Në mbledhjen e sotme që u zhvillua në qytetin e Vlorës, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi:

1 - "Studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Vlorës"

a)Pikat Kryesore: Plotësimi i materialit hartografik:

Për zonën e Sheshit të Flamurit:
-përmirësimi i organizimit hapësinor të këtij sheshi,
-heqja e zonave të propozuara për ndërtimin poshtë Kuz Babasë,
-plotësimi i sistemit rrugor poshtë Varrezave të Dëshmorëve
-pasqyrimi në studim i azhornimit të objekteve monument kulture dhe rishikimi i hapësirave rreth tyre, sipas materialit të paraqitur nga

Monumentet e Kulturës. Për pjesën bregdetare dhe Sheshin në Skelë, KRRTRSH vendosi:
-përmirësimin e organizimit hapësinor të Sheshit të Skelës,
-mosbetonimin dhe mbushjen e bregut, rishikimin e shëtitores bregdetare,
-uljen e lartësisë së godinave të larta pranë marinës në Skelë deri te tuneli,
-ruajtjen e zonës së Skelës si zonë universitare,
-ruajtjen zonë e gjelbër e territorit në verilindje të kryeqëzimit rrethor të Skelës,
-reduktimin e numrit të pontileve, duke rakorduar me Vendimin e KRRTRSH Nr.9, datë 18.06.2003 "Për përcaktimin e zonave të zhvillimit të marinave kryesore, në mbështetje të turizmit të jahteve përgjatë hapësirës bregdetare shqiptare".
-rakordimin me Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në lidhje me projektin që po zbatohet në Portin e Vlorës.
b) Paraqitjen e Rregullores Teknike e zbatimit të Studimit, për miratim në mbledhjen e rradhës së KRRTRSH.
Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Bashkia Vlorë.

Hapsira e marrë në studim ka një sipërfaqe prej rreth 190 ha dhe përfshin tre akse të fuqishme rrugore, të cilët kanë në prespektivën e tyre detin.
Aty përfshihet:
-Bulevardi Vlorë-Skelë, nga sheshi i Bashkisë, sheshi i Flamurit dhe gjithë bulevardi i gjerë me palma deri në Skelë dhe më tutje në drejtimin paralel me detin.
-Rruga Transballkanike
-Aksi i ri rrugor "Rruga perëndimore", e papërfunduar ende që vjen nga Narta drejt detit, në drejtim të ish-kampit të pionerëve.
-Zona bregdetare, nga rruga e re perëdimore, ish-kampi i pionerëve, Skela, Uji i Ftohtë deri pranë tunelit, e cila konsiderohet si zonë parku natyror, park plazhi dhe shëtitore natyrale me vlera.

Objektivi kryesor i studimit është të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm të zonës qëndrore të qytetit, si në aspektin fuksional dhe atë estetik dhe me impulsin e saj të influencojë për zhvillimin e mbarë qytetit të Vlorës.

Objektivi specifik është zhvillimi i rrugëve e bulevardeve kryesore, kompozimi urbanistik-arkitektonik i shesheve kryesore në zonën qendrore, përcaktimi i vijave të ndërtimit, lartësisë së kateve, sigurimi i një skeme funksionale të transportit, zgjidhja e parkimeve të përqendruara nëntokësore dhe parkimeve provizore, gjelbërimi etj. Studimi urbanistik për zhvillimin e zonës së qendrës do të ketë disa prioritete si organizimi i shesheve qëndrore dhe mbrojtja e hapësirës publike, organizimi i akseve kryesore dhe zhvillimi i tyre, zgjidhja e problemeve të trafikut, gjelbërimit etj. Studimi urbanistik i zonës qendrore konsiston në rregullimin dhe parashikimin prespektiv të kësaj zone për një periudhë kohore 10-15 vjeçare.

Ky studim është zbërthimi i zonës qendrore, përcaktuar në Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Vlorës dhe hedhja e ideve kryesore të zhvillimit të tij, përcaktimi i kondicioneve sidomos të tri akseve të fuqishme, mbështetur në fleksibilitetin e zhvillimit me indikatorët e ekonomisë së tregut, që nxit projekte e studime që kanë të bëjnë me rregullimin dhe transformimin modern të qytetit. Elementi kryesor që frymëzon konceptimin e zonës qëndrore të qytetit është Deti dhe peisazhi i larmishëm, i cili jep karakteristikën kryesore këtij qyteti dhe e bën të veçantë qendrën e tij.


