Formulari A3


Formulari A3 do të përmbajë degët në renditjen e tabelës në krahë, ndërkohë që në kllapa do të jenë kuotat e mbetura bosh, në mënyrë që gjatë aplikimit, maturantët të dinë se sa mundësi kanë për të fituar. Në rastet kur në kllapa do të jetë shkronja H, atëherë kjo do të thotë se degët janë të hapura dhe se cilido aplikues fiton automatikisht të drejtën e shkollimit. Degët e hapura janë të pakta dhe janë të përqendruara në universitetet e rretheve.


Ministria e Arsimit do të bëjë të ditur procedurat e aplikimit me anë të Formularit A3 dhe datat që do të kryhet ky aplikim. Aplikimi do të zhvillohet në drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore rajonale në mbarë vendin, ku maturantët do të marrin formularin e ri. Vlen të theksohet se edhe ata studentë që janë shpallur fitues, do të mund të riaplikojnë në këto degë. Gjithsesi, ata duhet të kenë kujdes, pasi zgjedhja e tyre do të jetë përfundimtare.


Plotësimi


“Ata që aplikojnë duhet të bëjnë më saktësi llogarinë e mundësive që kanë, në mënyrë që të konkurrojnë, – këshilloi dy ditë më parë ministri i Arsimit, z. Fatos Beja. – E them këtë sepse në ato fakultete, të cilat janë më të preferuara, janë vetëm 5 kuota që hapen dhe kjo krijon një mundësi jo për shumë studentë, por vetëm për ata që tashmë kanë pikët maksimale dhe për arsye, jo vetëm merite, por dhe administrative, nuk kanë arritur të kualifikohen”.


Në këtë mënyrë, përzgjedhja duhet të bazohet mbi numrin e pikëve të grumbulluara nga maturantët, por edhe nga kuotat e mbetura bosh në universitete, në mënyrë që dega ku maturanti do të aplikojë, të mos jetë “e pakapshme” nga ai, pasi është mundësia e fundit për të hyrë në një universitet publik.