoqe. Ne nuk ishim të martuar, kur ajo filloi punë në fshat tek unë. Ime shoqe e ka mbaruar fakultetin dy vjet pas meje..

-Si ndodhi që u emëruat të dy në të njëjtin fshat?

Kërkuam të dy që të shkonim të punonim atje. Atje u fejuam, u martuam dhe lindëm fëmijët. Atje ndenjëm 10 vjet, ku lindëm edhe dy fëmijët e parë, dy vajzat që u bënë për në shkollë.

-Do të mund t i ktheheshit prapë asaj jete?

Po të më çonin prapë, është e sigurt që nuk do ta përballoja dot më.

-Sepse janë rritur edhe pretendimet…

Jo, nuk jemi familje me pretendime kush e di çfarë. Na pëlqen jeta e thjeshtë. Por atëherë kishim rininë që e përballonim.

-Jemi kuriozë të dimë, kur bashkëshortja juaj, atëherë ishe e dashura juaj, si e siguroi lejen nga familja që të vinte pas jush dhe të bashkëjetonte me ju? Na duket në fakt e rrallë.

Do ta them këtë. Sekretari i Byrosë i zonës më thërret një ditë dhe më thotë: “Ore çun, çfarë e ke këtë gocën, ç fle ti me këtë doktoreshën në një dhomë?” I thashë unë: “Është gruaja ime.” Ai më thotë: “Si e paske ti grua?! Ti nuk ke bërë celebrim, nuk ke bërë dasmë!...” Kështu, atë bashkëjetesën e sotme që e trumbetojnë me të madhe, unë e kam provuar për gati një vit, një vit e gjysmë.

-Nuk keni pasur pengesa nga familjet tuaja?

Absolutisht, nga familja ime, jo se jo, se fundi i fundit, unë djalë isha. Por as nga familja e saj. Familja e gruas është gjithashtu familje tiranase autoktone, me prindër të shkolluar, ekonomistë.



Ne, mjekët, shohim dhe prekim vërtet trupat e njerëzve, por nuk i ngatërrojmë emocionet e profesionit me të tjera…

Nuk kam miq politikanë, idhujt e mi, mjekë dhe sportistë

Nuk do ta kisha ndërruar mjekësinë me asgjë tjetër, edhe sikur të isha njeriu më i papaguar në botë



-Thonë se mjekësia është kthyer në njëfarë dinastie. Ka të vërteta brenda saj?

E drejta e studimit për mjekësi dhe e punësimit i jepet çdokujt, pavarësisht nëse rrjedh nga familje mjekësh apo jo. Mjekësia është zgjedhje dhe pasion. Por fëmija i mjekëve e ka patjetër më të theksuar atë frymë. Jo për të injoruar pjesën tjetër të studentëve, por një student, koleg i sime bije, i thotë: “Kur unë isha i vogël, luaja me mistrinë e babait, kurse ti me stetoskopin e babës”. Dinasti do ta quaja nëse unë, shefi i klinikës, fëmijën tim do ta merrja dhe do ta bëja numrin dy në klinikën time dhe më pas, të merrte këtë post. Madje, i këshillova vajzës të merrte një specialitet tjetër, që nuk ka lidhje me punën time dhe me favoret që mund të krijoheshin prej meje.

-Eshtë karakteristikë e mjekut, të pasurit e duarve të buta siç i keni ju?

Është karakteristikë edhe e mësuesit, edhe e ekonomistit. Ai që nuk merret me punë fizike, duart të buta i ka.

-Ka edhe një mentalitet popullor, se doktorët janë pak imoralë. Sa pjesë të vërtete pranoni këtu? Kontakti më trupat e pacientëve, që është i përditshëm për shkak të profesionit, a çmistifikon ekskluzivitetin e një lidhjeje intime?

Shiko, unë mendoj që përqindja e njerëzve imoralë duhet të jetë njëjtë në të gjitha profesionet. Absolutisht mjeku nuk ka favore kur ai viziton, për të shfaqur anët e veta imorale. Mjeku e sheh të sëmurin si të sëmurë. Sa ka njerëz të moralshëm dhe imoralë në profesione të tjera, po kaq ka edhe këtu. Por të them të drejtën, nuk e kam dëgjuar asnjëherë, që për ne mjekët, paska një opinion të tillë.

-Nuk ia heq magjinë e kontaktit intim në jetën private, kjo ngopje syri me trupat e pacientëve, mjekut?

Nuk ka të bëjë fare, nuk ngatërrohen fare. Unë mund të shoh një nuse të re, një vajzë të re që e ka sjellë i ati, e ka sjellë i shoqi. Për mua është një njeri që ka nevojë për ndihmë. Kjo gjë nuk na heq emocionet përtej dhe jashtë profesionit. Unë jam një njeri normal si gjithë të tjerët.

-Deri në cilën moshë do të donit që të punonit? Ku do ta vendosni syrin?