2 – KRRTRSH miratoi gjithashtu rregulloren për studimin urbanistik të Qendrës së qytetit të Tiranës duke pasqyruar këto pika:

-Në "Rregulloren e Qendrës së Qytetit të Tiranës" duhet të shtohet një kapitull me përkufizimet përkatëse dhe saktësimet terminologjike të përdorura
-Zona e marrë në shqyrtim, është e ndarë ne 5 nënzona me karakteristika të ndryshme fuksionale, të cilat me gjithë ndryshimet (veçanërisht të atyre të banimit të përcaktuara si U1,U2, dhe U3), në Rregullore kanë tregues të njëjtë. Për diferencimin e karakteristikave urbanistike, në tabelat shoqëruese të Rregullores, të jepen tregues urbanistik për secilën zonë të shprehura në dendësi banimi, intensitet shfrytëzimi etj.
-Në Rregullore duhen të jepen tregues për objektet shkollore, parashkollore, shëndetësore, tregje dhe objekte të tjera publike, veçanërisht në zonën U1, ku ndërhyrja është më e madhe.
-Të jepen treguesit dhe kondicionet urbanistike për ansamblet dhe objektet Monument Kulture të ndodhura në zonën e studiuar
-Në sanksionet e tipeve të ndryshme të rrugëve, korsitë e lëvizjes së mjeteve dhe të parkimeve të respektojnë normat e "Rregullores së Kodit Rrugor". Gjithashtu, trotuaret e lëvizjes së këmbësorëve të mos jenë më pak se 2,25 m gjerësi
-Koeficientët e parkimeve të jepen të ndarë në nëntokësorë e mbitokësore. Të jepet raporti i parkimeve me numrin e apartamenteve ekzistuese dhe të reja në kurtall
-Për zonat e ndryshme fuksionale të jepen kondicione lidhur me aksesorë të ndryshëm si kangjella grila, dalje kondicionerësh, antena satelitore, etj
-Për zonën P1 që është pjesa më e rëndësishme e këtij studimi duhet bërë një analizë e plotë dhe e qartë me të gjithë treguesit urbanistikë dhe teknikë të nevojshëm për realizimin e këtij studimi. Rregullorja duhet të pasqyrojë treguesit specifikë për cdo ndërhyrje si për kullat e larta ashtu edhe për sheshet dhe bulevardet.
-Rregullorja duhet të shprehet për kushtet urbanistike të hapsirës që zhvillohet në brezin e ndërtimeve përreth kufirit të Qendrës dhe mënyrën e integrimit dhe lidhjes së dy zonave.

2. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministra e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Bashkia Tiranë.

Rregullorja mbështet studimin në funksion të zbatimit të tij duke dhënë kritere, norma dhe rregulla për 5 nënzona të përcaktuara nga studimi. Tre nga këto nënzona janë me funksion banimi të cilat kanë kritere specifike për zhvillimin e ndërtimeve në to. Gjithashtu janë të konceptuara dy zonat e qendrës Sheshi Skënderbej dhe sheshi Nënë Tereza dhe kriteret e zhvillimeve në to.


3-Gjithashtu në mbledhjen e radhës KRRTRSH miratoi "Vijën kufizuese të Parkut të madh të Tiranës. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Bashkia e Tiranës.

Vija kufizuese e Parkut të madh të Tiranës është miratuar me VKM nr.319, datë 27.08.1990, brenda së cilës përfshihen edhe Varrezat e Dëshmorëve, Kopështi Botanik, Kopështi Zoologjik, Qendra Sportive, Varrezat e Vëllezërve Frashëri etj. KRRTRSH me Vendimin nr.22, datë 22.12.1993, ka miratuar Planin Rregullues të këtij parku. Që nga koha e miratimit të këtij studimi, brenda territorit të parkut janë bërë ndërhyrje me ndërtime, shumica e të cilëve pa leje ndërtimi, dhe ato me leje ndërtimi nuk kanë respektuar kondicionet urbanistike të përcaktuara. Duke parë situatën aktuale të zhvillimeve në territorin e Parkut të Madh të Tiranës, si dhe territoret në kufi me të, nga ana e Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike dhe Bashkisë Tiranë është rishikuar vija kufizuese e Parkut me qëllim lënien brenda kufirit të tij të atyre territoreve që realisht janë të mundëshme të përdoren si territor parku, për qëllime pushimi dhe argëtimi. Kufiri i Parkut parashikohet të ndjekë këto kufizime: Në anën jugperëndimore dhe perëndimore, kufiri nuk ndryshon duke ndjekur kufirin e jashtëm të Kopështit Botanik dhe atij Zoologjik, në veriperëndim vija ndjek digën e liqenit, duke lënë jashtë parkut zonën sportive të qytetit, në veri vija vazhdon dhe le jashtë territorin e Hotel Sheraton e më pas ndjek kufirin jugor drejt ndërtimeve në veri të parkut, në verilindje ka si kufi Rrugën e Elbasanit.

