Autori i Lajmit: red.
Sëmundjet e stomakut janë të shumta dhe të ndryshme. Për mjekimin e tyre mjekësia popullore ju vjen në ndihmë me disa kura popullore, të cilat mund t i përgatisni lehtësisht. Stomaku gjendet në pjesën e sipërme të barkut, nënë brinjë dhe diafragmë, dhe lidhet me gurmazin dhe zorrët si një kanal i përbashkët, i cili vazhdon deri në anus. Stomaku ka formën e një qeseje, ndërsa madhësia e tij ndryshon sipas moshës dhe gjinisë. Stomaku është në gjendje të zgjerohet dhe të mbajë lëndë ushqimore në sasi deri në disa litra.



Cilat janë sëmundjet që mund të shfaqen në stomak?

Në stomak mund të shfaqen disa lloje sëmundjesh si gastrit akut dhe kronik, ulçera dhe hiperacidet. Në sëmundjen e gastritit akut, cipa e stomakut infektohet, pezmatohet. Gjithashtu, cipa e stomakut, dobësohet nën veprimin e mikroorganizmave, nga substancat kimike, nga ushqimet e prishura dhe sidomos kur veprohet kundër rregullave të higjienës.



Si ndikon ushqyerja në gastritin akut?

Mënyra e të ushqyerit dhe ushqimi që konsumon çdo njeri janë shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje. Ngrënia e tepruar, mospërtypja mirë e ushqimit nga goja, kur përdoren ushqime të rënda, të nxehta, të ftohta, ngacmuese, shumë të ëmbla, mish, peshk, patate, perime të kalbura, duhan, alkool, hudhra, kafe, salcë shkaktojnë gastrit akut.



Cilat janë simptomat e këtij gastriti?

Gastriti akut ka këto shenja dobësim trupor, të vjella, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, ndjesi thartire në fyt dhe djegije në stomak.



Çfarë është gastriti kronik?

Gastriti kronik është pezmatimi i stomakut për një kohë të gjatë, si pasojë e proçeseve akute, sidomos kur stomaku rëndohet me ushqime të tepërta, të nxehta dhe të forta.



Pse shkaktohet?

Gastriti kronik shkaktohet nga humbja e oreksit, të vjellat, rëndimi i ushqimit në bark, thartia në stomak, dhimbjet e kokës etj.



Po ulcera pse shkaktohet?

Ulçera e stomakut shkaktohet si pasojë e gastritit kronik, ku zhvillohen puçrra në cipën e stomakut, ose në pjesën fillestare të zorrës së hollë (deuden). Kjo është një sëmundje nga e cila stomaku preket më shpesh.



Ulçera, si mund të frenohen dhimbjet

Personat më të prekur nga sëmundja e ulçerës në stomak janë pikërisht meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por meqënëse ulçera në më të shumtën e rasteve është e pranishme te personat, që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo arsyeja pse ajo është më e përhapur te meshkujt. Njerëzve që vuajnë nga ulçera në stomak nuk u rekomandohet të pijnë kafe. Konsumimi i saj do të ishte e dëmshme për shëndetin e tyre. Gjithashtu, nuk u këshillohet përdorimi i aspirinave. Njerëzit që konsumojnë alkool dhe që vuajnë nga kjo sëmundje duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Alkooli i marrë me aspirinën ose analgjezitë të ngjashëm rrisin rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku. Një prej mundësive efektive që përdoret për kurimin e ulçerës në stomak është mjalti. Vetitë e tij kuruese janë të dukshme nëse ai përdoret të paktën 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Ky përfundim u bë i ditur pas shpalljes së rezultateve të një studimi të kryer në Zelandën e Re. Në të morën pjesë më shumë se 2000 pjesëmarrës, në të cilin u vërtetuan efektet pozitive të tij. Mjalti kishte në përbërje të tij elemente, të cilët kishin efekte regjenerues, sidomos te plagët. Ai i pastronte ato dhe i mbronte nga infeksionet e ndryshme. Për kurimin e kësaj sëmundjeje shpesh mjalti mund të përdoret me lëngun e gjetheve të murrizit. Çaji këtyre gjetheve duke u përzier me një sasi mjalti duhet lënë për 24 orë në një enë dhe më pas pihet nga 1 lugë çdo mëngjes. Lule basani është një nga bimët më të rëndësishme, që rekomandohet për kurimin e ulçerës në stomak. Çaji i përftuar nga zierja e kësaj bime në një përzierje me vajin e ullirit, lihet për rreth 40 ditë në një enë prej qelqi. Kur kjo masë të marrë një ngjyrë të kuqërremtë, atëherë mund të përdoret. Masa e krijuar në formë kremi mund të përdoret çdo mëngjes derisa ajo të japë rezultatin e dëshiruar.