Është një ligj që e ka caktuar moshën e pensionit, siç duket ka përllogaritur fuqitë fizike dhe mendore. Dua apo nuk dua unë. Me profesorët ëshë një diferencë e vogël prej 3 vjetësh. Por nëse do ta ndieja veten intelektualisht dhe fizikisht mirë, do të doja t u jepja sa të mundja të sëmurëve.

-Nëse nuk do të ishit bërë mjek, çfarë tjetër do të ishit bërë?

Më ka pëlqyer letërsia, por nuk mendoj se do të isha bërë dikush. Më pëlqente edhe matematika. Por nuk kam pasur ndonjë pasion për t u bërë matematicien. Nuk do ta këmbeja mjekësinë me asnjë profesion dhe nëse do të jepej rasti për të zgjedhur, gjithnjë atë do të kisha zgjedhur dhe asnjë punë tjetër, edhe sikur të kisha qenë njeriu më i papaguar në botë. Sikur sot të isha në rrugën e zgjedhjes së profesionit, përsëri do të kisha kërkuar mjekësinë.

-A jeni tifoz sporti?

Jam shumë: Jam tifoz i Tiranës, i Italisë dhe i Milanit. Bluzat e Kombëtareve i kam në shtëpi. Kam foto me Maldinin, me Pirlon, me Shumakerin, me Xhiraldinon. Kam foto me ta. I kam rastisur në aeroport. Në dhjetor 2007, ekipi i Milanit shkonte në Tokio për finalen e Superkupës dhe unë si tifoz, u kërkova të bëjmë një foto dhe më pranuan me kënaqësi.

-Sa i interesuar keni qenë dhe jeni për zhvillimet politike në vend dhe sa të lidhura i shihni me fatet e mjekësisë?

Gjithnjë janë të lidhura me zhvillimet politike. Besoj se qeveritë gjithnjë do ta kenë prioritet zhvillimin e mjekësisë, duke caktuar kuadro të denjë për ta drejtuar këtë sektor, duke menaxhuar fondet dhe duke shtuar buxhetin.

-Si janë marrëdhëniet e doktor Argjendit me filmin, kinemanë, teatrin, ekspozitat e pikturës, me librin dhe me teknologjinë e informacionit?

Që jam pak larg jetës artistike, jam. Libra lexoj, nuk diskutohet literaturë profesionale, por lexoj edhe romane. Ndërsa për pjesën tjetër të teatrit, të kinemasë, jo se nuk më pëlqejnë, por niveli i tyre nuk më kënaq….

Çfarë pikturash mbani në shtëpi?

Piktura është e bukur, por nuk kam mundësi financiare ta ble. Kam në shtëpi ca piktura jo fort cilësore. Janë autorë jo fort me emër. Por pëlqej përshembull, pikturat e Gazmend Lekës, të cilin e kam mik timin. Në pikturat e tij ai thotë shumë dhe në ekspozitat e tij shoh shumë, ndjej shumë dhe gjej veten shumë.

-Po me teknologjinë e informacionit, si i keni punët?

Jam brez i cili me shumë vështirësi po kooperon me teknologjinë e informacionit.

-Ndjeni xhelozira profesionale?

Absolutisht jo. Përkundrazi, kam kënaqësi kur dëgjoj për arritjet e të tjerëve. As nuk kam vënë re xhelozi të të tjerëve. Marrëdhëniet e mia me kolegët nuk janë të tilla… janë raporte të drejta kolegësh, miqsh, shokësh.

-Pushimet, në mal apo në plazh janë të preferuara prej jush?

Më parë më kanë pëlqyer shumë pushimet në plazh, tani shoh që më ka rënë entuziazmi. Në përgjithësi nuk bëj pushime të gjata, pa shkëputje. Po mjaftohem me këtë që më lidh puna nëpër aktivitete shkencore jashtë shtetit., dal shpesh gjatë vitit dhe më duken relaksuese.

-Si e shkarkoni ngarkesën e punës së përditshme me orë të zgjatura me pacientë?

Me shëtitje. Çdo ditë, në darkë, pas një dite të lodhshme pune, bashkë me time shoqe shëtis pas orës 9.30-10. Shëtisim nëpër Tiranë, rreth unazës, tek bulevardi kryesor, bëjmë rreh 5-6 km. Është një orë që nuk para ka lëvizje dhe trafik dhe kjo na shlodh. Më pëlqen të luaj me top, por nuk kam mundësi. Dikur kam qenë volejbollist me të rinjtë e Tiranës, ish- 17 Nëntori .

-Cilët janë miqtë tuaj dhe a ndikon profesioni në zgjerimin e lidhjeve shoqërore?

Kam miq nga të gjitha shtresat. Natyrisht, puna më bën që të shoqërohem më tepër me mjekë, por kam edhe miq nga fusha të tjera. Shoqërinë e fëmijërisë nuk e harroj, pavarësisht nëse kanë pasur mundësi të shkollohen apo jo. Çfarëdo profesioni që bëjnë, kanë mbetur shokët e mi dhe aq sa kam mundësi, i takoj. Kurse miq politikanë nuk kam. Nga arti kam disa, por që nuk na bie të takohemi shumë.

Ky lajm është publikuar: 11/07/2009