Një devijim i kësaj rruge fut brenda parkut edhe Varrezat e Dëshmorëve, në juglindje ndjek kufirin e Pallatit të Brigadave dhe në jug pas kufirit jugor të pallatit të
Brigadave me anë të një devijimi në jug, ndjek linjën e unazës së jashtme të qytetit të Tiranës, deri pranë Kopështit Botanik.

4-Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Plani Rregullues i qytetit Orikum. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Vlorë dhe bashkia Orikum.

Ky studim ka për qëllim zgjidhjen e të gjithë problemeve të qytetit, për një zhvillim turistik e banimi cilësor, realist dhe të qëndrueshëm e afatgjatë duke respektuar çdo trashëgimi që i reziston kohës duke përcaktuar si operacione kryesore:

-Strukturimin e skemës hapsinore të qytetit, si një skemë bashkëkohore për zhvillime moderne e të qëndrueshme në mbrojtje të mjedisit.
-Integrimi i zonave ekzistuese të banimit në zhvillimin prespektiv të qytetit. Integrimi me anë të një hapsire fluide të gjelbërt në peisazhin e mrekullueshëm natyror duke siguruar një jetë të shëndetshme.
-Zbatimi i studimit me faza për një implementim pa konflikte ose vakume funksionale gjatë zhvillimit të qytetit.

5-Pika tjetër e miratuar në KRRTRSH e sotme ishte edhe "Detyra e projektimit për planin Rregllues të Ksamilit" duke pasqyruar këto vërejtje:

a. Zona në krahun perëndimor të rrugës Sarandë-Ksamil të parashikohet vetëm për zhvillimin e strukturave turistike.
b. Në detyrën e projektimit të integrohet studimi urbanistik i zonës me sipërfaqe 40 ha, miratuar nga KRRTRSH me Vendimin Nr.20 datë 19.10.2001, në lidhje me rrjetin rrugor dhe parcelizimin me sipërfaqe jo më shumë se 300 m2.
c. Në detyrën e projektimit të parashikohet vendi për grumbullimin e mbeturinave urbane të Ksamilit.

Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe Komuna Ksamil.

Nisur nga situata aktuale që paraqitet në këtë zonë, për të krijuar një qendër urbane të nivelit të lartë dhe në harmoni me zhvillimin e turizmit, Komuna Ksamil ka paraqitur detyrën e projektimit për rishikimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të kësaj qendre të banuar. Qëllimi i këtij studimi do të jetë rikonceptimi i vijës kufizuese të ndërtimeve, përcaktimi i zonës suburbane për shtrirjen në prespektivë, ruajtja e vlerave turistike e mjedisore, krijimi i një sistemi rrugor funksional, duke u bazuar në skemën rrugore të Planit Rregullues të vitit 1982 si dhe skemën e rrjetit rrugor të zonës me sipërfaqe 40 ha, të miratuar nga KRRTRSH etj.

6- KRRTRSH miratoi sot edhe Projektin e zbatimit të rrugës Ura e Dajlanit-Plepa. Në këtë vendim u specifikua që Bashkia Durrës, brenda një periudhe një mujore, me asistencën e Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, të hartojë studimin urbanistik të zonës në perëndim të kësaj rruge, si dhe për zonën në lindje të saj, për një brez me gjërësi 50 m, duke bërë dhe propozimin përkatës, në lidhje me Vendimin e KRRTRSH Nr.31, datë 17.04.1996.

U vendos që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare të paraqesë brenda një periudhe një mujore, me asistencën e Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, platformën e zhvillimeve te territoreve në administrim të saj, si dhe propozimet për përmirësimin e përkufizimet e këtyre territoreve si dhe revokimi i Vendimit të KRRTRSH Nr.3 datë 31.01.2004 "Për sheshin dhe lejen e ndërtimit për infrastrukturën inxhinierike në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, në zonën e Plazhit të Durrësit".

Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Bashkia Durrës, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

7- KRRTRSH miratoi studimin dhe projektimin e infrastrukturës inxhinierike të zonës turistike të Shkëmbit të Kavajës, nën kondicionalitetin që në dosjen mbështetëse të vendoset oponenca e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Bashkia Durrës.

8- Gjithashtu, u miratua leja dhe sheshi i ndërtimit me sipërfaqe 3,3 hektarë për "Tregun e shitjes me shumicë të fruta-perimeve, në territorin e Institutit të Misrit dhe Orizit-Shkodër". Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Shkodër dhe Bashkia Shkodër.

Ndërtimi i këtij objekti do të bëhet në kuadrin e Projektit të Shërbimeve Bujqësore, të financuar nga Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare, i cili ka ndër objektivat e tij ngritjen e tregjeve me shumicë të fruta-perimeve dhe krijimin e një sistemi marketingu për këto produkte në ato zona ku nevojat dhe kërkesat për to janë urgjente dhe kanë potenciale bujqësore.