Kurat popullore që zhdukin ulçerën

Djathë dhe qumësht

Për ulçerën në mjekësinë popullore përdoret kjo metodë kurimi. Merrni 1 kg djathë të ri pa kripë, 1 kg qumësht të zier dhe të ftohtë. I përzieni bashkë derisa të formohet një formë kremi. Përgatesën e mbani në një enë plastike në frigorifer dhe e konsumoni çdo vakt nga një lugë gjelle para buke.

Nenexhik

Një lugë çaj nenexhik i copëtuar e vendosni në një copë leukoplasti, të cilin duhet ta ngjisni mbi kërthizë. Leukoplastin duhet ta mbani aty për disa orë derisa t u pushojë dhimbja e barkut nga shqetësimet e stomakut.

Lakra turshi

Lëngu i lakrave turshi ka dhënë rezultate të mira për sëmundjet e stomakut dhe për ulçërën. Ky lëng duhet të pihet çdo 2 orë nga 1 lugë gjelle për 1-2 muaj rresht. Gjatë këtij mjekimi nuk duhet të pihen pije alkoolike dhe duhan, kurse qumësht dhe lëngje frutash mund të pini sipas dëshirës.

Panxhari kuq

Për shërimin e stomakut, merrni 50 gr lëng panxhar të kuq, 50 gr lëng patatesh të shtrydhura, 50 gr lëng boronice. Këto përzihen në një enë dhe lihen aty për 7 ditë rresht. Ky lëng përdoret për mjekimin e gastriteve, hiperacideve, si dhe për shërimin e ulçerave në stomak e deuden.

Përzierje bimësh

Për mjekimin e gastriteve hiperacide përdoret kjo kurë. Merrni 10 gr rrënjë çikoreje, 10 gr fruta të dëllinjës së zezë, 30 gr hithra gjethe, 30 gr bar pelini. Merrni 2 lugë çaj nga kjo përzierje dhe e valoni me 1 gotë ujë për 15 min. Ky çaj pihet nga 2 gota çaji në ditë.

Lule basani

Në 2 litra ujë hidhni 3-4 lule basani të thara e të grimcuara. Këto i zieni për 20-30 min. Pasi përgatesa të ftohet e kulloni dhe shtrydhni. Çaji pihet gjatë ditës nga 1 ose 2 gota ujë, pak i vakët dhe i ëmbëlsuar sipas dëshirës.

Majdanoz

Merrni 1 lugë gjellë majdanoz, po 1 lugë gjellë rrënjë grami dhe një dorë mustaqe misri. Përzierjen e zieni me 3 gota uji për 15-20 min. Përgatesa pihet 2 herë në ditë nga 1 gotë e gjysmë uji para buke për 5-6 ditë rresht.

Raki

Për mjekimin e ulçerës, merrni çdo mëngjes esëll 30-40 gr raki rrushi të fortë 19 gradë. Kjo pihet me gllënjka. Gjysmë ore pas pirjes së rakisë hani 1 lugë gjellë me mjaltë, kurse në darkë para gjumit, merrni 1 lugë gjellë me vaj lule basani. Mjekimi vazhdon për 30-40 ditë.

Hudhra

Njerëzit që konsumojnë shumë hudhrën janë më pak të prekur nga sëmundja e ulçerës në stomak. Ajo ka veti dezinfektuese. Hudhra mund të konsumohet e gatuar, e njomë, por edhe e thatë. Në rastet kur ajo gatuhet, mundësisht jo shumë të butë, por më e mira do ishte të skuqet fare pak për të mos i humbur vlerat e saj.



Thuajini jo!Aspirinës

Njerëzit që vuajnë nga ulçera në stomak dhe që janë përdorues të pijeve alkoolike duhet të tregojnë kujdes. Alkooli i marrë me aspirinën ose analgjezitë të ngjashem rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku.



Kafesë

Të sëmurëve, që vuajnë nga ulçera në stomak, u ndalohet rreptësisht pirja e kafesë. Madje, nuk u rekomandohet të konsumojnë as produkte që kanë në përbërje të tyre kafenë. Konsumimi i saj çon në keqësim të shëndetit.

Ky lajm është publikuar: 24/09/2008