9- KRRTRSH miratoi gjithashtu studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit me sipërfaqe 19.400 m2 për objektin "Resort turistik" në parcelën Nr.41, në zonën turistike Golem. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Tiranë. Studimi i paraqitur synon krijimin e një kompleksi me të gjitha parametrat bashkëkohore, si hapësira banimi, pushimi, diellëzimi, gjelbërimi dhe parkimi. Studimi merr përsipër të vlerësojë jo vetëm truallin, mbi të cilin do të ngrihet kompleksi, por edhe zonën përreth, pa cënuar këtë të fundit.

Eshtë parashikuar të ndërtohet një strukturë pak a shumë perimetrale për pozicionimin e rezidencave të pushimit ndërsa në qendër parashikohen ambjente shoqërore, bar-restorant, dyqane në shërbim kompleksi etj.

10- KRRTRSH miratoi në parim sheshin e ndërtimit me sipërfaqe 32,3 ha dhe lejen e ndërtimit për fshatin turistik në zonën turistike Lukovë-Kakome, me investitor shoqërinë "Riviera" shpk me tour operator subjektin "Club Mediterrane". Nga KRRTRSH u la detyrë që deri në mbledhjen e ardhëshme të këtij Këshilli, Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë dhe Sekretaria Teknike e KRRTRSH-së, të përgatisë dosjet që do të sjellin në vëmendjen e anëtarëve, të subjekteve të interesuara dhe të publikut tërësinë e dokumentave dhe referencave ligjore që shuajnë kontestet e deritanishme që i referohen angazhimeve të trupave të ndryshme vendimamrrëse dhe ligjore për të harmonizuar legjislacionin në konflikt në një proces harmonizimi, si dhe të gjitha dokumentat që shprehin marrëdhëniet mes subjektit që është shpallur person i stimuluar për zhvillim turistik, tour operatorit (Club Mediterrane) dhe në adresë të subjektit gjithë dokumentacionin që mund të zhvillojë deri në mbledhjen e ardhëshme më të afërt të KRRTRSh-së për një kontratë marrëdhëniesh me pronarët e njohur ose angazhime legale të noterizuara me subjekte që potencialisht janë përfitues nga Ligji i Kthimit dhe Kompensimin e Pronave që do të aktivizohet.

Përfaqësuesit e shoqërisë në përputhje me Kodin Civil dhe me marrëdhëniet civile dhe tregëtare që zhvillohen në Shqipëri në këtë periudhë tranzicioni kur ka dhe konflikte ligjesh duhet të plotësojë të gjithë procesin e negociatave me pronarë që kanë dokumentacion legal dhe të depozituar në Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut në vëmendje të Komisionit Shtetëror qendror. Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së, nën mbikrjen e Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe me asistencën e Ministrisë së Drejtësisë iu la detyrë të plotësojë ekspertizën ligjore dhe dokumentale që do të aktivizojë zbardhjen e lejes për sheshin e ndërtimit të fshatit turistik Lukovë-Kakome me sipërfaqen 32.3 ha.

11- KRRTRSH miratohet gjithashtu "Sheshin e ndërtimit me sipërfaqe 9,7 ha dhe lejen e ndërtimit për kompleksin turistik në parcelën Nr.5 dhe Nr.6/A, në komunën Ksamil, me investitor shoqërinë "Boiken" shpk sipas studimit urbanistik të rishikuar". Leja e ndërtimit jepet për një periudhë 3 vjeçare, nga data e këtij vendimi. Formulari i lejes së ndërtimit të jepet nga njësia vendore, mbas miratimit të Lejes Mjedisore nga Ministria e Mjedisit. Për zbatimin e këtij vendimi u ngarkua Këshilli i Qarkut Vlorë.

12-KRRTRSH vendosi pezullimin e punimeve për ndërtimin e objektit 11 dhe 12 kate në rrugën "Urani Pano", dhënë subjektit ndërtues "T.T.ALBA-L.A.M.", pasi bie në kundërshtim me studimin urbanistik të qendrës së Tiranës.

Bashkisë Tiranë, iu la detyrë që brenda një periudhe njëmojore, të rishikojë vendimin përkatës për lejen e ndërtimit të këtij objekti.

13-KRRTRSH vendosi prishjen e objektit të qytetarit Mero Aliaj, brenda territorit të Portit Turistik në Orikum. Për këtë u ngarkua Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, që në mbështetje të Ligjit Nr.8408 datë 25.09.1998 "Për Policinë e Ndërtimit" të marë masa për zbatimin e pikës 1 të këtij vendimi dhe të raportojë në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH, për veprimet e kryera nga ana e saj.